
Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia
Në fshatin Llugë të Podujevës është përuruar të premten shtatorja e heroit të kombit Afrim Zhitia si dhe është bërë rinovimi i obeliskut e mjedisit përreth.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e kujtesës historike dhe nderimit të figurave kombëtare, duke përmendur rezistencën heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.
“Sot, në vendlindjen e Afrimit, po i shtohet edhe një vepër komemoruese publike djalit të Llapit dhe heroit të Kosovës. Shoqëritë më përparimtare të botës kanë sjellë politika të ndryshme të kujtesës për ngjarjet e tyre historike dhe për figurat më të rëndësishme kombëtare. Kështu, vitin e kaluar, më 2 nëntor 2024, u patëm takuar bashkë në akademinë në Prishtinë. Fahri Fazliu dhe Afrimi rezistuan të armatosur deri në vdekje. Sivjet, derisa po i afrohemi dekadës së katërt, jemi bashkuar në fshatin Llugë, në vendlindjen e Afrimit. Sot po i shtohet edhe një skulpturë, një vepër monumentale publike e komemorimit të Afrim Zhitisë, djalit të Llapit dhe heroit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërsa, lideri i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj, ka thënë se Afrim Zhitia ishte ndër të parët që rezistencën e armatosur e pa si mundësi të vetme për çlirimin e Kosovës. “Qëndresa e tij dhe e bashkëveprimtarëve mbajti të pashuar idealin e lirisë, duke ia bartur brezit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Kurse kryetari i komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka thënë se shtatorja e Afrim Zhitisë është një pasqyrim i shpirtit të guximit.
“Sot është një ditë e veçantë për komunën tonë. Në fshatin Llugë po e zbulojmë shtatoren e njërit nga personalitetet më të mëdha të historisë së kombit Afrim Zhitia. Krahas saj po përurojmë edhe renovimin e oblisikut dhe hapësirave përreth duke i dhënë këtij vendi pamjen dhe vlerën që e meriton. Shtatorja e Afrim Zhitisë është më shumë se një monument ai është një pasqyrim i shpirtit guximit dhe vullnetit të njeriut që jetën ja kushtojë lirisë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Dardana Zhitia, mbesa e heroit para të pranishmeve, ka lexuar një letër të shkruar nga heroi që ju dedikohej të rinjve dhe situatës të asaj kohe.