Përballë Leotrimit
Shkruan: Ahmet Jashari –
Ulur në hijen e lisave, në një park krejt të gjelbër, të mbushur me zërat e fëmijëve duke përjetuar lojën si në përjetësi e të shoqëruar me cicërimën e zogjve në degë! Përreth qytetarë të lirë, që shëtisin pa frikë në parkun e tyre, në qytetin e tyre, në lirinë e tyre. Kjo është panorama e Kosovës 23 vjet pas luftës. Para 23 vitesh ishte Leotrimi. Leotrim Ahmeti, vogëlushi 7-vjeçar i dëshmorit të kombit, Malush Ahmeti nga Rezalla e Drenicës. Afër kishte nënën, të cilës i ankohej për dhimbje të mëdha në bark, pa e ditur se zorrët i kishin dal jashtë nga shpërthimi i grantave në oborrin e tij. Motrës ju kishin gjymtuar këmbët nga shpërthimi, një vajzë 5-vjeçare kishte mbetur e vdekur, ndërsa më vonë do të kuptohej se edhe babai i Leotrimit, Malush Ahmeti ishte vrarë.
Kujt nuk i dhemb Leotrimi? Kujt nuk i ndalet zemra dhe kush nuk çmendet së paku për një çast! Loja e fëmijëve në park vazhdon, ndërsa historia e Leotrimit harrohet! Harrohet edhe babai i tij, komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Malush Ahmeti. Harrohet edhe Rezalla, ndërsa shokët e tij përçmohen dhe fajësohen.
Kohëra të ndryshme në vendin e njëjtë, me njerëz të tjetërsuar. Të çmendur nga liria dhe lakmia! Këto kohëra i jeton nëna e Leotrimit, Shukrije Ahmeti, e cila thotë se askush nuk është dënuar për krimet ndaj tyre. Por ajo është dëshmitare se po dënohen bashkëluftëtarët e burrit të saj. Për më keq, ata po portretizohen si e keqja e këtij vendi.
Ky patjetër se është narracion i huaj. Por ky narracion po pranohet si diçka në trend. Madje koha e Leotrimit me barkun e hapur dhe zorrët zvarrë po vlerësohet më e mirë sesa koha e fëmijëve që lozin në park, me prindër dhe me liri përreth.
Liria si e mirëqenë duket si diçka absurde, ashtu siç duket edhe shteti, edhe shkollat e reja, edhe rrugët… Kosova nuk bëhet më e mirë duke e mohuar Leotrim Ahmetin, babain e tij, fshatin e tij… Apo ndoshta duke pranuar historinë e Leotrimit me zorrët zvarrë dhe jo edhe Leotrimin e pasluftës që ka përtërirë emrin e tij. Ky poashtu ka qenë diskurs i huaj – të mirë janë vetëm shqiptarët e vdekur! Në këtë rast, të mirë janë vetëm ushtarët e vdekur të UÇK-së!
Për abuzim me lirinë në emër të vlerave të luftës kryejnë punë gjykatat, ndërsa për stigmatizimin e luftës kryen punë historia. Ata që e urrejnë dhe nuk e pranojnë luftën e babait të Leotrimit, si mund të përkulen pranë varrit të Leotrimit! Secili njeri i këtij vendi do të përballet me Leotrimin, por jo të gjithë do të mund ta shohin në sy!