PËR TYTAT E NXEHTA NË DY KOHË

10 gusht 2025 | 22:27

Isuf Sherifi

1.
10 GUSHT 1998 – në përleshje të përgjakshme me forcat pushtuese serbe, bien heroikisht në altarin e lirisë, TRE luftëtarë të lirisë – Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca. Ata ranë për një të ardhme më të drejtë, më të mirë dhe më njerëzore.

Respekti dhe Lavdia ju takon Atyre përjetësisht.

Dhe tani më falni për tekstin që do të vazhdoj tutje. Por thellë në vetvete jam i bindur, që dëshmorët do ta kishin thënë të njejtën!

2.
10 GUSHT 2025 – 27 vite më vonë, në qytetin e Gjilanit, disa dhjetëra kilometra larg nga Kaçaniku, vriten tre shqiptarë nga dora e kapësve të shtetit, drejtësisë dhe “normalitetit.”

O shqiptarë, o shtet, o pushtet!
O pushtetarë, o shtetas, o njerëz!
A po e shihni se ç’gjendje terrori e dhune ka kapluar vendin për të cilin u flijuan dëshmorët tanë?

Folni tash?

Nën sqetullat e kujt paskan “gjetur strehë,” qenka zhvilluar dhe rritur krimi e kriminelët e tillë?

Imazhet që po dalin në shesh, do të duhej të shkundnin nga letargjia e lumturisë së rrejshme secilin qytetar të Kosovës.

E tash?
A ka emër krimi?

Siç po duket jo vetëm që ka emër, por ka edhe mbiemër!

A mund të themi kështu?
Natyrisht që “nuk mund të thuhet bash krejt kështu”…

Por unë e di – ti do të thoje!
Edhe më tepër se kaq do të thoje!

Shtojcë:
Ne një qytet tjetër shqiptar, jo edhe aq larg nga Kaçaniku, ndodhi po sot – në pikë të ditës – një tjetër ngjarje e rëndë: një vrasje dhe pesë të plagosur, si rezultat i një shkëmbimi armësh.

Familjarëve të viktimave – ngushëllimet më të sinqerta.
Në këto momente të rënda, APELOJ për durim dhe pajtim ndërshqiptar.

Le ta kujtojmë se gjuha e urrejtjes nuk sjell të mira, sjell edhe më shumë urrejtje dhe fatkeqësi.

Aty ku ka padrejtësi e urrejtje, tytat fatkeqësisht rrijnë vetëm të nxehta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë publike…