Pas 6 tetorit Kosova duhet të ketë qeveri të programeve

27 shtator 2019 | 14:09

Analisti politik Ramush Tahiri e ka vlerësuar të mirë dhe përmbajtjesore fushatën e deritanishme të subjekteve politike.

Ai ka thënë se kjo frymë e fushatës duhet të jetë deri në fund. Megjithatë, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” Tahiri ka deklaruar se partitë politike dhe kandidatët për kryeministër po u shmangen deklarimeve për temat e mëdha siç janë: tarifa, dialogu, raportet me bashkësinë ndërkombëtare, liberalizimi dhe agjenda evropiane.

Sipas tij, nuk po ka deklarime reale, por populiste. Tahiri ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit duhet të jenë të lira, demokratike dhe të pranuara nga të gjithë.

Ai ka theksuar se koalicionet pas zgjedhjeve duhet të bëhen në bazë të renditjeve e programit dhe jo të ketë qeveri të pakicës. Sipas Tahirit, Kosova duhet të ketë qeveri të programeve

“Epoka e re”: Z. Tahiri, si e komentoni fushatën e deritanishme të partive politike për zgjedhjet e 6 tetorit?
Tahiri: Fushata ka filluar shumë më herët, por të mërkurën është hapur zyrtarisht. Deri më tani të gjitha partitë kanë bërë fushatë të mirë, konstruktive dhe nuk ka pasur kritika kundër njëri-tjetrës, ndonëse ka pasur nga pak cinizëm dhe alegori. Sipas mendimit tim, është një fushatë e mirë, me një mobilizim të elektoratit, që mund të sjellë dalje më të madhe të qytetarëve në zgjedhje, rreth 55-60 për qind.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për kandidatët për kryeministër dhe programet e tyre?
Tahiri: Të gjitha programet politike po afrohen rreth qendrës dhe socialdemokracisë si koncept, sepse flasin për politika sociale, për barazinë sociale, për pensionistët si dhe të gjitha po flasin për forcimin e shtetit dhe kundër korrupsionit. Në këtë drejtim qytetarët e kanë problem të përcaktohen se kujt duhet t’ia japin votën, por e rëndësishme është pjesëmarrja në votim. Nuk shoh dallime në programe sepse cilindo që ta votosh është program i mirë. Për mua është simpatike që kemi edhe disa parti të tjera serbe, përveç Listës Serbe, që do të thotë se ka diferencim programor të qytetarëve.

 “Epoka e re”: Sa janë të zbatueshme këto programe dhe sa janë reale premtimet që po bëhen?
Tahiri: Është çështje tjetër kjo nëse këtyre programeve duhet t’u zihet besë dhe sa mund të realizohen. Janë disa arsye pse qytetarët i votojnë subjektet e caktuara. Secila parti ka një numër të caktuar të militantëve partiakë si dhe klientelizëm, votues që janë të lidhur me punësimet në shtet. Por kemi edhe votues të rinj 50-60 mijë sosh që do të votojnë për herë të parë e që nuk besojnë shumë se përmes votimit mund të ndryshohet diçka. Edhe koalicionet parazgjedhore do të ndikojnë pak a shumë në orientimin e votuesve. Po ashtu, kemi subjekte politike që kanë ndikim në zona të caktuara dhe dalje masive në ato zona që ua rritë numrin partive të caktuara. Bazuar në rezultatin e tanishëm, të gjitha janë te 20-25 për qind, por befasitë mund të ndodhin te secila parti. Kjo varet nëse do të ketë rritje të numrit të qytetarëve që dalin në zgjedhje, pastaj edhe prej votuesve që votojnë për herë të parë. Në këto zgjedhje do të ketë ndikim edhe ajo që partitë e mëdha kanë garuar të vetme dhe jo në koalicione të mëdha. Secila parti programin dhe fushatën po e bën për fitore. Secila parti me propagandë ndaj njëra-tjetrës mundohet të tërheqë votues të rinj, por sa do të kenë sukses mbetet të shihet sikurse që mbetet të shihet edhe realizimi i programeve dhe premtimeve. Por, në përgjithësi, programet janë të mira dhe premtimet nuk janë pa mbulesë.

