
Pas vendimit të Supremes, “Prishtina Parking” në krizë të madhe
Qytetarët e Prishtinës tashmë mund të parkojnë lirshëm në kryeqytet, pa frikën e bllokimit apo gjobitjes nga ndërmarrja “Prishtina Parking”.
Kjo pasi Gjykata Supreme ka marrë vendim për pezullimin e rregullores që rregullon funksionimin e kësaj ndërmarrjeje publike.
Vendimi ka çuar në ndërprerjen e plotë të veprimtarisë së “Prishtina Parking” në terren, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj dhe duke sjellë pasoja serioze financiare.
Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se rreth 70% e të hyrave janë humbur si rezultat i pamundësisë për të zbatuar masat si biletat 24-orëshe, vendosja e bllokadave dhe ndëshkimi i automjeteve të parkuara në kundërshtim me rregullat.
Kjo situatë, sipas tyre, e ka lënë ndërmarrjen në një “paralizë operative”.
“Sikurse ju kemi njoftuar më parë, në mungesë të të hyrave dhe për shkak të pasigurisë ligjore, kemi vështirësi të mëdha në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve për intervenime. Dëmi financiar është i madh dhe ndikon drejtpërdrejt në ofrimin e një shërbimi thelbësor për funksionimin e Kryeqytetit”, thuhet në përgjigjen e “Prishtina Parking” për RTVDukagjinin.
Edhe pse nuk është dhënë ndonjë afat konkret për finalizimin e rregullores së re, nga ndërmarrja thonë se janë në proces dhe po punojnë për përmbushjen e kërkesave që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Supreme.
“Shpresojmë që Rregullorja e re të miratohet sa më shpejt dhe t’i hapë rrugë zhvillimit të mëtejshëm të ndërmarrjes, zbatimit të Planit të Punës dhe rivendosjes së funksionalitetit të saj. Kërkesat e qytetarëve janë në rritje dhe kjo situatë po dëshmon më shumë se kurrë vlerën e këtij shërbimi”, më tej.