PDK-ja në koalicion me ligjin e me sovranin për t’i eliminuar shpërdorimet

25 shtator 2019 | 11:20

Qeveria, me kryeministër Kadri Veselin, nuk do t’i lejojë më punësimet pa kritere ligjore dhe mbi bazën e ndërhyrjeve korruptive, politike, farefisnore, familjare, partiake etj. Ky shpërdorim eklatant ka marrë shtrirje të gjerë, sidomos në vitet e fundit

Hasan Mujaj

Votimi është obligim ligjor, është obligim kushtetues, demokratik, etik dhe shtetëror. Ai është akt vendimtar për të formuar institucione legjitime që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve për ta drejtuar dhe për ta zhvilluar shtetin me arritje risimtare. Pikërisht për këtë arsye në shtetet më të zhvilluara dhe me demokraci të mirëfilltë, këtij procesi (votimit) i kushtohet vëmendje e posaçme nga institucionet përkatëse, por edhe nga qytetarët dhe zyrtarët kompetentë të vendit.

Vendin parësor në garën parazgjedhore e zgjedhore të shteteve me traditë të gjatë demokratike e zënë temat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të shtetit, me projekte të realizueshme që të ngrihet standardi i jetës së qytetarëve, që të hapen vende të reja të punës, ekspozohen parashikimet studimore të zhvillimit të së ardhmes etj.

Zgjedhjet e gjashtë tetorit në Kosovë janë të jashtëzakonshme. Si të tilla, janë të rëndësishme; tejet të rëndësishme për zhvillimet e reja politike të Kosovës; tejet relevante për politikën e jashtme e të brendshme të Kosovës; shumë të vlefshme për t’i mënjanuar disa dukuri negative që kanë marrë shtrirje të gjerë në Kosovë, të cilat e kanë komprometuar shtetin edhe në relacionet ndërkombëtare si vend ku nuk zbatohet ligji. Prandaj, edhe përgatitjet për zgjedhjet duhet të jenë shumë konstruktive e ligjore ashtu sikundër edhe dalja në votime duhet të jetë masive.

Temat e sipërshtruara, në fushatën parazgjedhore e zgjedhore të Kosovës, sikundër mund të shihet nga paraqitja e programeve të disa partive politike, zënë vend shumë të vogël ngase vendin qendror në fjalimet e disa liderëve dhe të poltronëve të tyre nuk e kanë projektet me interes për mirëqenien e qytetarëve, porse mbizotëron propaganda me premtimet shterpë, me akuzat dhe etiketimet për oponentët politikë, shpeshherë edhe me shpifje e trillime të ndryshme, me fjalime panegjirike që u referohen liderëve të partive politike edhe pse pa ndonjë meritë të veçantë etj.

Shteti duhet të vihet mbi interesin privat të secilit. Ky është kriter i demokracisë, përfillja e të cilit nuk do të lejonte që të vërshojnë shpërdorimet e ndryshme dhe veprimet anarkike; për këtë është më se i mbëhishëm edukimi demokratik dhe, mbi të gjitha, zbatimi i ligjit që të mos gjejnë terren shtrirjeje dukuritë negative si: korrupsioni, nepotizmi, antivlera, interesi, përfitimi personal etj. Dhe, përderisa nuk luftohen këto dukuri, s’është habi që në institucionet e larta të shtetit do të emërohen njerëz të paaftë, se do të propozohen e do të votohen për deputetë njerëz që nuk dinë të flasin as të shkruajnë si duhet në gjuhën amtare madje në foltore shihet se kanë vështirësi të mëdha për ta gjuhëzuar mendimin, se votohen njerëz me të kaluar të dyshimtë politike, se lejohet e mundësohet të futen në politikë njerëz pa kapital elementar politik, etik retorik, sociokulturor, demokratik, linguistik etj.

  1. F. Kuintiliani, edukatori dhe oratori virtuoz, për fjalimin publik, shkroi: “Fjalimi bazohet në ligjet e gjuhës”. Më se e vërtetë kjo. Ai ose ajo që nuk e di gjuhën standarde, nuk është për foltore, dmth. nuk është për deputet/e! Nga ky kënd vështrimi, është shumë domethënës edhe mendimi i filozofit italian Benedeto Kroçe: “Quaj njeri atë që është zot i gjuhës amtare!”

Dhe, qytetari ynë i voton njerëzit e këtillë sepse voton sipas sugjerimeve të të tjerëve, voton pa e ditur rëndësinë e votimit dhe pa e vlerësuar kandidatin; për ta votuar dikë, duhet ta vlerësosh lart të kaluarën dhe të sotmen e tij ose të saj, biografinë, aftësinë dhe kontributin e saj ose të tij në fusha të ndryshme të veprimtarisë etj. Vota duhet të jetë autonome, e lirë dhe pa ndërhyrje. Kjo është e drejtë ligjore. Kjo duhet t’u bëhet e qartë të gjithë votuesve.

