Partitë politike i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale, liderët optimistë për fitore më 12 tetor

15 gusht 2025 | 10:54

Partitë politike kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat përfundimtare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë të kuvendeve komunale, duke hyrë zyrtarisht në garën e 12 tetorit me përfaqësimin më të gjerë në nivel vendi. Pas dorëzimit të këtyre listave, liderët e partive politike kanë shprehur optimizëm për suksesin në këto zgjedhje.
“Voto për komunën tënde” është motoja me të cilën do të organizohen zgjedhjet e 12 tetorit.

Në këto zgjedhje Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se do të garojë me 33 kandidatë për kryetarë komunash, prej të cilëve tri janë gra, si dhe me lista të këshilltarëve në 36 komunat e Kosovës.

Përveç kësaj, PDK-ja do të jetë e pranishme në Kllokot dhe Mamushë vetëm me listë për Kuvendin Komunal, ndërsa në Graçanicë do të marrë pjesë në një listë të përbashkët me të gjitha partitë shqiptare. “Kjo përfshirje e bën PDK-në partinë me praninë më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse në zgjedhjet lokale të këtij viti, duke dëshmuar lidershipin dhe përkushtimin e saj për t’u shërbyer qytetarëve në çdo cep të vendit. Në nivel të këshilltarëve komunalë, PDK do të garojë me 878 kandidatë, prej të cilëve 555 janë burra (63 %) dhe 323 janë gra (37 %). Ky raport e vendos PDK-në ndër partitë me përfaqësimin më dinjitoz të grave në listat zgjedhore në nivel vendi, duke reflektuar angazhimin e saj për barazi dhe fuqizim të grave në politikë”, ka njoftuar PDK-ja, shkruan “Epoka e re”.

Kryetari i saj, Memli Krasniqi, ka thënë se PDK-ja po hyn në këtë garë me ekipin më të gjerë, më të përgatitur dhe më të përkushtuar për t’i udhëhequr komunat drejt zhvillimit dhe mirëqenies. “Kjo është një garë për punë, rezultate dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë”, ka thënë Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për vizionin, programin dhe kandidaturat që garantojnë zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për çdo komunë.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka theksuar se pas një procesi të kujdesshëm përzgjedhjeje dhe konsultimi me strukturat lokale, ka theksuar se në zgjedhjet e 12 tetorit do të garojë në 31 komuna, me 28 kandidatë për kryetarë dhe 839 kandidatë për asambletë komunale, të cilët përfaqësojnë një përzierje të përvojës së dëshmuar dhe energjisë së re.

“Ky ekip është dëshmia më e mirë e angazhimit tonë gjithandej për një qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe me vizion afatgjatë, e cila e vendos qytetarin dhe interesin publik në qendër të vendimmarrjes. Kandidatët tanë nuk janë vetëm emra në listë, ata janë njerëz të përkushtuar, me integritet të lartë dhe me vullnetin e palëkundur për të punuar për komunat tona. Me këtë ekip ne synojmë të sjellim ndryshim përtej të zakonshmes dhe të ndërtojmë institucione lokale të forta e efikase. LDK fton qytetarët e Kosovës që të bashkohen në këtë rrugëtim për zhvillim ekonomik, forcim të institucioneve dhe përmirësim të cilësisë së jetës në çdo komunë. Me përkushtim dhe vizion të qartë, padyshim që LDK në këto zgjedhje do të dalë forca udhëheqëse në shumicën e komunave të vendit”, është theksuar në njoftimin e LDK-së.

E kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se me integritet, përvojë dhe vizion të qartë për zhvillimin e komunave, këta kandidatë përfaqësojnë angazhimin e LDK-së për qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve e, mbi të gjitha, një vizion që shkon përtej të zakonshmes. “Ne besojmë në një Kosovë me institucione të forta, ekonomi të zhvilluar dhe jetë më të mirë për çdo qytetar”, ka thënë Abdixhiku pas dorëzimit të listës në KQZ.

Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paraqitur në çdo komunë kandidatët për kryetarë komunash.

“Lista e fitores për Prishtinë përfshin profesionistë, punëtorë, ndërmarrës, të rinj, gra dhe aktivistë. Me bartëse të listës një grua dhe me 48 % gra gjithsej, lista nuk përmbush vetëm formalisht detyrimin, por në bosht të saj ka barazinë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Kandidat i LV-së për Prishtinë është ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! është zgjedhja më e mirë në çdo komunë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të enjten mori vendime të veçanta për certifikimin e grupit të dytë me nëntë subjekte politike, prej të cilave katër iniciativa qytetare dhe pesë kandidatë të pavarur.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar listat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe të kandidatëve për asamble. Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, ka theksuar se lista që kanë publikuar për kryeqytetin ka bashkuar ide të freskëta, energji që nuk ndalet dhe përvojë që e di rrugën. “Nga lagjet e qeta e deri te rrugët plot jetë, zëri ynë vjen i larmishëm, me të rinj plot guxim dhe profesionistë me përvojë, krah për krah, për të sjellë ndryshim aty ku nevojitet më së shumti”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike është 66 kandidatë, prej të cilëve 4 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 62 për anëtarë të kuvendeve komunale.

KQZ-ja ka certifikuar edhe subjektin e ri të Ramiz Lladrovcit “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”. “Jam i lumtur që puna jonë, në Komunën Kampion, pas kërkesave të qytetarëve, simpatizantëve dhe rrethanave të krijuara, mund ta kërkojmë besimin qytetar edhe për një mandat. Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin Bashkë, vazhdojmë, +4”, ka shkruar Lladrovci në “Facebook”.

Në mbledhjen e kaluar, më 12 gusht, KQZ-ja ka certifikuar edhe grupin e parë prej 10 subjekteve politike (2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur) me gjithsej 64 kandidatë (5 kandidatë për kryetarë komune dhe 59 kandidatë për anëtarë të kuvendeve komunale).
Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara nga KQZ-ja deri më 14 gusht 2025 është: 19 subjekte politike, prej të cilave 6 iniciativa qytetare dhe 13 kandidatë të pavarur me gjithsej 130 kandidatë (9 kandidatë për kryetarë komune dhe 121 për anëtarë të kuvendeve komunale). /Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ilir Daja, arkitekti i kualifikimit të madh të Dinamos ndaj…