Për hajr Bajramin!

20 korrik 2021 | 06:50

Kryeministri Albin Kurti ka uruar lumturi e gëzim në festën e Kurban Bajramit.

“Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se është viti i dytë që këtë festë e kalojmë në kushtet e një rreziku global prej pandemisë, gjë që, sipas tij, ka pamundësuar edhe pelegrinazhin e haxhit, për shkak të masave shëndetësore të marra nga Arabia Saudite.

“Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet. Edhe një herë ju uroj, juve e familjeve tuaja. Për hajr Bajramin!”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar festën…