Përurohet në Vjenë romani në gjuhën gjermane “1803” i autorit Besim Xhelili

10 dhjetor 2018 | 11:21

Shkruan: Arben Gjinaj

Shkrimtari nga Tetova, me banim në Vjenë të Austrisë, Besim Xheli, më 7 dhjetor 2018, në ambientet e galerisë së artit “Der Kunstraum” në Vjenë, ka përuruar në gjuhën gjermane romanin “1803”. Ai tha se është në përgatitje edhe të vëllimit të dytë dhe të tretë të këtij romani, i cili në vitin 2016 u botua së pari në shqip, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhën gjermane dhe suedeze.

Në praninë e bashkatdhetarëve të shumtë, përfaqësuesve të Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Austri, krijuesve dhe dashamirëve të artit të shkruar, në Vjenë të Austrisë u bë përurimi i romanit “1803” në gjuhën gjermane të autorit Besim Xhelili.

Programin e këtij përurimi e udhëhoqi Kaltrina Durmishi, e cila, ndër të tjera, foli për një pjesë të biografisë së autorit. Hapja u bë me një melodi të bukur në harpë, ekzekutuar nga Veronika Klavzar, dhe fill pas kësaj një shkëputje nga romani e lexoi Time Durmishi.

I pranishëm ishte edhe përkthyesi i këtij libri, austriaku Kurt Gostentschnnig, i cili u paraqit me një vështrim mbi romanin. Ai shprehu fjalë të zgjedhura për këtë libër dhe sugjeroi lexuesit që ta lexojnë. “Gjatë përkthimit kam gjetur shpeshherë veten në pasazhe të ndryshme në brendi të romanit, ngaqë edhe unë jam njeri dhe kam qenë disa herë i dashuruar. Sugjeroj lexuesit ta lexojnë romanin, të njihen me një ngjarje dashurie, që është më shumë se dashuria vetëm mes dy personave, e të qenurit nën një kulm bashkë, e afërsisë fizike, dhe e cila kalon ndjenjat e dhimbjes, sfidon çastet e vështira të jetës, sepse ajo është një dashuri hyjnore, një pasion që s’përshkruhet dot me fjalë, njashtu siç e thotë edhe vetë autori në paratekstin e romanit”, ka thënë Gostentschnigg.

Po ashtu, rreth autorit dhe romanit “1803” foli edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, Anton Marku. “Libri është paksa mistik dhe flet për një dashuri në distancë. Libri komunikon mirë me lexuesin, është një tematikë moderne, sado qoftë e trilluar dhe fitohet përshtypja se atë nuk e ka shkruar dora e autorit, por vetë shpirti i tij”, ka deklaruar Marku.

Të gjithë ishin kureshtarë të kuptojnë se çfarë fshihet pas titullit të librit “1803”?!

Me gjasë autori për këtë do të na shpjegojë në vëllimet e tjera të romanit. “Jam duke punuar për pjesën e dytë dhe të tretë të librit. Ka disa shenja edhe në pjesën e parë të kësaj trilogjie, ku mund të paramendohet se ç’do të thotë titulli ‘1803’, por qëllimi është që lexuesi vetë të gjurmojë, të argëtohet gjatë leximit, mbase aty-këtu ta gjejë veten dhe të gëzohet me vazhdimin e ngjarjes në dy vëllimet e ardhshme”, ka thënë autori nga Tetova me banim në Austri, Besim Xhelili.

Programi u përmbyll suksesshëm me pikën muzikore “Margjelo”, kënduar nga mezzosoprania Blerta Ismajli, përcjell në piano nga Vlora Jonuzi.

Përurimi i këtij libri është bërë në qytete dhe vende të ndryshme të Evropës. Pronari i galerisë në qendër të Vjenës “Der Kunstraum”, Hubert Thurnhofer, vazhdimisht përkrah artistët, krijuesit dhe njerëzit e kulturës, duke lëshuar me një kompensim të vogël objektin e tij tepër artistik dhe tërheqës për artdashësit. Ai, gjithashtu, e përgëzoi autorin Xhelili për romanin dhe i dëshiroi suksese të mëtutjeshme. Vlen të theksohet se botimin e romanit në gjermanisht, me një donacion e kanë përkrahur Ndërmarrja Publike “Wiener Linien” dhe Oda Ekonomike e Vjenës, gjersa përurimin e mbështeti Sektori për Kulturë (MA7) i qytetit të Vjenës. Autori u është mirënjohës dhe falënderues.

Shkrimtari Besim Xhelili, përveç këtij romani, është edhe autor i shtatë vëllimeve me poezi, si dhe është prezantuar në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht. Për vitin 2019 ka në proces dy vëllime me poezi në gjuhën shqipe, një në atë gjermane si dhe shpresoj ta mbarojë trilogjinë “1803”. Në fund të programit për të pranishmit u shtrua një koktej rasti!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori amerikan Jaden Smith të shtunën doli të bëjë Pazar,…