
Paraqitje dhe fitore bindëse e Samadrexhës në Ferizaj
Me një paraqitje bindëse, Samadrexha e ka mposhtur Ferizajn në ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Ndeshja u zhvillua të enjten pasdite në Ferizaj, ndërsa samadrexhaset fituan 31:23. Kësaj skuadre i duhet edhe një fitore për kualifikim në finale të plejofit.
Samadrexha e nisi ndeshjen sigurt dhe në dhjetë minutat e parë krijoi epërsi 7:2. Në minutën e 23-të, epërsia e Samadrexhës u bë dyshifrore, 15:5. Pjesa e parë përfundoi 17:8 për ekipin mysafir.
Në pjesën e dytë epërsia shkoi deri në 12 gola, ndërsa në fund dallimi ishte tetë gola.
Mirjeta Dinolli u shqua te Samadrexha me dhjetë gola. Gjashtë i kishte Jennifer Toledo Abreu, ndërsa pesë i realizoi Arlinda Maloku.
Te Ferizaj nga pesë gola i shënuan Elsa Kongjeli e Lorena Matarova.
Ferizaj e kishte mposhtur Samadrexhën në gjysmëfinale të Kupës, por në gjysmëfinale të plejofit rolet ndryshuan.
Ndeshja e dytë është në fundjavë në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.