
“Pastrimi” ankohet sërish në OSHP për tenderin 16.5 milionësh, thirret në interpretimin e KRPP-së që i jep të drejtë
Komuna e Prishtinës ka vendosur të vazhdojë me procedurat e tenderimit për menaxhimin e mbeturinave, përkundër vendimit të paqartë të OSHP-së që nuk u shpreh nëse aktiviteti mund të vazhdojë apo jo, dhe pa marrë parasysh pretendimet ligjore të “Pastrimit” për shkelje të nenit 9.4 të Ligjit për Prokurimin Publik, shkruan Demokracia.com.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A nuk po heq dorë nga pretendimet se Komuna e Prishtinës ka vepruar në kundërshtim me ligjin në aktivitetin e prokurimit për “Menaxhimin e mbeturinave”, me një vlerë të parashikuar prej 16.5 milionë euro.
Pas refuzimit të ankesës së parë nga ana e Panelit të OSHP-së me arsyetimin se nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar rregulloren komunale, kompania “Pastrimi” ka dorëzuar ankesë të re, duke u përqendruar tani në shkeljet e pretenduara të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), konkretisht nenit 9.4, dhe duke kërkuar anulimin e plotë të aktivitetit të prokurimit.
Në këtë ankesë të re, “Pastrimi” argumenton se Komuna e Prishtinës nuk ka marrë asnjë veprim për të vlerësuar nëse shërbimet e kërkuara për mbledhjen e mbeturinave mund të ofrohen nga një autoritet tjetër publik, përkatësisht vetë ndërmarrja publike që aktualisht është duke e kryer këtë shërbim.
“Autoriteti kontraktues nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të shqyrtuar nëse nevojat për këtë shërbim përmbushen nga ndërmarrja publike në pronësinë e vet, përkundër që ligji e obligon qartësisht një veprim të tillë”, thuhet në ankesën e dorëzuar më 9 korrik 2025.
KRPP: Autoritetet publike nuk guxojnë të tenderojnë për shërbime që i ofron një tjetër autoritet publik
“KRPP nuk do të publikojë asnjë lloj njoftimi… dhe do të deklarojë aktivitetet, vendimet dhe/ose kontratat joligjore në rast se nuk janë respektuar dispozitat e nenit 9.4 të LPP-së”, citohet nga dokumenti referues në ankesën e “Pastrimit”.
Po ashtu, ndërmarrja thekson se në këtë rast jo vetëm që shërbimi ofrohet aktualisht nga vetë ndërmarrja publike “Pastrimi”, por edhe asete të reja (kamionë) janë blerë nga komuna për të mbështetur këtë shërbim, duke e bërë më të qartë se ekzistojnë kapacitete për vazhdimin e ofrimit të tij nga një operator publik.
Ankesa e parë e refuzuar për “mungesë juridiksioni”, OSHP nuk i trajtoi të gjitha pretendimet
Në vendimin e mëparshëm, Paneli i OSHP-së kishte hedhur poshtë ankesën e “Pastrimit” pa hyrë në thelbin e saj, duke argumentuar se nuk kishte kompetencë të shqyrtonte çështje që burojnë nga aktet normative komunale, siç është Rregullorja Komunale që përcakton ndërmarrjen si ofrues ekskluziv të shërbimeve të pastrimit në territorin e kryeqytetit.
Megjithatë, sipas dokumenteve në dispozicion të Demokracia.com, eksperti shqyrtues i caktuar fillimisht nga OSHP-ja kishte propozuar që ankesa të vlerësohej si pjesërisht e bazuar, dhe kishte rekomanduar anulimin e njoftimit për kontratë për shkelje të nenit 9.4 të LPP-së – të njëjtit nen që tash përmendet sërish në ankesën e re.
OSHP nuk përgjigjet qartë: Komunës i lihet në dorë vendimi për vazhdimin e procedurës. Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka shmangur një përgjigje të qartë lidhur me pyetjen e adresuar nga Demokracia.com për fatin e mëtejmë të procedurës tenderuese për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës, një kontratë e parashikuar në vlerë prej 16.5 milionë euro.
Paneli i OSHP-së kishte vendosur ta shpallte veten jopërgjegjës për ta shqyrtuar ankesën e ndërmarrjes publike “KRM Pastrimi” SHA ndaj këtij aktiviteti prokurues, me arsyetimin se pretendimet kishin të bënin me rregullore komunale dhe jo me shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP). Ky vendim i OSHP-së la të hapur një dilemë: a ka të drejtë Komuna e Prishtinës të vazhdojë me aktivitetin e prokurimit apo jo?
