
Përurohen rinovimet për efiçiencë të energjisë në katër ndërtesa të banimit social në Prishtinë
Kryeministri në detyrë Albi Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me zëvendësshefin e seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtorin Menaxhues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi dhe drejtorin e departamentit të Transformimeve në Komunën e Prishtinës, mori pjesë në përurimin e rinovimeve për efiçiencë të energjisë në katër ndërtesa të banimit social në Komunën e Prishtinës, përkatësisht objektet te Medreseja dhe në Hajvali.
Në këto katër ndërtesa banojnë 200 familje ose 790 banorë.
Rinovimet do të mundësojnë kursime të konsiderueshme të energjisë, si dhe do të ofrojnë kushte më të mira jetese për banorët.
Ato përfshijnë izolimin e mureve dhe kulmeve, vendosjen e dritareve dhe dyerve të reja, sisteme të reja ngrohjeje, sistemi i interfonisë dhe masa kundër zjarrit.
Sipas analizave, si rezultat i drejtpërdrejt i rinovimit, kursimi i energjisë për banorët e këtyre ndërtesave do të jetë mes 47% dhe 62%.
Vlera e përgjithshme e investimit është 1.24 milion euro. Projekti është zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe me mbështetje financiare 90% nga Bashkimi Evropian dhe 10% pjesëmarrje të komunës.
“Në Prishtinë, përveç banesave sociale, kemi rinovuar edhe 15 objekte të tjera publike, me vlerë prej rreth katër milionë euro dhe kemi përkrahur 425 familje me subvencione për izolim të shtëpive të tyre. Këto janë hapa konkretë për të përmirësuar jetesën, banesën, mirëqenien e qytetarëve dhe për t’i bërë ndërtesat tona më efiçiente, më të sigurta, më të shëndetshme, në mënyrë që aty të mos punohet, jetohet apo shkollohet në myk e në lagështi, siç ka qenë në të kaluarën”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Më tej kryeministri shtoi se përgjatë qeverisjes së ardhshme është planifikuar t’i rinovojmë edhe 400 objekte publike anë e mbanë Kosovës.
Në ndërtesat në Hajvali, kryeministri pati rastin që të takojë edhe operatorin ekonomik, i cili i ka kryer punimet, si dhe njërin nga banorët, Sami Murtezin, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dumnica e Llapit, i cili banon aty bashkë me djalin e tij dhe me bashkëshorten e tij, e që njëkohësisht edhe kujdeset për mirëmbajtjen e objektit.
Kryeministri falënderoi Bashkimin Evropian, Ministrinë e Ekonomisë, Komunën e Prishtinës dhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për punën e tyre, nga e cila kanë përfituar drejtpërdrejt qytetarët e vendit.