
Pasi sulmoi Iranin, Netanyahu i drejtohet për ndihmë SHBA-ve
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka publikuar një tjetër video-mesazh, këtë herë në gjuhën angleze, duke iu drejtuar qartë një audience amerikane.
Në fillim të videos, ai i uron ditëlindjen Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe shpreh respektin për ushtarët amerikanë që, sipas tij, kanë mbrojtur lirinë për më shumë se 250 vjet.
Netanyahu tha se ushtria izraelite po lufton për të mbrojtur lirinë në Lindjen e Mesme kundër regjimit që ai e quan “tiranik” të Iranit.
“Armiku ynë është edhe armiku juaj. Ajo që po bëjmë tani është përballja me një kërcënim që, herët a vonë, do të prekë të gjithë,” thotë ai në video.
Ai pretendon, pa ofruar prova konkrete, se nëse Izraeli nuk do të kishte vepruar, Irani do të kishte armatosur aleatët e tij – si Hezbollah dhe Hamas – me armë bërthamore.
“Gjithçka që po bën Izraeli po e bën me mbështetjen e qartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të popullit amerikan dhe të shumë të tjerëve në mbarë botën,” shton Netanyahu.