Për UÇK-në dhe shtetin

06 gusht 2025 | 12:06

Shkruan: Eliza Krasniqi

Nuk themi asgjë të re për historinë kur rivëmë në spikamë përpjekjet e pandërprera të Serbisë për të parandaluar, minuar dhe, si qëllim final, për ta zhbërë çdo entitet politik shqiptar në Ballkan apo qoftë edhe çdo avancim të të drejtave të tyre kombëtare në kohë dhe rrethana të ndryshme.

Nëse kthehemi prapa, këto pretendime dhe angazhime konkrete serbe i gjejmë në raport me Shqipërinë, që nga 1913 e këtej dhe, paralelisht, por shumë më egërsisht, në raport me Kosovën, në çdo etapë të zhvillimit historik të saj.

Kur nuk kishte arritur ta parandalojë avancimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, si në aspektin e vetëdijes dhe të drejtave kombëtare, ashtu edhe të statusit politik, juridik e arsimor të tyre, politika shoviniste e Beogradit kishte hartuar plane konkrete për ta përmbysur secilën prej këtyre arritjeve.

Është i njohur i ashtuquajturi Libri i Kaltër, një analizë dhe manual i brendshëm strategjik i elitave politike e akademike serbe në vitet ’70 të shekullit XX, për të alarmuar mbi “rrezikun shqiptar” dhe për ta zhbërë autonominë e Kosovës.

Ky projeksion shovinist serb u realizua dhunshëm në fund të viteve ’80 dhe fillimvitet ’90 nga Sllobodan Millosheviqi, por u përmbys drastikisht në vitin 1999 me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fushatën bombarduese të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe largimin e Serbisë nga territori i saj.

Deri në vitin 2008, për shkak të njollës që i vuri vetes, si shtet gjenocidal, me krimet çnjerëzore në Bosnjë dhe Kosovë, Serbia ishte mjaft e hendikepuar ndërkombëtarisht për ta luftuar procesin e pavarësimit të Kosovës. Pasi nuk arriti ta pengojë këtë akt sublim të popullit të Kosovës, filloi përpjekjet konkrete për ta luftuar atë në dy drejtime: në aspektin juridik, nëpërmjet kontestimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe tendencës për komprometim ndërkombëtar, nëpërmjet fabrikimit të akuzave për, gjoja, krime nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi civilët serbë, duke i ngarkuar ish-krerët e saj, njëkohësisht bartësit kryesorë të procesit të pavarësisë së Kosovës.

Përderisa veprimi i parë ishte autogol i shpejtë për Beogradin, duke marrë epilogun brenda pak vitesh nga GjND, me konstatimin se pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare, ndërmarrja e dytë, shumë më e sofistikuar, vazhdon të rëndojë ende mbi Kosovën.

Pavarësisht që akuza morbide për “trafikim organesh” u eliminua që në fillim të paraqitjes së aktakuzës në Gjykatën Speciale në Hagë, shumë fabrikime të tjera serbe vazhdojnë të zënë vend në seancat gjyqësore të Speciales. Dëshmi e kësaj është edhe pranimi së fundi i shumë “provave” të prodhuara nga Serbia kundër krerëve të UÇK-së.

Vlerësimet e njohësve të proceseve të tilla gjyqësore mbi devijimet serioze që kanë përcjellë këtë proces, kanë shtyrë thirrjen e një proteste gjithëpopullore për datën 7 gusht, me kërkesën për drejtësi.

Tashmë është e qartë se çdo vendimmarrje që do të linte udhëheqësit e UÇK-së fajtorë për veprat e pretenduara, do të ishte një gur i rëndë për shtetin e Kosovës dhe do të kompromitonte në masë të madhe projektin e pavarësisë, të realizuar me mbështetjen e botës demokratike.

Ruajta e lirisë dhe e shtetit sot është po kaq e rëndësishme sa angazhimi për arritjen e tyre dje, prandaj është jetike për popullin e Kosovës që nesër masivisht dhe fuqishëm të ngris zërin në thirrjen për drejtësi, me besimin e plotë në pafajësinë e çlirimtarëve dhe luftën e drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga procesi gjyqësor në Hagë Serbia duhet të marrë goditjen e fuqishme e përfundimtare në raport me Kosovën, por edhe mësimin e plotë se bota demokratike nuk mashtrohet me fabrikime, sado të sofistikuara qofshin ato, duke e ditur që edhe vet ishte palë në procesin e çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës.

Një proces i drejtë gjykimi padyshim do të kthejë triumfues në atdhe luftëtarët çlirimtarë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Por, nesër populli duhet të flasë. Çdo shqiptar që e ndien veten pjesë të kësaj historie dhe të kësaj lirie, duhet të dalë në shesh. Të ngrejë zërin! Sepse lufta e UÇK-së nuk ishte krim – ishte përgjigjja më e pastër ndaj një regjimi gjenocidal!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i OVLUÇK-së, Gazmend Syla, ka komentuar mbështetjen e presidentes…