
Pas kritikave dhe kërkesës së kryeministrit Rama, japin dorëheqjen të gjithë drejtorët e bashkisë së Vlorës
Një ditë pas kërkesës dhe kritikave të kryeministrit Edi Rama, në bashkinë e Vlorës kanë dhënë dorëheqje të gjithë drejtorët e këtij institucioni.
Mësohet se procesi i dorëheqjeve ka nisur qysh dje, pas urdhrit të prerë të kryeministrit Edi Rama dhe vazhdon ende edhe sot.
Kryeministri ishte paraditen e djeshme në Bashkinë e Vlorës, i shoqëruar nga ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura.
U mësua se Rama udhëroi dje kryebashkiakun Ermal Dredha që të kërkojë dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të tij. Një urdhër që është zbatuar pa mëdyshje, por që duket i pazakontë për një kryeministër, pavarësisht se kryebashkiaku i përket partisë së tij.
Pakënaqësitë e Ramës ndaj situatës në Vlorë u shfaqën dukshëm edhe dy javë më parë. Në festën e Partisë Socialiste, ra në sy një komunikim i tensionuar mes tij dhe Dredhës.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth 90 minuta, morën pjesë dhe deputetët në largim dhe ata të zgjedhur më 11 maj.