
Për Lushnjën dhe krijuesit e saj
Agim Vinca
(Pas një vizite në qytetin e Vaçes, Vathit, Faslliut, Visarit…)
Kur më erdhi ftesa për të qenë pjesë e Jurisë për vlerësimin e punimeve të arritura në Konkursin letrar të krijuesve lushnjarë, pranova pa hezitim, sepse vinte nga Lushnja, nga ky qytet me traditë të pasur letrare, kulturore dhe historike.
Kam qenë në këtë qytet për herë të parë në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, si pedagog i ri i Universitetit të Prishtinës, bashkë me kolegë të tjerë, dhe vij këtu, në një moshë tjetër për mua dhe në një kontekst tjetër politik, shoqëror e kulturor për Lushnjën dhe për gjithë Shqipërinë.
Vij në qytetin e Kongresit Kombëtar të vitit 1920, ngjarje me rëndësi historike për shtetin dhe kombin shqiptar.
Kongresi i Lushnjës, i mbajtur njëqind e pesë vjet më parë, luajti rol vendimtar në konsolidimin e shtetit shqiptar pas katrahurës së Luftërave Ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore. Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 1912, por rimëkëmbja e Shqipërisë si shtet filloi më 1920. Kongresi i Lushnjës, i mbajtur në zemër të Myzeqesë, mbrojti tërësinë territoriale të Shqipërisë së ’13-s, vendosi rendin në vend dhe caktoi Tiranën kryeqytet.
Vij këtu për respekt ndaj krijuesve lushnjarë, disa prej të cilëve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë miq të mi.
Në këtë qytet lindi diva e muzikës shqiptare, e madhja Vaçe Zela. Me këngët e saj janë rritur breza të tërë artdashësish jo vetëm brenda kufijve politikë të Shqipërisë, por edhe në viset shqiptare të mbetura padrejtësisht jashtë “shtetit amë”, Shqipërisë londineze. E pata vizituar në vitin 2005 në Bazel të Zvicrës, ku i kaloi vitet e fundit të jetës. Ia dhurova librin tim me poezi “Kohë e keqe për lirikën” dhe një tufë lule. Kërkoi t’ia lexoja përkushtimin. Kur ia lexova u prek, më përqafoi dhe qau. Ndenjëm një kohë të gjatë në tarracën me lule, për të cilën kujdesej vetë Vaçja, sepse pasioni për këngën i kishte kaluar te pasioni për lulet… Unë isha me mikun tim Naim Kryeziu, përkthyes i njohur, që më shoqëronte, ndërsa Vaçja me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqin (një burrë zotni, shkodran) dhe të bijën, Irmën, e cila na shërbente me kafe e pije freskuese.
Me t’u kthyer në Prishtinë, shkova në Ministrinë e Kulturës dhe kërkova që t’i bënin një ftesë Vaçe Zelës, e cila kishte qenë vetëm një herë në Kosovë, në vitin 1980, me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve. Ua dhashë adresën e krejt çka duhej tjetër dhe prita gjashtë muaj, në mos më shumë, por Ministria e Kulturës nuk bëri asgjë. Në shenjë revolte bëra një shkrim, në të cilin kritikoja jeniçerllëkun e zyrtarëve të MKRSÇJ-së, si quhej atëherë Ministira e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente e Kosovës, me në krye ministrin me vath në vesh. Shkrimi me titull “Një ftesë për Vaçen” u botua në shtypin e Prishtinës dhe të Tiranës. (Tani, pas kaq vitesh, puna e parë që bëra pas arritjes në Lushnjë, ishte “vizita” te monumenti i Vaçes në qendër të qytetit, ku ish-studenti im, Fitimi, tani “doktor në letërsi”, më bëri disa fotografi).
Nga Lushnja është edhe primadona e teatrit dhe filmit shqiptar, aktorja Margarita Xhepa, e cila kohë më parë u nda nga jeta. Aktive gjatë gjithë jetës dhe e pranishme në tërë hapësirën shqiptare, Margarita ishte vizitore e shpeshtë në viset shqiptare në Maqedoni dhe sidomos në Strugë, ku qe nderuar me titullin “qytetare nderi” nga kryetari i komunës. Ndër rolet e saj të shumta, nuk mund të mos e kujtosh atë të pianistes në filmin “Koncert në vitin 1936”, që flet për koncertin e këngëtares Tefta Tashko para publikut lushnjar të kohës së monarkisë.
