Përjashtimi

16 maj 2026 | 21:57

Shkruan: Skender Haliti

Ishte dimër. Janari i vitit 1982. Kalendarikisht kishte kaluar një vit nga ngjarjet e vitit 1981, por në fakt ky ishte dimri i parë pas demonstratave të vitit 1981. S’ishte mbushur ende një vit i plotë nga 11 marsi 1981, por, në anën tjetër, s’ishte dhe aq larg përvjetori. Strukturat udhëheqëse të Universitetit e vazhdonin punën e tyre në ethe. Listat e atyre që duhet të dënoheshin, fakulteteve u vinin edhe nga jashtë. Por, diferencimi ideopolitik ecte shpejt edhe brenda këtij institucioni të lartë arsimor. Vetëm me këtë logjikë mund të shpjegohet përjashtimi im nga studimet. Unë s’kisha bërë asgjë në fakultet për të qenë i dënuar. UDB-ja, një Zot e di si, më kishte futur në listën e ndëshkimit. Jam i bindur që emri im i ishte dërguar fakultetit. Por dënimi im, krahasuar me mijëra të tjerë që kishin pësuar në forma të ndryshme fizikisht, nuk ia vlente të zihej në gojë. Me këtë vetëdije po e them këtë gjë për herë të parë publikisht: e nënvleftësova dënimin, por dënimi mbeti dënim. Dhe këtë gjë e them pas një shtytjeje të madhe të një miku që më detyroi moralisht për të dhënë dëshmi për atë kohë të trazuar. Me mijëra studentë dhe shqiptarë të tjerë ishin lënduar në demonstrata, mijëra të tjerë ishin burgosur e ndoshta me dhjetëra të tjerë qenë vrarë anë e mbanë Kosovës, por më së shumti në Prishtinë, ku gjithçka filloi dhe mori formë politike. Nuk pati kurrë të dhëna të njëjta për të vrarët. Shteti kishte kujdes që numrin e të vrarëve ta mbante sa më të ulët, mirëpo ky fakt bënte që njerëzit të mos i besonin informacionit që vinte nga zyrat e shtetit.

