PDK-ja mbështet protestën e 7 gushtit për çlirimtarët, fton edhe qytetarët të marrin pjesë në të

31 korrik 2025 | 14:35

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e tij për zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka theksuar se më shumë se katër vjet e gjysmë pas paraburgimit të tyre, ende nuk ka një vendim përfundimtar, ndërsa ka ngritur alarmin për shkelje të standardeve të drejtësisë.

Krasniqi ka thënë se në këtë frymë, mbështesin protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve.

“Prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ende pa një vendim përfundimtar. Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë. Këto shqetësime janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se kjo gjykatë po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë. Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë. Në këtë frymë, mbështesim protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve. Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Major League…