Lushnja ka dhënë shkrimtarë të shquar, si poeti Faslli Haliti dhe prozatori Vath Koreshi. Faslliu, që nga libri i tij i parë, “Sot” (1969), i vlerësuar qysh në dalje nga Kadareja, mbante qëndrim kritik ndaj dukurive negative në shoqëri. Ende kujtohet ajo vjersha e tij e hershme mbi njeriun që pret të fryjë era që t’i shihet koburja. (Edhe në fshatin tim kishte njerëz të tillë, komunistë primitivë e fodullë, që të vetmen “vlerë” kishin armën në brez dhe parullat në buzë). Edhe në krijimtarinë e periudhës postkomuniste, trajtoi me sens kritik temat e tranzicionit shqiptar, duke shkruar shkurt e qartë. Në vëllimin “Mbrapsht”, dhuruar nga vetë autori, pas leximit kam bërë këtë shënim: “Poet që spikat me sensin e tij kritik, me poezi lakonike, tip epigramesh, me fabula të gjetura në mënyrë origjinale; që stigmatizon pa mëshirë korrupsionin, makutërinë, vanitetin, dyfytyrësinë. Krahas kësaj poezie të ashpër e therëse, në libër ka edhe lirika të dashurisë dhe të dhimbjes për rininë e humbur”. Dhe ja një poezi e shkruar në vitin 1992: “Si je shoku Faslli?/ S’jam shoku!/ Si je zoti Faslli?/ S’jam zoti!/ Si je i nderuar Faslli?/ S’jam i nderuar!/ Ç’je atëhere?/ Një i vdekshëm që pret të vdesë me nder!”. Faslli Haliti mbylli sytë përgjithmonë në Tiranë, më 20 tetor 2020. (Rrugën e tij e vazhdon i biri, piktori i talentuar Helidon Haliti).
Bashkëqytetari dhe bashkëmoshatari i Faslli Halitit, Vath Koreshi, të cilin si njeri e kam njohur në vitet ’90, sikurse edhe Faslliun, është autor i shumë veprave në prozë, tregime, novela e romane, si dhe i skenareve për filma artistikë, ndër të cilët edhe i filmit “Gjeneral Gramafoni” me protagonist klarinetistin virtuoz, të paharrueshmin Halit Berati. Nga opusi i gjerë krijues i Vath Koreshit veçojmë romanin “Ulku dhe Uilli” (1996), që kritika letrare e ka quajtur me termin zhënetian “palimpsest”. Është një nga veprat më të mira të autorit dhe një nga romanet më të veçantë të letërsisë shqipe. Nëpërmjet një prosedeu postmodern, që konsiston në gërshetimin e rrëfimit të autorit me tekstet liturgjike, shkrimtari zbulon dualizmin e shpirtit njerëzor. Dy protagonistët e veprës, famullitarë të një kishe mesjetare shqiptare, monshinjur Agushtini dhe monshinjur Bdeku, edhe pse vëllezër, janë diametralisht të kundërt për nga karakteri: njëri personifikon idealistin, tjetri pragmatistin ose, siç shënjon autori që në titull, njëri është “ujk”, tjetri “yll”. (Nga ky aspekt ky roman ta kujton tregimin e hershëm të Hivzi Sulejmanit, “Mjegulla”). Gjuha e pasur me fjalë e shprehje të shqipes arkaike, e plazmuar mjeshtërisht në strukturën e veprës dhe stili konciz, me tharm biblik, e radhisin Vath Koreshin në kategorinë e shkrimtarëve me kërkesa të larta estetike dhe me rrezatime të gjera kuptimore. Vathi është, me një fjalë, shkrimtar elitar.
Të dy këta shkrimtarë, Vath Koreshi dhe Faslli Haliti meritojnë të kenë rrugë me emrat e tyre në këtë qytet (nëse nuk kanë), e madje edhe nga një bust, sepse mjedisi që nderon krijuesit e dalë nga gjiri i tij tregon emancipimin e vet.