Unë i takoja një brezi që i donte ndryshimet e mëdha shoqërore dhe këtë tronditje të madhe të shoqërisë sonë e pashë me shumë shpresë. Një historian gjerman, Franz Bösch, ka botuar para disa vitesh librin me titullin “Kthesa e 1979-ës: Kur filloi bota e sotme” (“Zeitenwende 1979 – Als die Welt von heute begann”). Atëbotë e kisha vetëm një brengë: mos ky vrull i madh i marsit dhe prillit të vitit 1981 do të fashitej me kohë. Dinamika e demonstratave kishte ushtruar në mua një ndikim të jashtëzakontë. Punët, për fatin tonë të mirë kombëtar, shkuan në atë drejtim që brenga ime mbeti pa substancë. Tani, kur i shikoj gjërat në retrospektivë, them se i paskam vlerësuar drejt këto ngjarje, se bindja ime e atëhershme paska qenë me vend dhe e drejtë. Brenga ime s’ishte aspak personale, sepse kishte edhe shumë të tjerë që mendonin kështu. Në anën tjetër, kishte edhe shumë shqiptarë, kryesisht të brezit të vjetër, që mendonin e thoshin pa pushim se të rinjtë janë çuar peshë dhe po na e prishnin rehatinë e përgjithshme. Frika ime bëhet edhe më e madhe tani që historia tashmë ka ndodhur dhe asgjë nuk mund të zhbëhet, edhe pse te disa aktorë politikë të kohës shoh rezerva dhe përpjekje për ta zhbërë këtë vit të madh që na futi brenda kornizave të shoqërive të civilizuara. Jam i bindur se pa këtë vit ne, si komb, do të kishim qenë sot diku tjetër. Pa ngjarjet e vitit 1981, nuk e besoj kurrë se do të bënim luftë çlirimtare kundër Serbisë dhe, rrjedhimisht, nuk do ta kishim pasur shtetin tonë të pavarur: Republikën e Kosovës. Shkurt: edhe pse vetë isha në gojën e ujkut, përshtypjen se po jetoja një kohë tepër interesante, që edhe të ndëshkonte, s’ma errësoi vlerësimin tim për këtë vit kthese. Nexhmedin Spahiu, Azem Vllasi e ndoshta edhe të tjerë që s’ua dimë emrat, këtë vit e quajnë në një farë mënyre një vit të mbrapshtë. Ndoshta edhe unë do ta kisha quajtur të tillë sikur të mos i njihja faktet dhe ta përjetoja burokracinë kosovare të kohës. Administrata politike dhe jopolitike u soll në vitin 1981 me servilizëm të madh ndaj Beogradit, kështu që them se me ta ne nuk do të arrinim asgjë. “Libri i kaltërt” në Beograd kishte vite që qarkullonte mes lexuesve gjysmëlegalisht, kështu që ndryshimet e politikës serbe në Kosovë ishin të pritshme, madje në këto rrethana të pashmangshme. Burokracia jonë ishte fund e krye e kontrolluar nga Beogradi. Kjo burokraci ishte aty ku ishte vetëm sepse ishte besnike ndaj atyre që sundonin në Beograd. Shqiptarët, teorikisht, mund t’u prinin proceseve, por praktikisht s’kishim burokratë të tillë si Sllovenia e Kroacia që do të rezistonin ndaj shovinizmit serb. Kjo ishte bindje e shumicës së shqiptarëve dhe, kështu, ndodhi: serbët kishin bërë kujdes të madh që në shtresën e burokratëve të Kosovës të mos depërtonin tipa njerëzish që do t’i kundërshtonin urdhrat nga lart dhe nga larg. Reagimi i burokracisë kosovare ishte i tillë që nuk meriton emër tjetër, veçse reagim mjeranësh. Burokracia kosovare s’rrezikohej nga ata që demonstronin, s’kishte kurrfarë trysnie konkurrence nga udhët e sheshet ku protestohej, por kjo burokraci kishte frikë të madhe nga Beogradi, ndaj dhe frika e madhe e paralizoi në veprimin e saj këtë shtresë shoqërore. Megjithatë, historia eci udhës së vet. Pak a shumë këto ishin pikëpamjet e mia atëherë; me kalimin e kohës mendimi im s’u moderua, por u radikalizua në një mënyrë të tillë që më duket shumë e arsyeshme. Historia jonë kombëtare nuk mund të ndalej e të bënte pushime, sepse disa shqiptarë nuk mund të ecnin me kohën. Mendoja atëherë dhe kështu mendoj edhe sot se askush nuk ka të drejtë të kërkojë kthim prapa te zgjidhjet e vjetra të problemeve të reja. Këto zgjidhje do të krijonin bindjen se historia po përsëritet në mënyrën më të keqe, me fantazmat e Haxhi Qamilëve. Viti i mbrapshtë s’do të krijonte stabilitet. Përkundrazi. Tani frika e mosndodhjes së tij më është rritur shumë në mënyrë irracionale. Them se ku do të ishim sot pa të. Pa të s’do të kishim një Jugosllavi jostabile dhe as një shtet federativ jofunksional. Mbi të nuk do të ishin hedhur bombat e NATO-s dhe Kosova s’do të ishte shpallur kurrë shtet i pavarur. Ne që e donim Republikën e Kosovës, në atë kohë nuk do të mund ta merrnim me mend se Beogradi një ditë do të ballafaqohej me bombat e NATO-s. Por punët ecën në një kahje shumë më të mirë se ç’e kishim pritur. Nëse në atë kohë dikush do të fliste për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, do të quhej i çmendur. Sot mendoj se kjo kohë që jetojmë fillimin e ka në vitin 1981. Skenarët e tjerë janë të mundshëm vetëm teorikisht, por praktikisht nuk më duken realë. Gjendja jonë si shqiptarë në Jugosllavinë mbretërore ishte tepër e mjerë.

