
Petrit Nimani, zgjedhet dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka”
Senati i Universitetit “Haxhi Zeka”, si organi më i lartë akademik i institucionit, pas një procesi të rregullt dhe transparent zgjedhor, ka zgjedhur me unanimitet të votave prof. asoc. dr. Petrit Nimanin në pozitën e Dekanit të Fakultetit Juridik, për mandatin e rregullt katërvjeçar.
Prof. Nimani është një nga figurat më të njohura në fushën e arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor në Republikën e Kosovës, me ndikim të theksuar në zhvillimin e shkencës juridike.
Ai gëzon një profil të lartë akademik, i ndërtuar përmes një karriere të pasur si studiues, autor dhe kontribuues aktiv në proceset arsimore dhe shkencore.
Në kuadër të veprimtarisë së tij shkencore, prof. asoc. dr. Petrit Nimani ka botuar libra, monografi dhe artikuj shkencorë në revista prestigjioze ndërkombëtare, duke sjellë vlera të mirëfillta në literaturën juridike.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai është shpallur disa herë Hulumtuesi më i mirë i vitit, ndërsa punimet e tij janë vlerësuar si ndër më të mirat në fushën juridike në vend.
“Zgjedhja e tij në krye të Fakultetit Juridik përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejshëm të cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillim institucional, në përputhje me standardet më të larta akademike. I urojmë suksese të vazhdueshme dhe realizim të plotë të vizionit të tij për një arsim juridik bashkëkohor dhe të avancuar në Kosovë!”, ka njoftuar Fakulteti Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka”.