Edhe miku im i shtrenjtë, poeti Visar Zhiti, lidhet me këtë qytet. Edhe pse i lindur në Durrës, fëmijërinë dhe rininë e kaloi në Lushnjë (një pjesë edhe në burg), ku edhe e filloi krijimtarinë si një poet lirik, që provonte të shkruante jashtë skemave të kohës. Kjo bëri që ai të binte në burg. “Më kishin arrestuar për një libër që, besoj, ishte më se modest”, rrëfen poeti dhe shton se poezia qe prostituta që e tradhtoi, por edhe Virgjëresha që e shpëtoi (parafrazim i lirë). Kur u arrestua (u dënua me dhjetë vjet burg, prej të cilave i mbajti shtatë) ishte mësues në Kukës. Pas daljes nga burgu (1986), punoi si punëtor fizik në fabrikën e tullave në Lushnjë. (Miku i tij, Bujar Xhaferri, thotë se ai ishte i vetmi që rrinte me Visarin në atë kohë). I biri i aktorit Hekuran Zhiti, i cili gjatë Luftës Antifashiste shkroi një poemë për pajtimin kombëtar (Përqafimi i dy kundërshtarëve), Visari si njeri dhe shkrimtar nuk dha kurrë mesazhe revanshi e urrejtjeje, por dashurie dhe paqeje. Jam i lumtur që ndër të parët kam shkruar për poezinë e Visarit, qysh në vitet 1993-94, kur dolën në dritë dy librat e tij të parë: “Kujtesa e ajrit” dhe “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, prej të cilëve i dyti është një libër i jashtëzakonshëm, si për nga përmbajtja, ashtu edhe në planin artistik dhe gjuhësor. Autor edhe i shumë veprave në prozë, veçanërisht nga ato të zhanrit “burgologji”, Visar Zhiti është një nga visaret e letërsisë shqipe.
Brezit të Visarit i takojnë edhe Bujar Xhaferri dhe Fatbardh Rustemi (alias Amursi), që të dy poetë, por edhe prozatorë e publicistë të talentuar e me kulturë. Fatbardhi, autor edhe i një libri për Kadarenë, tani jeton në Amerikë, kurse Bujari, si shumica e shkrimtarëve të gjallë shqiptarë, në Tiranë.
Por është një krijues që vazhdon të jetojë e krijojë në Lushnjë, një poet i veçantë, të cilin unë e dua dhe e pëlqej për lirizmin, konkretësinë dhe humorin e tij brilant. Ky është Sherif Bali, autori i përmbledhjeve “Koncert sipas kërkesave të dëgjuesve”, “Hënë, përkthema këtë libër në qiell”, “Autoportreti im në pjepër” etj., që sjell në poezinë shqipe përmbajtje dhe motive autentike, myzeqare, por edhe kombëtare e universale. (Ia kam lexuar librat që më kanë rënë në dorë dhe e kam takuar në Prishtinë vite më parë Sherif Balin, kurse ai erdhi të më takonte posa mori vesh se jam në Lushnjë). Është një autor që meriton më shumë vëmendje dhe një zë që e vlen të dëgjohet në “koncertin” shumë herë kakofonik të kohës sonë.
