Pas mbi 26 vitesh shërbim, pensionohet polici nga Vushtrria, Salih Dragidella
Pas më shumë se 26 vitesh përkushtim në shërbim të rendit dhe sigurisë, është pensionuar zyrtari policor me prejardhje nga Vushtrria, Salih Dragidella. Rrugëtimi i tij profesional përfshin edhe një nga periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, kur në vitin 1990 refuzoi t’i shërbente pushtetit serb, duke braktisur punën për arsye morale dhe kombëtare, çmim që e pagoi me nëntë vite pa punë e nën presion të vazhdueshëm.
Pas luftës, në vitin 1999, Dragidella iu rikthye shërbimit policor, duke qenë pjesë e ndërtimit të institucioneve të reja të sigurisë në Kosovë. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai u dallua për disiplinë, drejtësi, korrektësi dhe integritet të lartë profesional, duke gëzuar respektin e kolegëve, eprorëve dhe qytetarëve.
Pensionimi i Salih Dragidellës vlerësohet si një mbyllje kapitulli me nder dhe si një shembull i sakrificës dhe përkushtimit në shërbim të vendit. Familja, kolegët dhe Policia e Kosovës e përcjellin me respekt dhe mirënjohje për kontributin e dhënë ndër vite.



