Përkthehet në italisht poema “Stinë alegorike” e Ilir Shaqirit

08 prill 15:08

Me kërkesën e shumë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Itali, poema fatndjellëse “Stinë alegorike” e Ilir Shaqirit është përkthyer në italisht nga poeti Pino Cacoza.

STINË ALEGORIKE

Jo fort e kuptueshme kjo pranverë e njëzetës
Me rregulla t’rrepta, masa, shtrëngim
Dhe bota shprehet, thërret, nuk ndalet
Me të vetmen fjalë: vetizolim!

S’ka akullore në cep të sheshit,
As s’ka lypsarë në trotuar,
Ka veç policë me goje t’mbullura,
Një gjendje e trishtë dhe e pangjarë.

Dhe humb shikimi përtej së dukshmes
I pafuqishmi mendim, humbak,
Një ambulancë merr kthesën fort
Para një lajmi që vjen pas pak…

Perde lëshuar, heshtim të ndrojtur,
Të armatosur veç me durim
Dhe as kujtimi nuk vjen i shkoqur,
Siç pas harrimit një përqafim!

Hapet kosishta mbi flokë të thinjur
Dhe numrat rritën ditë e përditë,
Çfarë është ky djall, tinëzar, i frikshëm
Që vjen papritur e na kositë?

Kush i dha leje të niset globit
Me hyrje-dalje pa pasaportë?
Apo, gjithçka s’është n’dorë të Zotit?
As n’dorë të shkencës qëkur u mposhtë.

Plot 70-vjet ajo u tkurr
Brram…, në një qoshe, ia shthurën fijet
Dhe për pasojë i ngritën armët
Që të luftojnë, t’i pushtojnë yjet.

S’dimë ku ta hedhim peshën e fajit,
Sa larg e lart të hedhim gurë,
Ka pasur të zeza e vite të mbrapshta,
Por koha e tyre nuk ka qenë kurrë.

Teksa të betuarit e Hipokratit
Kësaj batërdie po i rrinë në ballë,
Me mund Sizifi, të pa dorëzueshëm,
Engjëj, heronj i kemi shpallë!

Kush do e zbuloi një ditë të re
Që jetët tona, kot t’mos mërgojnë?
Nëse e nesërmja shthurur do ngryset
Zogjtë zoologë do t’na gërmojnë…

Këndej të vetmit ata do mbesin,
Ato që i bëmë keq, shpejt do t’i prishin,
Në degë ullinjsh do të ligjërojnë:
Njerëzit e Planetit të paditur ishin…

Dhe dikur lodhëm, paksa dremitëm,
Qetësisht qepallat ngadalë i mbyll,
Ca ëndrra e zhgjëndrra bashkë lebetiten
Për kartëmortoret e varura n’shtyllë.

Kjo pikë e zezë nën hark të hënës
Si bebëza e syrit nën qerpik,
Është shenjë e vlefshme për hatër t’këngës,
Për hatër të ëndrrës me pak muzikë.

Kur t’i numërojmë vitet, shaluar,
Aromën shtarë në shteg të stinës,
Çfarë ishte malli në të munguar?
Mall i pathënë i Doruntinës!

Patjetër nesër do i zgjasim duart,
Do ngjatjetohemi me mik e mike,
Do flasim urtë, qartë e sigurt
Për stinën – normë – alegorike…

E koha ecën…, e jeta rrjedhë…
Ditë pranverore, të tjera vijnë
Si para lajm, n’mes të universit
Dy akullore në buzë na shkrijnë!

Ilir SHAQIRI
4 prill, 2020. Prishtinë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre këndet amerikane të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në…