Fjalimet në tubimet parazgjedhore e zgjedhore duhet të karakterizohen nga retorika pozitive, nga respekti reciprok i liderëve politikë, nga fjalori selektiv, kulturor, estetik dhe etik. Ato duhet të jenë në përpjesëtim me realitetin e të zbatueshme në praktikë dhe jo premtime utopike e iluzore, romantike e euforike hiperbolash manipuluese ngjashëm me përmbajtjen e këngëve legjendare.

Disa liderë partish politike mendojnë shumë gabimisht se do të ngrihen lart duke i kritikuar kundërshtarët politikë në fushatën zgjedhore madje edhe me epitete fiktive dhe duke bërë vetëlavdërime! Stil të këtillë, filistin e steril, ndaj homologëve përdorin vetëm ata që nuk kanë kapital kognitiv në kompetencë për të zgjedhur stilin në performancë; vetëm ata që nuk dinë se është ngritur një shkencë e re ndërdisiplinare e quajtur stilistika e zgjedhjes.

Kompetenca kulturore, etike dhe intelektuale dëshmohet nga formulimet gjuhësore që përdor lideri në komunikimin publik. Ajo kap shumë fusha e fushëza ndër të cilat edhe të ashtuquajturën higjienë e gjuhës në kuptimin etik dhe të respektit ndaj atij që i referohet oratori.

Për postet më të larta drejtuese, sikundër është pozita e kryeministrit, në çdo shtet është kusht i patejkalueshëm përvoja e punës pararendëse në ndonjë pozitë udhëheqjeje. Dhe, me shumë të drejtë ngase, shprehur me metafora, askush nuk mund të kërcejë nga shkalla e parë në tarracën lart; duhet të kalohen disa shkallë. Në asnjë shtet nuk rastis të nominohet për kryeministre ose për kryeministër kandidatja apo kandidati pa asnjë ditë përvojë pune në ndonjë pozitë drejtuese. Kjo ngjet vetëm në Kosovë! Habi e madhe! Veprim shumë i papërkorë i atyre që i nominojnë dhe i atyre që i pranojnë kandidaturat. Mund të jetë edhe temë atraktive për emisionet humoristike. Ky pranim përkon me humorin popullor kur njëri, derisa kalonte pranë aeroportit, e pyet tjetrin: “A ta kish marrë menja me nisë ballonën? – Nuk e kam provu kurrë, po ma kish marrë menja me nisë!” Ky komunikim mund të shërbejë si qesëndi funksionale me ndonjë kandidat për kryeministër.

Mungesa e përvojës në pozitat e larta drejtuese shihet qartë edhe nga përmbajtja e fjalimeve publike, të cilat shquhen nga premtimet hiperbolistike e utopike, nga miopia politike e kiç vlera praktike, fjalime patriotike e glorifikuese me patos të romantizmit të shek. XIX kur parashtroheshin kërkesa për të zgjuar e thelluar vetëdijen kombëtare. Askush nuk mund të krijojë emër nga fama e ish-liderëve të autoritetshëm dhe nga bëmat e tyre me vlera të larta e të padiskutueshme. Secila parti politike duhet ta ndërtojë identitetin e vet dhe ta vërë atë në funksion të zhvillimit të shtetit.

Nga deficiti i përvojës dhe i pjekurisë politike, në një fjalim publik drejtuar elektoratit para ca ditësh, ndër të tjera, u tha: “Ju lus për mobilizim si në vitet e ‘90-ta sepse shteti ynë është në rrezik!”

Parë nga këndi i pragmasemantikës mund të kuptohet se në këtë periudhë ka inkongruenca koherente e logjike të përpilimit të tekstit të fjalimit politik. Krahasimi i zhvillimeve politike i viteve të 90-ta në Kosovë me të tashmen është shumë komik, absurd dhe i paqëndrueshëm. Asokohe ishte i domosdoshëm një homogjenizim kombëtar për të përmbysur diktaturën komuniste të Beogradit zyrtar dhe për të shtrirë puhizën e demokracisë edhe në Kosovë. Nëse në mendimin e kontestuar konkurrenca e partive politike shihet si rrezik për shtetin, atëherë mund të flitet për nostalgjinë ndaj komunizmit, për përjashtimin e pluralizmit politik si tipar i demokracisë që gjeneron cilësi dhe për kthimin në monizëm! Kandidatja për kryeministre apo kandidati për kryeministër nuk kanë të drejtë ta ftojnë popullin për mobilizim edhe nëse, si thuhet, “vendi është në rrezik!” Për këtë lloj mobilizimi janë institucionet e shtetit të obliguara sipas Kushtetutës së shtetit. Pra, vetërrëfim i deficitit të kognicionit elementar të funksionimit të shtetit juridik!