Në drekë ra fjala te Kapllani Resuli, i cili ka jetuar një kohë në Lushnjë, ku ka punuar si mësues. (Bujarit i ka dhënë mësim në klasë të gjashtë, si thotë, dhe ka dobësi për të). U flas për degradimin e tij moral e intelektual pas daljes nga burgu dhe pas azilit në Zvicër. Autori i romanit “Tradhtia”, të vetmes vepër që vlen diçka, nëse ai është vërtet autor i saj, e mohoi përkatësinë e vet kombëtare (“Jam malazias i besimit mysliman”), mohoi origjinën ilire të shqiptarëve, mbështeti regjimin e Millosheviqit në kulmin e terrorit serb në Kosovë, duke thënë se shqiptarët e Kosovës “i kanë të gjitha të drejtat”, por “nuk duan t’i shfrytëzojnë”; shkroi një paçavure kundër Kadaresë, ku thoshte se “vepra e tij ishte më e rëndësishme se vepra e Kadaresë”; mohoi gjuhën letrare shqipe me mëtimin qesharak se ai duhej të ishte krijues i shqipes letrare etj. etj. Në ndarje nga ekipi i TV Beogradit, që shkoi ta intervistonte në vitin 1995, në stacionin e trenit në Gjenevë shqiptoi në serbisht fjalët: “Ma përqafoni Beogradin!”, duke hapur krahët pash më pash. E ndërroi emrin, në fillim nga Resuli në Resulbegoviq, pastaj në Buroviq dhe doli me “tezën” se origjina e tij rridhte nga Njegoshi! “Ka vuajtur shumë”, thotë ish-nxënësi i tij. “Kanë vuajtur edhe të tjerë, por kjo nuk mund të jetë arsyetim për veprime si këto”, them unë. Bujari prapë përmend vuajtjet dhe burgun. Fatbardhi, ndryshe nga ai, evokon një ngjarje që tregon fytyrën e vërtetë të Kapllan Resulit. Kur u diskutua libri me poezi i Faslli Halitit në vitin 1969, thotë Bardhi, Kapllani e mori fjalën, u ngrit në këmbë, e ngriti librin lart dhe tha: “Ky është një libër reaksionar!”. Pas kësaj pasoi masa e “riedukimit” shumëvjeçar të Faslliut.
Nga një ese e shkurtër e Amursit me titull “Zemërimi është ndjenjë, inati patologji”, po shkëpus një paragraf. “Kur njerëzit e edukuar kanë kurajo pa patur drejtësi, ata bëhen rebelë. Kur njerëzit e vegjël kanë kurajo pa patur drejtësi, ata bëhen banditë (Konfuçi). Rebelë dhe banditë të armatosur me inat, që ‘kanë kurajo pa patur drejtësi’ i sheh të bëjnë eksperimentin apo të ushtrojnë dhunë psikologjike gjithandej, pavarësisht se një derr me zile duket mjeran para dashit me këmborë”.
Në konkursin anonim letrar “Ngjyra në fjalë” me çmim të parë u nderua poezia “Mes tokës dhe qiellit”. Është një poezi e organizuar mirë, me një mesazh universal, ku subjekti lirik artikulon dilemat e veta ekzistenciale në formë paradoksale. Autore e saj është një vajzë e re, njëzet e sa vjeçare, e cila e prezanton me dinjitet brezin e ri të krijuesve lushnjarë.
Tradita vazhdon.
(Lushnjë, 24 maj 2025)
Edlira Gorreja
MES TOKËS DHE QIELLIT
Midis tokës dhe qiellit lindem unë
dhe e vërteta ime
e shkruar në hieroglife piramidash dhe lapidare
me ëndrra prej balte dhe me plot gabime …
në një vallëzim planetësh pa nisje dhe pa ndalje,
një pikë uji në univers pa fund, por me ego të madhe.
Midis tokës dhe qiellit frymoj unë dhe një mijë dilema
duke ngritur avione… duke marrë trena
në një fushëbetejë me ardhje dhe me ikje
shtegtar i viseve të ngrohta…
krahë… trup dhe gjoks
i mbushur plot me pritje…
Midis tokës dhe qiellit kotitem unë
duke ndarë kufij, duke valvitur flamuj …
duke ngritur një urë me harqe dhe me drita,
me dashuri të mrrolura, me inate të kripura…
… në një lojë luftërash i zhbërë nga një pikëpyetje
i prerë gjer në kërthizë… fitues dhe në humbje.
Midis tokës dhe qiellit nënshkruaj po unë
një paqe të nëmur, diktuar me forcë dhe me dhunë…
me fije të padukshme, lidhur fatin me ngjyrën e lëkurës
i ikur prej vetes, i mbytur prej zhurmës,
në një rrotullim pas rrotullimi, ngecur rreth njëri-tjetrit
në bark të sheshtë ngjizur jetën në tokë dorëzoj të vdekurit.
Midis tokës dhe qiellit endem unë
me ëndrra, shpresë dhe dëshira shumë,
duke prishur një pakt të bërë me veten
duke u grindur me Zotin që fshehur më mban të vërtetën
në një endje të gjatë pa fund dhe pa fillim
me mollën e Adamit në fyt… me gurin e Sizifit mbi shpinë.
Poezia që fitoi çmimin e parë në konkursin letrar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Lushnjës.