PDK – Dega në Gjermani me thirrje drejt kryesisë qendrore: Bashkimi është çelësi i fitores së merituar të PDK-së
Ish-kryesia e Degës së PDK-së në Gjermani ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me zhvillimet politike në Kosovë dhe i bën thirrje kryesisë së PDK-së që të intensifikojë përpjekjet për bashkim të spektrit politik, me fokus të veçantë në gjetjen sa më të shpejtë të rrugës së unifikimit me Fatmir Limajn dhe subjektin e tij, NISMA, të cilët, sipas tyre, duhet të integrohen brenda Partisë Demokratike të Kosovës.
Deklarata e plotë e ish-kryesisë së Degës së PDK-së në Gjermani: E nderuara Kryesi e Partisë Demokratike të Kosovës,
Anëtarësia e gjerë e Degës së PDK-së në Gjermani dhe veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare po i përcjellin me vëmendje të veçantë zhvillimet politike në vendlindje. Duke parë se politika zyrtare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, nën drejtimin e Albin Kurtit dhe Presidentes Vjosa Osmani, gjatë pesë viteve të fundit ka larguar Kosovën nga binarët e konceptit politik për integrim dhe anëtarësim në NATO, si dhe e ka çuar vendin në situatë të sanksioneve nga Bashkimi Evropian, ne shprehim shqetësimin tonë të thellë.
Prandaj, ne – ish-kryesia e Degës së PDK-së në Gjermani – i bëjmë thirrje kryesisë së PDK-së që të mobilizohet dhe të bashkojë forcat politike, duke gjetur sa më parë rrugën e unifikimit, në mënyrë që Fatmir Limaj dhe partia e tij, NISMA, të bashkohen brenda PDK-së.
Ne besojmë se vetëm përmes bashkimit mund të sigurohet fitorja e merituar e PDK-së dhe që Kosova, nën drejtimin e saj, ta përmbyllë me sukses procesin e shtetndërtimit, në partneritet të plotë me aleatët tanë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.