Vota në sistemin demokratik nuk fitohet me lutje, por me vlera, me projekte konkrete të zhvillimit të shtetit, me zbatimin e ligjshmërisë për t’i zhdukur dukuritë kriminale etj.

Projekti i PDK-së po pritet krahëhapur e me galdim

PDK-ja është vënë e tëra në shërbim të sendërtimit të kërkesave reale të qytetarëve të Kosovës. Për ta trupëzuar këtë synim, ajo, nga ekspertë të spikatur dijesh të ndryshme të vendit e ndërkombëtarë, hartoi një projekt të gjerë, praktik e të thukët shtetëror e nacional, i cili zuri të vegojë, të parashtrohet e të demonstrohet nga lideri i partisë, zotëri Kadri Veseli në takimet me qytetarët për t’u tumirur kudo me shendim.

Projekti i ri i PDK-së, së pari, spikat paprekshmërinë e kufijve në të cilët Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht për të vazhduar më tej: sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm; respektimi absolut i Kushtetutës së Kosovës; refuzimi i prerë i tendencës së politikës serbe për të krijuar minishtet në shtet etj.

Në programin qeverisës të PDK-së vëmendje e veçantë i kushtohet zbulimit dhe luftimit të korrupsionit përmes shërbimit të quajtur antikorrupsion, i themeluar nergut ndesh kësaj dukurie në Kosovë; korrupsioni, sidomos ai i nivelit të lartë, është bërë pengesa e patejkalueshme e mosinvestimeve të huaja në Kosovë madje edhe dukuri e komprometimit të shtetit në arenën ndërkombëtare si vend ku nuk funksionon ligji, si vend ku korrupsioni është mbi ligjin. Dihet rasti i reagimit të biznesmenëve gjermanë, të cilëve u janë kërkuar tre milionë euro si kusht pararendës për të investuar në Kosovë!

Qeveria me kryeministër Kadri Veselin nuk do t’i lejojë më punësimet pa kritere ligjore dhe mbi bazën e ndërhyrjeve korruptive, politike, farefisnore, familjare, partiake etj. Ky shpërdorim eklatant ka marrë shtrirje të gjerë, sidomos vitet e fundit.

Në projektin në vështrim zhvillimi i ekonomisë me të gjitha nënfushëzat e saj është prioritet qeveritar; shteti do t’i favorizojë bizneset e ndryshme të mëdha dhe të vogla me zvogëlim tatimesh; nga investimet e jashtme e të brendshme do të hapen vende të reja pune, sidomos për të rejat e të rinjtë me kualifikimet përkatëse; do të ketë investime në modernizimin e shëndetësisë dhe do të bëhet sigurimi shëndetësor i qytetarëve; mënjanimi i ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë dhe zbatimi i përpiktë i ligjshmërisë në gjykata; ngritja e cilësisë në arsimin e të gjitha niveleve mbi bazën e kritereve të shërbimit të mbikëqyrjes profesionale e ndryshime të tjera që stimulojnë dhe avancojnë kualitetin e mësimit si p. sh. zgjedhja e drejtorëve të shkollave nga instancat profesionale të vetë shkollave që të mos ketë drejtorë të diktuar nga kryetarët e komunave sipas kriterit të përkatësisë partiake sikundër veprohet tani!

Barazia gjinore, si një kriter i BE-së, në Kosovë ende nuk është në shkallë të duhur. Ajo, sipas platformës politike të PDK-së, parashihet të ngrihet shumë më lart: femrat duhet të jenë të përfaqësuara në të gjitha institucionet dhe pozitat drejtuese madje, për të arritur kriterin e barazisë, në kushtet e barabarta të kualifikimit, duhet të kenë përparësinë e pranimit. Ligji për barazinë gjinore nuk do të jetë vetëm në letër, por do të ekzekutohet në vepër.

 Faqe e re e zhvillimit ekonomik dhe politik

Erdhi koha e ndryshimeve të mëdha në ekonominë dhe në politikën e Kosovës. Ajo (koha) do të fillojë më 7 tetor të këtij viti. Ndryshimet e mëdha, tejet të mëdha ekonomike e politike që do të ndodhin në Kosovë në favorin e qytetarëve të saj, janë përmbledhur në projektin e zbatueshëm në praktikë  të PDK-së, i cili kudo po pritet me ngazëllim nga mijëra e mijëra qytetarë. Projekti i ri i Qeverisë së re me kryeministër Kadri Veselin do të sjellë kthesa të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe të zbatimit të ligjit në të gjitha fushat e veprimtarisë sepse:

kryeministri Veseli ka përvojën e udhëheqjes shtetërore të nivelit më të lartë, e cila (përvoja) duhet të jetë kusht i pakapërcyeshëm për postet drejtuese;

ai është denjësisht i përkushtuar për funksionimin e shtetit mbi bazat ligjore dhe kundërshton të gjithë ata që pandehen si të dyshuar për shkelje ligji shpërdorimesh të ndryshme; këtë përkushtim e dëshmoi me faktin se, pa rënë Qeveria, liroi nga postet drejtuese disa zyrtarë të lartë të partisë politike që e drejton vetë (PDK), të cilët kanë aktakuza për shkelje ligji; kjo nuk ndodhi nga liderët e tjerë politikë;

