Përplasja Musliu-Peci, reagon KDI

22 dhjetor 2021 | 10:40

KDI vlerëson që mbledhja e djeshme e Komisionit parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku ishte duke raportuar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, është zhvilluar në frymë të acaruar, mes deputetëve të opozitës gjegjësisht deputetes Ganimete Musliu nga PDK-ja dhe ministrit Peci, që është përcjellur me akuza të ndërsjella, me ç’rast deputetja Musliu ka përdorur gjuhë fyese dhe ka hedhur ujë në drejtim të ministrit.

“Pas këtij veprimi, kryetarja e Komisionit ka ndërprerë për pak minuta takimin që ishte duke u zhvilluar. Kjo përplasje ishte vazhdimësi e një debati të ashpër të zhvilluar mes deputetes dhe ministrit në fjalë në seancën e fundit plenare në kohën e pyetjeve parlamentare për çështjen e dhënies së disa granteve bujqësore nga Ministria”, thuhet në reagimin e KDI-së.

KDI-ja dënon çfarëdo veprimi qoftë gjuhë apo sjellje joparlamentare të deputetëve, si formë e zgjidhjes së mospajtimeve politike.

“Iu rikujtojmë deputetëve, në këtë rast edhe ministrave se Kuvendi duhet të shërbej si platformë e diskutimeve përmbajtësore në mes të partive politike pavarësisht taborit të cilit i përkasin duke hequr dorë nga gjuha joparlamentare dhe përplasjet politike”.

“Duke marrë parasysh përdorimin e shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve jo parlamentare nga ana e deputetëve në Kuvend, KDI në vazhdimësi ka kërkuar që të fillojë procesi i draftimit të Kodit të Etikës, ku duhet të përfshihen sanksione disiplinore ndaj deputetëve që pengojnë mbarëvajtjen e punimeve dhe atyre që përdorin gjuhë apo sjellje joparlamentare”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka bërë me dije se në 24…