Përkthehet në spanjisht romani “Eskadronët e vdekjes”

29 qershor 2022 | 09:58

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, e cila është botuese e romanit “Eskadronët e vdekjes : kronikë e një kasaphane”, ka njoftuar sot se ka përfunduar përkthimi në spanjisht i këtij romani nga përkthyesi Dritan Mara.

“Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka shprehur falënderim për të gjithë ata që kanë dhënë kontributit financiar për  përkthimin e romanit “Eskadronët e vdekjes” edhe në anglisht dhe turqisht, kurse po vazhdon përkthimi i romanit edhe në gjermanisht dhe frëngjisht.

Përkthyesi i romanit në spanjisht, Dritan Mara, ka punuar gazetar, skenarist, redaktor dhe drejtues programesh në “Radio Tirana”. Pas diplomimit për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Spanjolle në Universitetin e Tiranës, ka kryer studimet pasuniversitare në Spanjë dhe ka mbrojtur shkallën e parë të doktoratës në Universitetin Komplutense të Madridit. Prej njëzet vjetësh punon përkthyes dhe specialist i gjuhës shqipe në Spanjë.

Në vijim disa fjalë të përkthyesit për procesin e përkthimit të romanit:

Për mua përkthimi i këtij libri përbënte një sfidë dhe në të njëjtën kohë një përgjegjësi të madhe. Sfidë, sepse edhe pse kam shumë vite eksperiencë si përkthyes, gjithnjë përkthimi i një libri është një punë e mundimshme. Një libër lind në një gjuhë të caktuar dhe kalimi i tij në një gjuhë tjetër nuk është thjesht një kthim fjalësh nga një gjuhë në një tjetër, është shumë më tepër se kaq. Por përkthimi i këtij romani përbënte në vetvete edhe një përgjegjësi të madhe për mua, dhe përgjegjësia qëndronte tek drama e tij, që është drama e Kosovës, drama e popullit tonë. Kjo dramë duhet të bëhej e kuptueshme, e prekshme, duhej sjellë në një gjuhë të huaj, për një lexues të huaj, që Kosovën e ka parë në ekrane televizorësh por që nuk e njeh, nuk e njeh historinë e saj, të vërtetën e saj dhe për fat të keq as shtetin e saj.

Lexuesit e parë të këtij libri në spanjisht ishin disa miq të mi spanjollë, që mbetën të habitur nga historia e tij, nga të vërtetat që zbulon ky libër dhe u bënë kuriozë të mësojnë më shumë për Kosovën dhe shqiptarët. Mes të tjerash, ky është misioni i këtij libri.

Dëshiroj të përshëndes përzemërsisht autorin e tij, z. Bardhyl Mahmuti, sepse me shumë mund dhe art ka krijuar një roman historik që do të zërë vend si ata gurët e themelit në ngrehinën e madhe të kujtesës së Kosovës dhe të gjithë kombit tonë shqiptar. Respekt dhe nderim për punën dhe vuajtjet e tij!

Nderim, respekt dhe mirënjohje për vuajtjet, dhimbjen, sakrificat dhe luftën e të gjithë atyre që dhanë edhe gjakun e tyre që Kosova të jetë e lirë!

Me respekt,

Dritan Mara

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barometri i Ballkanit edhe këtë vit e rendit Shqipërinë më…