është i vendosur për t’i ndjekur e për t’i mënjanuar dukuritë negative, sidomos korrupsionin e nepotizmin për të cilat dukuri Kosova ka marrë shumë kritika nga aleatët ndërkombëtarë;

përforcoi ndërlidhjen e bashkërendimit politik me ShBA-në pas reagimesh të disa zyrtarëve të lartë amerikanë për një lloj ftohjeje raportesh me Kosovën;

kërkoi që të përgjigjen para drejtësisë të gjithë ata që u morën me mashtrime e me falsifikime rreth statusit të veteranëve;

në fjalimet publike parazgjedhore është korrekt ndaj oponentëve politikë, nuk bën improvizime, fyerje e kritika ndaj kandidatëve të tjerë për kryeministër sikundër veprojnë disa liderë të tjerë, porse pasqyron planet e zhvillimit konkret të vendit madje edhe sipas afateve kohore të zbatimit të tyre;

kryeministri Kadri Veseli ka të drejtën morale, ligjore, politike etj. të merret me antikorrupsionin ngase nuk është i korruptuar etj.

Këto janë vetëm disa nga përparësitë e liderit apodiktik e persuasiv të PDK-së për kryeministër të Kosovës në krahasim me të nominuarit e tjerë për këtë post.

Kjo është në pika të shkurtra vetëm një pjesë e përmbajtjes së programit studimor të PDK-së për zhvillimin e Republikës së Kosovës, i cili (program) do të sjellë arritje të reja ekonomike e politike të funksionimit të shtetit ligjor.

Si përmbyllje e këtij vështrimi mund të thuhet: programi i ri i PDK-së, sa i pasur aq edhe motivues, nxiti e tërhoqi edhe shumë aderime të reja në PDK si: të reja e të rinj, intelektualë të formatit sipëror, specialistë dijesh të ndryshme etj. ndër të cilët edhe dr. Shqiptar Demaçin, i biri i personalitetit zulmëmadh përmasash gjithëkombëtare e ndërkombëtare, i luftëtarit shkëmb i pathyeshëm për lirinë e Kosovës- Adem Demaçit.

Shqiptar Demaçi e Andin Hoti (i biri i Ukshin Hotit) nuk e zgjodhën rastësisht PDK-në për të dhënë kontributin e tyre politik e kombëtar, porse zgjodhën partinë e dalë nga lufta çlirimtare, partinë me platformën reale të zhvillimit e të funksionimit të shtetit të mbështetur në të dhënat faktike e shkencore të ngritjes ekonomike të Kosovës, të luftimit të korrupsionit e të dukurive të tjera negative, partinë që kultivon raportet e bashkëpunimit të ngushtë në radhë të parë me ShBA-në e BE-në etj.

Nuk ka zhvillim të arsimit cilësor sepse në ballë të tij janë vënë njerëz pa kompetencë të duhur arsimore që nuk dinë të shprehen si duhet në gjuhën standarde shqipe, andaj ç’arsim cilësor mund të pritet nga të paarsimuarit, të cilët, ç’është për keqardhje, sot e drejtojnë arsimin e shtetit madje MAShT-i prin nga punësimet politike sipas kriterit partiak;

nuk ka njohje të reja të shtetit të Kosovës sepse është ngritur çështja e lëvizjes së kufijve Kosovë-Serbi, e cila me të drejtë krijoi dilema se në ç’kufij të njihet Kosova shtet; sigurisht se nuk njihet shtet nga shtetet e tjera një vend që luan me kufijtë e vet në të cilët është shpallur shtet sovran dhe është njohur nga njëqind e pesëmbëdhjetë shtete; pra, ndërprerjes së njohjeve i kanë paraprirë vetë drejtuesit e shtetit etj.

Dhe jo vetëm kaq. Pasi nuk ka përgjegjësi ligjore për veprat kriminale si rrjedhojë e mosfunksionimit të institucioneve të drejtësisë, shpërdorimet korruptive janë shtrirë edhe në veprimtari të tjera p. sh.: në gjykata, të cilat aktakuzat e ngritura nga prokurorët për veprat penale kundër zyrtarëve të lartë të shtetit, ku nga ndërhyrja e politikës e ku nga korrupsioni, i fshehin dhe i mbajnë në sirtarë me vite të tëra me qëllim që të vjetrohet lënda dhe kështu t’i shpëtohet dënimit.