“Epoka e re”: Deri më tash, në takimet me qytetarë, kandidatët për kryeministër janë treguar të kujdesshëm, duke iu shmangur temës së dialogut, shifrave të mëdha të punësimeve si dhe liberalizimit të vizave. Pse ka ndodhur kjo?
Tahiri: Po duket një lloj mosguximi apo lojë me qytetarët sepse nuk po deklarohen për temat e mëdha siç janë: tarifa, dialogu, raportet me bashkësinë ndërkombëtare, liberalizimi dhe agjenda evropiane. Nuk po kemi deklarime reale, por deklarime populiste. Ata, duke e ditur se taksa është shumë popullarizuese, nuk po kanë guxim fort t’ia sqarojnë popullit dhe të deklarohen për qëndrimin e drejtë. Prandaj, po kemi një fshehje të qëndrimeve të liderëve dhe të partive që po paraqiten se janë të fuqishëm, mirëpo nuk po tregojnë se si do t’i marrin ato vendime të mëdha.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga zgjedhjet e 6 tetorit?
Tahiri: Është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike dhe të pranueshme. Duhet të arrihet një marrëveshje që partia e parë ta ketë të drejtën e kryeministrit dhe mos të ndodhë që partitë e vogla, vetëm për shkak të koalicionit, të marrin më shumë sesa forca reale e tyre e treguar në zgjedhje. Vota e qytetarëve duhet të jetë reale, pra nëse një parti i ka fituar 7 për qind, atë përqindje duhet ta ketë edhe në qeveri dhe jo sikurse në mandatin e kaluar kur partitë kanë pasur më shumë ministra sesa deputetë. Qytetarët po ndihen të zhgënjyer me pazaret që po bëhen për koalicione. Për mendimin tim, më mirë është që sërish të shkohet në zgjedhje sesa të bëhen lëshime joparimore vetëm sa për ta formuar qeverinë. Por nëse rritet përqindja e daljes së qytetarëve në zgjedhje, normalisht se fitojnë më shumë vende partitë jomilitante, pra partitë që janë pak a shumë rreth qendrës, liberale, popullore e të tjera. Mirëpo nëse përqindja e qytetarëve është më e vogël në zgjedhje do të fitonin më shumë partitë militante.

“Epoka e re”: Si e shihni qeverinë e ardhshme? Prisni koalicione të mëdha apo koalicione të vogla?
Tahiri: Pas zgjedhjeve koalicionet i shoh programore dhe parimore, pa vija të kuqe. Pra, duhet bërë programi i cili shqyrtohet çdo tre muaj në Kuvend. Në këtë drejtim krejt partitë i shoh edhe fajtore, edhe kontribuuese. Nëse bëhet qeveria me klientelë atëherë mund të ketë pasoja nga elektorati. Nëse vazhdon kjo luftë në mes të LV-së dhe LDK-së, është problem të ndodhë koalicioni. Nëse LV-ja del e para dhe vazhdon kështu, duke i kritikuar të gjithë, atëherë ta dorëzojë mandatin sepse nuk ka me kënd ta bëjë qeverinë. Mirëpo, në këto 4-5 ditë pres që partitë mos ta akuzojnë shumë njëra-tjetrën. Rezultatet e zgjedhjeve duhet të jenë të pranuara nga të gjitha dhe koalicionet pas zgjedhjeve duhet të bëhen në bazë të renditjeve dhe programit si dhe mos të kemi qeveri të pakicës. Pra, duhet të kemi qeveri të programeve. Po ashtu, pas zgjedhjeve mendoj se në qeveri nuk duhet të merret Lista Serbe, por partitë e tjera serbe që fitojnë zgjedhjet, meqë në Kushtetutë parashihet përfshirja e partive që përfaqësojnë interesat e minoritetit.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në qytetin e Suharekës për të tetëmbëdhjetën herë me radhë…