Pëfundon bastisja në Ministrinë e Bujqësisë, konfiskohen dokumente

27 maj 2025 | 14:08

Policia e Kosovës ka përfunduar aksionin e saj në Ministrinë e Bujqësisë, ku u zhvilluan bastisje mbi dyshimet për fabrikën për mbetjet shtazore.

Gjatë bastisjes, janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme dokumentesh, të cilat pritet të analizohen për prova lidhur me procedurat e dyshuara të keqpërdorimit të fondeve publike.

Policia e Kosovës më herët ka konfirmuar aksionin e saj në Ministrinë e Bujqësisë ku po zhvillohen bastisje mbi dyshimet për fabrikën për mbetjet shtazore.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai shtoi se pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë.

Po ashtu, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, i tha Gazetës Express se për detajet e këtij aksioni do të njoftohet më pas.

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, tha ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas dështimit të 22 më…