Këshilli Prokurorial, ditë më parë, nuk lejoi praninë e ambasadorit britanik për të ndjekur korrektësinë e zbatueshmërisë së kritereve të zgjedhjes së kryeprokurorit special me gjithë marrëveshjen pararendëse që e kishin. Përse? Për arsye se politika e kishte paraparë se cili do të jetë ai. Pra, ai që do t’i përfillë qëndrimet e politikës!

 Korrupsioni më i fortë se ligji!

Në fushën e shëndetësisë ka disa vjet që është bërë publike dhe është dëshmuar me fakte afera e madhe korruptive e stentave nga e cila ndiqen shumë mjekë që shkelën betimin e Hipokratit dhe etikën mjekësore duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve që kërkuan ndihmën e mjekut. Ka shumë kohë që drejtësia nuk merret me këtë krim, i cili mbrohet nga korrupsioni që në Kosovë është më i fortë se ligji.

Kriminaliteti është shtrirë edhe në fushën e rendit e të sigurisë, aty nga duhet të burojë gatishmëria për të ndjekur e për të zbuluar krimin; në polici lejohet të punojnë zyrtarë policorë që ndiqen për veprat penale, të pamoralshëm dhe me aktakuza për vepra të dhunshme.

Sa ka vërtetësi në përmbajtjen e shprehjes metaforike: “Do të ndërtojmë ura edhe aty ku nuk ka lumë”, po aq janë reale edhe premtimet e disa liderëve mashtrues që i bëjnë në fjalime të ndryshme publike.

Po të mbahet parasysh përmbajtja e citatit të shkrimtarit e oratorit elitar W. v. Gëtes: “Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet”, e cila (përmbajtje) është me vlerë të përhershme, atëherë përpara strukturave intelektuale e akademike, përpara familjeve të dëshmorëve të kombit, përpara ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë dhe të Kushtetutës së shtetit etj., del si obligim i pashmangshëm moral e kombëtar që të reagohet bashkërendueshëm në variante të ndryshme demokratike kundër veprimtarive: korruptive, kriminale, anarkike, diskriminuese etj. që sot mbizotërojnë në Kosovë.

Duke iu referuar citatit të Gëtes, cilat janë të metat e popullit tonë, parë nga rrethanat e sipërthëna? Ato janë: pasiviteti, heshtja e pajtueshmëria me tatëpjetën politike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, korruptive, kriminale etj., të cilat sa vijnë e po thellohen duke e rrezikuar kështu edhe sovranitetin e shtetit. Populli ynë hëpërhë del të jetë vrojtues indiferent i deformimeve të këtilla. Ai, i manipuluar nga propaganda e interesit politik dhe e pretendimeve për pushtet të filistinëve karrieristë, nuk kundërshton politikën retrograde e stagnuese që drejtohet e ndiqet nga: narcistët e eristikët, nga rabulistët e poltronët e të tjerë të këtillë etj.

Gëte me të drejtë vuri re se nacionalistët e vërtetë vihen në shërbim të popullit për t’i mënjanuar gabimet, dështimet e të metat e tij. Në kontekstin e trajtimit tonë vlen të mbahet parasysh edhe thënia e politikanit të formatit më të lartë të demokracisë e të politikës botërore – Xhon Kenedi: “Liria pa dituri është gjithmonë në rrezik.!’’

Pragmasemantika e citatit në vështrim, shumë kontemplativ e persuasiv, është tejet e qëndrueshme në ecurinë e politikës intrinstike dhe, si rrjedhojë e kësaj, edhe e politikës ekstrinstike në Kosovë. Sepse, qeveritarëve të lartë të Kosovës u mungojnë dituria e korrektësia e drejtimit të shtetit, e qeverisjes dhe e përfaqësimit të shtetit në relacionet ndërkombëtare. Beogradi zyrtar përfitoi nga ky diletantizëm politik i pushtetarëve të Kosovës të cilët, në fillim, gabuan rëndë që pranuan hyrjen në të ashtuquajturin dialog “teknik”, por që ishte e doli dialog politik, me shtetin që nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur. Andaj, politika e Beogradit thoshte se po “bisedon shteti me provincën e vet!” Ky qe gabim i madh i udhëheqësve të lartë të Kosovës ngase vetë e degraduan shtetin. Në dialog me Beogradin Kosova u vu në pozicion inferioriteti nga deficiti i kognicionit politik të drejtuesve të shtetit. Ndonëse me vonesë, por duhet të korrigjohet ky gabim dhe të kërkohet që dialogu të zhvillohet midis dy shteteve: Kosovë-Serbi dhe jo shtet-provincë. Kjo sa i takon politikës së jashtme.

