Përfundon me sukses praktika profesionale e studentëve të Fakultetit Ekonomik në ZKA

25 qershor 2025 | 14:57

Në Zyrën Kombëtare të Auditimit të mërkurën u mbajt ceremonia përmbyllëse e praktikës profesionale për 15 studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, të cilët për tre muaj ishin pjesë e ekipeve të auditimit.

Në ceremoni përveç drejtuesve më të lartë të manaxhmentit të ZKA-së morën pjesë edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj, si dhe prodekanët Vlora Prenaj dhe Saranda Kajtazi.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi institucional. Ajo tha se praktika profesionale nuk është vetëm një fazë e domosdoshme në studime, por një mundësi e madhe për të praktikuar njohuritë e fituara si dhe për të njohur nga afër sfidat dhe mundësitë që ofron fusha e auditimit publik.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj, falënderoi Auditoren e Përgjithshme dhe ZKA-në për bashkëpunimin dhe mundësinë që iu është dhënë studentëve të përvetësojnë njohuritë për procesin e auditimit në një institucion kredibil, me integritet dhe besueshmëri të lartë siç është ZKA-ja.

Studentëve iu ndanë certifikatat nga Auditorja e Përgjithshme dhe dekani i Fakultetit Ekonomik të UP-së, me urimin për suksese të mëtutjeshme. Ky program u realizua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD)…