
Pas Kosovës, Bashkimi Evropian e çon Apostolovën në Palestinë
Bashkimi Evropian (BE) ia ka caktuar një detyrë të re, Nataliya Apostolovës, e cila e ka përfunduar muaj më parë misionin në Kosovë si shefe e Zyrës së BE-së.
Ajo është caktuar si udhëheqëse e Misionit të BE-së për Polici dhe Sundim të Ligjit në territorin e Palestinës (EUPOL COPPS).
Kështu, Apostolova është bërë t gruaja e parë që e drejton EUPOL COPPS, ka njoftuar faqja zyrtare e BE-së.
Gjatë karrierës diplomatike mbi 25-vjeçare, Apostolova ka shërbyer në pozita të larta në Lindje të Mesme dhe Ballkan.
Ajo kishte shërbyer si shefe e delegacionit të BE-së në Libi nga korriku i vitit 2013 deri në gusht të vitit 2016 dhe si shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë nga shtatori i vitit 2016 deri në gusht të këtij viti.
Në pozitën e zëvendëskryetares në EUPOL COPPS është emëruar një grua tjetër, Katja Dominik nga Gjermania.