Mirëpo, në Kosovë ka edhe probleme të tjera të politikës së brendshme, të cilat nuk mund të zgjidhen nga ata që i krijuan për favore oligarkësh për t’i përforcuar pozicionet politike duke krijuar kështu situata të ndera stagnuese në fushat më të rëndësishme të veprimtarisë nga mosfunksionimi i ligjshmërisë.

Për tejkalimin e kësaj gjendjeje, imponohet ndryshimi, të cilin mund ta bëjë vetëm sovrani që është populli. Për këtë arsye është e domosdoshme që nga qarqet akademike, intelektuale, nga mediet etj. të zhvillohet veprimtari e thukët në terren me të gjitha shtresat e qytetarëve me anë të së cilës (veprimtari) do të pasqyroheshin me fakte gabimet, dështimet, keqpërdorimet, aferat korruptive dhe pasuritë enorme të paligjshme të qeveritarëve të lartë të shtetit, sidomos të dhjetë viteve të fundit, të cilat janë bërë tema delikate trajtimi kritik edhe në nivelin ndërkombëtar si p. sh. pensionet e veteranëve mashtrues e falsifikues që u miratuan nga Komisioni qeveritar, nga eprorë ushtarakë etj.

 Mashtruesit e shtetit mbrohen nga qeveritarët e lartë

Ky status (i veteranit) u ble nga dy mijë e tre mijë euro me anë të nënshkrimeve fals të ushtarakëve, të ministrave etj. dhe tani veteranët mashtrues që i kushtojnë shtetit me miliona euro në vit, mbrohen nga qeveritarët e lartë sepse janë pjesëmarrës në mashtrim të shtetit dhe për këtë janë paguar mirë! Pra, Qeveria qendrore i mbështet veprat penale! Skandal i paprecedent!

Për këtë skandal të drejtësisë, që tumiret nga qeveritarët, ditë më parë, pati kritika të themelta edhe nga ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, të cilat (kritika) u përsëritën edhe nga diplomatë të tjerë, por, diplomati i shtetit mik, për kritikat e bëra, u kërcënua me dëbim nga vendi nga një ministër! Kjo do të thotë se ministri nuk do ligjshmëri, por anarki dhe kështu e mbron korrupsionin! Me të gjitha këto veprimtari kriminale duhet të njoftohen qytetarët dhe të veprohet që, në forma të ndryshme e të organizuara mirë, të ngrihet kultura politike, demokratike,  qytetare, kushtetuese etj. e sovranit që në zgjedhjet e ardhme të mos votohen më:

ata, të cilët ose ato, të cilat i kërcënojnë edhe diplomatët e shteteve mike me largim nga vendi vetëm se e thonë të vërtetën rreth aferave të mëdha korruptive siç është rasti i veteranëve manipulues në të cilin morën pjese edhe qeveritarë të lartë të shtetit, deputetë e ndërmjetës të tjerë; ata, të cilët, posa erdhën në qeverisje, ia shtuan pagat vetes 100 %;  ata, të cilët paradite detyrohen të shkojnë në gjykata si të akuzuar për vepra penale, kurse pasdite shkojnë në kabinetet qeveritare dhe dalin në terren për t’iu folur qytetarëve për zbatimin e ligjshmërisë dhe për zhvillimin e shtetit; ata, të cilët ose ato, të cilat e shitën votën për t’i bërë numrat e votimit të Qeverisë në Parlament dhe që asnjëherë nuk diskutojnë për t’i parashtruar problemet e jetës së qytetarëve që i përfaqësojnë në Kuvend, d. m. th. janë plotësisht indiferentë ndaj çështjeve relevante sociale, nacionale, shtetërore, ndërkombëtare etj.; ata, të cilët ose ato, të cilat, edhe po të duan, nuk dinë të diskutojnë sepse u mungon kultura (kupto njohuritë) elementare nga retorika dhe gjuha standarde shqipe, d. m. th. nuk janë kultivues të vlerave kombëtare nga të cilat, kryesorja është gjuha standarde etj. M. F. Kuintiliani, edukatori dhe oratori virtuoz, për fjalimin publik, shkroi: “Fjalimi bazohet në ligjet e gjuhës”. Më se e vërtetë.

Se gjuha standarde e një kombi, në përdorimin zyrtar, duhet të mbrohet me ligj siç veprohet në disa shtete, dëshmohet edhe nga mendimi i filozofit të shquar gjerman J. Habermas: “Gjuha nuk është pronë private”. Ajo është vlera më e lartë kombëtare.

