Përparim Rama mbështet Ismet Beqirin për deputet: Kosova ka nevojë për përfaqësues që dinë, punojnë dhe marrin përgjegjësi
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri.
Beqiri po garon në zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë të diel, duke kandiduar në listën e LDK-së me numrin 37.
Në një deklaratë publike, Rama ka vlerësuar lart përvojën dhe kontributin institucional të Beqirit, duke theksuar rolin e tij në ndërtimin e institucioneve dhe shërbimin publik.
“Ismet Beqiri është një nga figurat me përvojën më të gjatë institucionale në Prishtinë dhe në Kosovë. Si ish-kryetar i Prishtinës, ai ka qenë pjesë e proceseve të rëndësishme të ndërtimit institucional dhe të shërbimit ndaj qytetarëve,” ka shkruar Rama.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës ka nevojë për përfaqësues me përvojë dhe përgjegjësi. “Sot, Ismet Beqiri i duhet Kuvendit të Kosovës, me përvojën e tij politike, njohjen e thellë të qeverisjes lokale dhe përkushtimin ndaj interesit publik. Kosova ka nevojë për përfaqësues që dinë, punojnë dhe marrin përgjegjësi,” ka përfunduar Rama.



