Peci intervistohet si i dyshuar, Gërvalla sulmon Prokurorinë: Inskenim i shëmtuar nga Isufaj

27 maj 2025 | 18:54

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka reaguar me tone të ashpra pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale që përfshiu ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla e cilësoi ndërhyrjen si një “inskenim të gërditshëm” të udhëhequr nga prokurori Blerim Isufaj. Ajo e mbrojti fuqishëm ministrin Peci, të cilin e quajti “ministrin më shembullor të këtij mandati”.

Sipas saj, veprimi i Prokurorisë nuk është asgjë më shumë se një “hakmarrje e shëmtuar” ndaj angazhimit të ministrit Peci në luftën kundër korrupsionit.

“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë,” shkroi Gërvalla në reagimin e saj.

Ajo përfundon me një mesazh: “Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë.”

Theksojmë se Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Aksioni u ndërmor lidhur me dyshimet që kanë të bëjnë me një fabrikë për mbetjet shtazore. Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira për 20 vjet impiantin publik për mbetjet shtazore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, ka thënë se…