Vetëm kështu, pra duke mos i votuar më ata, të cilët dhe ato, të cilat i hyjnizojnë me lëvdata larot e hipokritët që, për favoret e tyre materiale e politike, e shpurën shtetin në humnerë, porse duke i votuar ata që nuk kanë akuza për veprat penale dhe që kanë zotësi për t’i përfaqësuar e arsyetuar kërkesat e drejta të qytetarëve, mund të shënohet ndryshimi: ligji mbi të gjitha e për të gjithë dhe zhvillimi i ekonomisë së shtetit.

Retorika politike në Kosovë është në shkallë shumë të ulët sa u takon përbërësve të ndërtimit të saj. Po qe se ndiqen fjalimet politike të liderëve partiakë, të ministrave, të deputetëve etj. do të mund të vihet re mungesa e madhe, shumë e madhe e formimit retorik. Prandaj, mund të thuhet me të drejtë se ata (liderë, deputetë, ministra etj.) gabimisht kanë hyrë në politikë sepse nuk kanë përgatitje as teorike, as praktike nga retorika politike, as nga politolinguistika, as nga shkencat e tjera të komunikimit. Kanë hyrë në politikë jo se kanë themel përgatitjeje për të dhënë kontribut në këtë fushë të rëndësishme të veprimtarisë publike, porse kanë hyrë nga fakti për të arritur ndonjë përfitim ose poste të larta politike, nga fakti se politikën e shohin si biznes pasurimi e shpërdorimi!

Dituria nga retorika politike është mjeti kryesor i zhvillimit të veprimtarisë së oratorit pa të cilin (mjet) nuk mund të jetë efektiv në rolin e politikanit të suksesshëm. Pasi është kështu, pra, pasi shumë politikanëve u mungon ky mjet (kultura retorike), është plotësisht e qartë se nuk mund ta kryejnë si duhet obligimin ndaj qytetarëve, ndaj votuesve e ndaj institucioneve të shtetit sepse nuk dinë ta shprehin në fjalim, në diskutim, në debat e forma të tjera të komunikimit publik as atë që e mendojnë. Prandaj s’është habi që politikanët e këtillë, pa njohuri retorike, ndjekin dy rrugë: 1. kush të përpiqet të flasë e të bjerë komik në publik nga deficiti retorik dhe të kalojë në grindje e fyerje vulgare sepse është shumë i varfër sa i takon leksikologjisë së fjalorit politik; i kufizuar ngushtë sa u takon dijeve të tjera të shkencave të komunikimit; 2. kush të heshtë, vetëm të dëgjojë sepse detyrohet të jetë pasiv nga mungesa e forcës së fjalës dhe kulturës gjuhësore për ta shtënë atë (fjalën) në funksion tekstëzimi të komunikimit të fjalimit publik. Fjala e përkorë është forcë e politikës-shkroi një dijetar!

Përkitazi me këtë, prof. dr. Arshi Pipa me shumë arsye kishte shkruar: “Gjuha asht mjeti i shprehjes. Po të mos jetë mjeti i përsosun, asht e dijtun, vepra nuk del e mirë. Qysh mund të dali e bukur një shtatore kur dalta asht e paprehun”. (Arshi Pipa, Kritika, Tiranë, 2006, f. 35). Me metafora të ekspresivitetit të lartë Pipa shpreh rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka gjuha (dalta) për të ndërtuar tekstin (shtatoren).

Mirëpo, për zyrtarët e lartë të shtetit, të qenët pasiv në detyrën e besuar, nuk është shumë e rëndësishme. Relevante është të merret paga dhe të mos punohet!

Oratorët e kësaj kategorie, duke mos pasur fond të mjaftueshëm fjalësh në ndërdije për të ndërtuar e modifikuar tekstin e fjalimit të mendimit politik, kalojnë në frazim, në gërnja e në konstatime fiktive, në sharje e madje edhe në sulme fizike ndaj njëri-tjetrit!

Është e kuptueshme se kudo ka njerëz mentalisht të sëmurë që mbahen nën mbikëqyrje shëruese psikiatrike, porse nuk është e kuptueshme të futen në lista votimi as të votohen kandidatët e këtij tipi. Habi e madhe! Shumë e madhe. Kur të mbahen parasysh këto raste, del në dritë fakti i rëndësishëm me të cilin duhet të merren strukturat drejtuese partiake, mediet, analistët dhe instancat e tjera; ai fakt është: ndikimi dhe edukimi etik e vlerësues i votuesve për t’i votuar më të mirët, për të vlerësuar e analizuar se cili ka përgatitjen e duhur për të dhënë kontributin më të çmueshëm në zhvillimin e avancimin e proceseve të zhvillimit ekonomik e politik në favorin e përforcimit të institucioneve të shtetit të Kosovës. Ky edukim do të përforcohej edhe nga kriteri i përzgjedhjes së kandidatëve për t’i futur në listat e votimit të partive politike. KQZ-ja, tok me instanca të tjera, duhet ta shtrijë veprimin në forma të ndryshme edhe në terren për t’i orientuar e mësuar votuesit për anën teknike të votimit nga fakti se në zgjedhjet parlamentare të njëmbëdhjetë qershorit 2017 pati me mijëra fletëvotime të pavlefshme.

