
Paralajmërohen protesta të gjera në Afganistan kundër mbylljes së shkollave
Aktivistet për të drejtat e grave janë zotuar të dielën të nisin një valë protestash në të gjithë Afganistanin nëse talibanët dështojnë të rihapin shkollat e mesme të vajzave brenda një jave.
Mijëra vajza të shkollave të mesme ishin dyndur në klasa të mërkurën pasi talibanët rihapën institucionet e tyre për herë të parë që nga marrja e pushtetit gushtin e kaluar.
Por zyrtarët kanë urdhëruar mbylljen e shkollave përsëri vetëm disa orë më vonë, duke shkaktuar zemërim mbarëkombëtar.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Emirateve Islamike që të hapin shkollat e vajzave brenda një jave”, ka lexuar aktivistja Halima Nasari një deklaratë të lëshuar nga katër grupe të të drejtave të grave në një konferencë për shtyp në Kabul.
“Nëse shkollat e vajzave mbeten të mbyllura edhe pas një jave, ne do t’i hapim vetë dhe do të bëjmë demonstrata në të gjithë vendin deri në plotësimin e kërkesave tona”, ka thënë ajo.
Talibanët duhet të ndërtojnë më shumë shkolla për vajza në zonat rurale në vend që të mbyllin objektet ekzistuese, është thënë në deklarataë, e cila vjen pasi disa aktiviste të grave u arrestuan muajt e fundit.
Të shtunën, dhjetëra nxënëse dhe gra organizuan një protestë në Kabul duke kërkuar rihapjen e shkollave.
“Gratë, mësueset dhe vajzat duhet të dalin në rrugë dhe të protestojnë”, ka thënë studentja Zarghuna Ibrahimi, 16 vjeçe, e cila mori pjesë në konferencën për media.