Pikërisht për këtë çështje, Demokracia.com më herët i kishte drejtuar një pyetje zyrtare OSHP-së, duke kërkuar sqarim:
“Bazuar në këtë vendim tuajin, a i lejohet Komunës së Prishtinës të vazhdojë me këtë procedurë tenderuese? Konkretisht, a mund të bëjë hapin e radhës procedural, që është caktimi i datës së mbylljes së ofertimit dhe hapja e tenderëve, e më pas vlerësimi i ofertave?”
Por OSHP nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë. Në vend të kësaj, i është përgjigjur Demokracia.com me një përgjigje standarde, duke thënë se “arsyetimi gjendet në Vendimin me nr. 2025/253”, i publikuar në faqen zyrtare të institucionit. Për më tepër, sa i përket pyetjes kryesore — nëse Komuna mund të vazhdojë me procedurën e tenderit OSHP është shprehur: “OSHP ju propozon që t’i drejtoheni autoritetit kontraktues/Komunës së Prishtinës.”
Kjo do të thotë se institucioni që merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të prokurimit ka shmangur të japë një qëndrim ligjor të qartë, duke ia lënë vetë komunës të vendosë nëse do të vazhdojë apo jo me hapjen e tenderëve.
Ndërkohë, tash “Pastrimi” ka dorëzuar edhe një ankesë të re në OSHP, duke u mbështetur edhe në një interpretim të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), i cili i jep të drejtë ndërmarrjes publike për të ofruar shërbimin nëse ai tashmë ofrohet nga një autoritet tjetër publik, pa u dashur të hapet tender. Ankesa e re kërkon anulimin e plotë të aktivitetit të prokurimit dhe respektimin e nenit 9.4 të LPP-së, i cili ndalon tenderimin për shërbime që mund të ofrohen “në shtëpi” nga një autoritet tjetër publik.
Iniciativa për Progres (INPO) ka reaguar javë mw parë duke shpreh shqetësim të thellë për mënyrën se si Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka trajtuar ankesën e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” ndaj Komunës së Prishtinës, raporton Demokracia.com.
OShP ka refuzuar të shqyrtojë ankesën duke u thirrur në mungesë juridiksioni, ndonëse paraprakisht e ka pranuar atë si të rregullt, ka caktuar panel shqyrtues dhe ka trajtuar çështjen në përmbajtje. Sipas Inpo, një qasje e tillë është në kundërshtim me parimet bazë të procedurës administrative dhe me nenin 105 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili kërkon shqyrtimin e ankesave në merita lidhur me shkeljet e mundshme të këtij ligji.
“Ky vendim përfaqëson një shkelje të parimit të trajtimit të drejtë dhe koherent të palëve dhe cenon parimin e sigurisë juridike, duke dëmtuar të drejtën për shqyrtim efektiv të një ankese të bazuar në fakte dhe në ligj. Po ashtu, ky rast ngre shqetësim serioz për rolin mbikëqyrës të OShP-së, e cila ka për detyrë të mbrojë ligjshmërinë në procedurat e prokurimit, përfshirë rastet kur autoritetet kontraktuese shmangin zbatimin e dispozitave për kontraktim brenda autoriteteve publike (in-house procurements), siç parashihet në nenin 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik.
Në këtë rast konkret, bëhet fjalë për një ndërmarrje publike me pronësi rreth 77% nga Komuna e Prishtinës dhe të autorizuar me rregullore komunale si ofruesi i vetëm i shërbimit të grumbullimit të mbeturinave, rrethana që e bëjnë të drejtë dhe të ligjshme kontraktimin përmes marrëveshjes “in-house”, pa tender të hapur. Refuzimi i OShP-së për të shqyrtuar këtë veprim të Komunës përbën jo vetëm shmangie nga përgjegjësia institucionale, por krijon precedent të rrezikshëm për anashkalim të ndërmarrjeve publike dhe zbehje të transparencës e llogaridhënies në prokurim publik”, thuhet në komunikatën e INPO-së, sipas të cilës, ky vendim i OSHP-së është në kundërshtim me vet praktikën e këtij institucioni, pasi që në të kaluarën OSHP ka shqyrtuar në merita këto ankesa nga ndërmarrjet publike, ku shumë nga to janë aprovuar si të tilla nga ky organ epror administrativ.
Organizata kishte ftuar OShP-në, të reflektojë dhe të rikthehet në përmbushjen e plotë të mandatit të saj ligjor, dhe të garantojë trajtim të drejtë, të paanshëm dhe të mbështetur në ligj për çdo ankesë që ndërlidhet me mbrojtjen e interesit publik dhe të shërbimeve publike.
INPO kërkonte që OShP të anuloj vullnetarisht këtë vendim dhe ankesën e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” ta shqyrtoj në merita, duke e aprovuar apo refuzuar atë, mirëpo jo të fshihet kinse pas mungesës së juridiksionit. Një qasje e tillë, përbën abstenim të OShP-së nga përgjegjësia ligjore që ka, në parandalimin e shkeljeve ligjore në aktivitetet e prokurimit publik.