Votimi, obligim kushtetues

Votimi është obligim ligjor, është obligim kushtetues, demokratik, etik dhe shtetëror. Ai është akt vendimtar për të formuar institucione legjitime që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve për ta drejtuar dhe për ta zhvilluar shtetin me arritje risimtare. Pikërisht për këtë arsye në shtetet më të zhvilluara dhe me demokraci të mirëfilltë, këtij procesi (votimit) i kushtohet vëmendje e posaçme nga institucionet përkatëse, por edhe nga qytetarët dhe zyrtarët kompetentë të vendit.

Vendin parësor në garën parazgjedhore e zgjedhore të shteteve me traditë të gjatë demokratike e zënë temat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të shtetit, me projekte të realizueshme që të ngrihet standardi i jetës së qytetarëve, që të hapen vende të reja të punës etj.

Në Kosovë shumë pak ndiqet kjo ecuri. Në fjalimet e disa liderëve të partive politike mbizotërojnë akuzat, shpeshherë edhe të trilluara, të votohet lideri dhe partia politike që dëshmuan me shembuj. Por, në Kosovë, në fushatën parazgjedhore, sikundër mund të shihet nga praktika, vendin qendror në fjalimet e disa liderëve dhe të poltronëve të tyre nuk e kanë projektet me interes për mirëqenien e qytetarëve, porse mbizotëron propaganda me premtimet shterpë, me akuzat dhe etiketimet për oponentët politikë, shpeshherë edhe me shpifje e trillime të ndryshme, me fjalime panegjirikë që u referohen liderëve të partive politike edhe pse pa ndonjë meritë avancimesh të reja etj. Kjo veprimtari quhet demagogji. Por, dështimet dhe shpërdorimet e mëdha të qeveritarëve nuk duhet t’i harrojnë qytetarët që po i pësojnë rrjedhojat stagnuese dhe reflekset e tyre në varfërinë gjithnjë e më të madhe të jetës së tyre. Në shtetet me demokraci të zhvilluar dhe të stabilizuar, shpagimi i dukurive të këtilla antiligjore, sanksionohet edhe me votat e qytetarëve. Tani është koha që kështu të veprohet edhe në Kosovë.

Votimi nuk është veprim i lehtë. Ai kërkon njohje, meditim, analiza dhe vlerësim; ai kërkon angazhim të thukët për të gjitha shtresat e shoqërisë në mënyrë që të ngrihet kultura demokratike, e cila do të zhvillonte vetëdijen se duhet të çmohet dhe të votohet vlera, të votohet flijimi e kontributi për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për shtetin sovran etj.

Shteti duhet të vihet mbi interesin privat të secilit. Ky është kriter i demokracisë, përfillja e të cilit nuk do të lejonte që të vërshojnë shpërdorimet e ndryshme dhe veprimet anarkike; për këtë është më se i mbëhishëm edukimi demokratik që të mos gjejnë terren shtrirjeje dukuritë negative si: korrupsioni, nepotizmi, antivlera, interesi, përfitimi personal etj. Dhe, përderisa nuk luftohen këto dukuri, s’është habi që në institucionet e larta të shtetit do të emërohen njerëz të paaftë, se do të propozohen e do të votohen për deputetë njerëz që nuk dinë të flasin as të shkruajnë si duhet në gjuhën amtare madje kanë vështirësi të mëdha për ta gjuhëzuar mendimin, se votohen njerëz me të kaluar të dyshimtë politike, se lejohet e mundësohet të futen në politikë njerëz pa kapital elementar politik, etik retorik, sociokulturor, demokratik etj.

Dhe, qytetari ynë i voton njerëzit e këtillë sepse voton sipas sugjerimeve të të tjerëve, voton pa e ditur rëndësinë e votimit dhe pa e vlerësuar kandidatin; për ta votuar dikë, duhet ta vlerësosh lart të kaluarën dhe të sotmen e tij, biografinë dhe kontributin e deritashëm të tij etj. Vota duhet të jetë autonome, e lirë dhe pa ndërhyrje. Kjo është e drejtë ligjore. Kjo duhet t’u bëhet e qartë të gjithë qytetarëve.

Fjalimet në tubimet parazgjedhore duhet të karakterizohen nga retorika pozitive, nga respekti reciprok i liderëve politikë, nga fjalori selektiv, kulturor, estetik dhe etik. Ato duhet të jenë në përpjesëtim me realitetin e të zbatueshme në praktikë dhe jo premtime utopike e iluzore, romantike e euforike hiperbolash manipuluese.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina po synon të paraqitet dhe të shënojë fitore…