
Përsëri në atdheun e Shopenit me tri koncerte recitale
Me ftesë të Shoqatës Ndërkombëtare Fryderyk Chopin në Varshavë të Polonisë, këtë fundjavë do të mbaj tri koncerte recitale, dy koncerte në Varshavë dhe koncertin tjetër në qytetin Kutno.
Ndjehem e privilegjuar që si pianistja e parë shqiptare të mbaj koncert recital në Festivalin pianistik “Floralia Muzyczne” – Muzyka w Kwiatach (Muzika mes Luleve), ku performojnë pianistë të njohur ndërkombëtar.
Sivjet organizohet Festivali i XXIX me radhë dhe nga shtatë mbrëmjet e Festivalit, njëra nga këto mbrëmje më është ndarë mua.
Festivali “Floralia Muzyczne” organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare F. Chopin në Varshavë, në bashkëpunim me Bashkinë e Varshavës, Akademinë e Shkencave Polake, PAN dhe Radio RDC.
Dy koncerte të tjera recitale do ti mbaj edhe në:
Chopin Salon në Varshavë (aty ku dikur virtuozi Chopin në moshë të re luante kompozimet e tij). Ky koncert organizohet nga Chopin Salon dhe Shoqata F. Chopin.
Në qytetin kulturor- historik, në Kutno të Polonisë do të mbaj koncert recital në Pallatin Mbretëror Sakson, organizuar nga Muzeu vendor, në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare F. Chopin në Varshavë- dega Sanniki dhe Shoqatën Poloni-Kosovë, KosPol në Varshavë.
Faleminderit Poloni, le të presim çfarë na sjell e ardhmja!
Photo credit: Isak Duraku