T’i kthehem fatit tim personal si student i Fakultetit Ekonomik. Në vitin 1982 s’isha as banor i Prishtinës, sepse me banimin lidheshin shpenzime të mëdha dhe familja ime s’kishte para që të mund të më financonte edhe banesën. Unë kisha ecur mirë me provime, por kisha edhe një rrugë jo aq të shkurtër për t’i përfunduar studimet. Turbull e kisha njëfarë ndjenje se disa struktura partiake në fakultet do të kujtoheshin për mua me dashakeqësi si element nacionalist, siç më kishin klasifikuar instanca të tjera të shtetit jugosllav në Ferizaj. Unë e merrja me mend se UDB-ja kishte komunikim zyrtar me administratën e Fakultetit, kështu që ndëshkimi me përjashtim do të ishte një ndëshkim i mundshëm. Nuk vonoi shumë kohë dhe një studente e fshatit tim trokiti në derën tonë për të më sjellë lajmin se më kërkonin në administratën e Fakultetit Ekonomik. Babai ishte i sëmurë, kështu që ky lajm i keq ia keqësoi edhe më shumë gjendjen. Atij i vinte keq për mua që vuaja, por, megjithatë, kishte bindjen se do të më përjashtonin. Dhe këtë gjë ma tha me keqardhje të madhe. Rrezikun e përjashtimit e ndjeja edhe unë dhe e përjetoja shumë rëndë. Të nesërmen e lajmit që mora, shkova në Prishtinë. Hyra në një sallë ku mbaheshin ligjëratat dhe u ula në rreshtin e dytë. Salla ishte përplot studentë. Pas njëfarë kohe erdhi një referent serb i Fakultetit dhe thirri emrin e një studenteje dhe emrin tim. Na tha që të shkonim pas tij. Hymë bashkë me të në një zyrë. Aty gjetëm ulur një profesor, dr. Binak Maxharrin. Referenti serb qëndronte në këmbë, nuk fliste, vetëm dëgjonte. Dr. Binak Maxharri fillimisht u mor me studenten nga Presheva që quhej Shqipe, kurse mbiemri s’më kujtohet. Asaj i tha se ti ke dalë me atë datë nga mensa me një flamur kombëtar dhe me plis të bardhë në krye, kështu që për këtë sjellje nacionaliste dënohesh me përjashtim nga Fakulteti. Pasi e mori vendimin e përjashtimit nga profesori dr. Binak Maxharri, studentja e revoltuar letrën e vendimit e shqeu dhe copa-copa e hodhi në shportë dhe doli jashtë me furi e zemërim. As s’i bëri syri vërr për sa i tha asaj profesori. Profesori pastaj u kthye nga unë. Më tha se ti qenke anëtar i një grupi ilegal, kështu që ti nuk mund të studiosh askund në Jugosllavi për pesë vitet e ardhshme. Unë i thashë se ju mund të ma ndaloni studimin në Jugosllavi, por jo edhe jashtë saj, kështu që unë do të studioj në Zvicër apo në Gjermani, madje edhe në Shqipëri, por nuk do të heq dorë kurrsesi nga studimi. S’kam bërë asgjë që të përjashtohem nga studimet. Pasi e mora vendimin, shkova në sallën përplot studentë; pas meje vinte referenti serb. Iu drejtova studentëve që ishin në sallë, duke thënë se sapo mora një vendim me të cilin ma ndalonin studimin për pesë vjet në çfarëdo universiteti në Jugosllavi. Studentëve iu erdhi shumë keq për vendimin. Disa prej tyre më përcollën deri te shkallët. Kështu dola jashtë dhe u nisa për në shtëpi. Babai ishte ende në shtrat, i sëmurë. Kur i thashë se më përjashtuan për pesë vjet, ai tha vetëm: “E kam ditur.” Brenda vetes ai duhet të ketë menduar se ndëshkimi s’ishte ndonjë gjë e madhe. Në kohën e tij dënimet ishin shumë të ashpra, dënime me vdekje apo me burg të gjatë. Ky dënimi im atij s’duhet t’i ketë bërë fare përshtypje, por ai s’tha asnjë fjalë.

Në vitet pas demonstratave të vitit 1981 u ndërmor një fushatë e egër dëbimesh. Në këtë mënyrë mendohej se do të thyhej vrulli i brezit të ri të shqiptarëve. Ishte përshtypje e përgjithshme se askush nuk mendonte për një zgjidhje të problemit, por vetëm për ndëshkimin e të rinjve. Me sa duket, bota e tyre nuk kuptohej nga brezi i vjetër i komunistëve, kurse pleqtë shqiptarë ofshanin dhe përsërisnin fjalët se “të rinjtë s’e njohin mirë shkaun”. Këto fjalë i kisha dëgjuar më herët edhe nga babai im, por këtë herë ai nuk tha asgjë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në varrezat e dëshmorëve në fshatin Abri e Epërme janë…