Petrit Selimi paralajmëron ofensivë të madhe amerikane: Brenda javësh një vizitë e rëndësishme nga Shtëpia e Bardhë në Kosovë
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Petrit Selimi, në një intervistë të parë pas shumë viteve paralajmëron lëvizje të fuqishme diplomatike amerikane që ne javët e ardhshme kundrejt Kosovës. Se cili është qëllimi i kësaj ofensive, si qëndron Kosova në këtë moment dhe çka mund të pritet muajt në vijim dhe detaje tjera nga burimet e mirinformuara, lexoni intervistën e Selimit për Albanian Post.
Petrit Selimi ka vite që ka shërbyer në diplomacinë kosovare. Nga 2011 deri më 2016 ishte zëvendësministër në dy mandate, duke shërbyer me Hashim Thaçin si kryeministër dhe Enver Hoxhajn si ministër të jashtëm dhe pastaj me Isa Mustafën si kryeministër dhe Hashim Thaçin, i cili për një periudhë dyvjeçare shërbeu si ministër i jashtëm para se të bëhej president.
Më 2016 Selimi emërohet ministër i jashtëm në të cilën detyrë shërbeu shkurt, deri sa nuk e mori përsipër zhvillimin e projekteve të agjencionit federal amerikan MCC. Për 6 vite ai shërbeu si drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, që ishte entiteti përgjegjës i emëruar nga qeveria amerikane për të investuar fonde në efiçencë energjetike dhe projekte tjera në fushën e energjisë.
Selimi shërbeu në kohën kur diplomacia kosovare ishte më aktivja, një kohë e njohjeve bilaterale nga shumë shtete, si dhe anëtarësimet e Kosovës në BERZH, Komisionin e Venedikut, organizatat rajonale si projekte të suksesshme, por edhe lufta e madhe për UNESCO si një tentativë që për pak vota dështoi.
Selimi po ashtu u veçua me një fushatë shumë të suksesshme në diplomaci publike duke investuar në diplomacinë e dialogut ndërfetar, me ç’rast edhe e mori Çmimin global të Dohës për promovim të dialogut ndërfetar, me organizimin e konferencave Germia Hill, si dhe diplomaci digjitale.
Edhe pse janë mbi shtatë vjet prejse Selimi ka vepruar në fushën e diplomacisë digjitale, ai ende është ndër zërat më të dëgjuar dhe përcjellur kosovarë në rrjetin social Twitter, dhe shpesh diplomatë të rangut të Kryeministrit suedez Carl Bildt, ambasadorit Ischinger e shumë tjerë e citojnë dhe dialogojnë me cicërimat e Selimit.
Edhe kjo intervistë fillon pikërisht me një “cicërimë” të Selimit para disa ditëve, ku ai paralajmëron edhe një “ofensivë diplomatike amerikane në dialog”.
ALBANIAN POST: Për çka është fjala z. Selimi kur pohoni se SHBA-ja do krijojë edhe një momentum për Qeverinë e Kosovës në dialog?
SELIMI: Jam në kontakt me miq në Uashington DC dhe tek njerëzit që e përcjellin aktivisht Ballkanin, që në këtë kohë krizash globale, nuk janë shumë në Qeveri dhe Kongres, ka një brengë të vazhdueshme se si implodoi procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Ka një shqetësim të qartë dhe faj që ja dedikojnë Kryeministrit Kurti, dhe ka një pajtim që Serbia nuk është aktor i besueshëm. Pra ka dëshpërim me Kosovën të cilën e konsideronin partnere dhe ka një mungesë besimi që Serbia do të përmirësohet në sjellje të vetat. Lëndimet e ushtarëve të NATO-s ishte një alarm, sepse fare lehtë ndonjë ushtar amerikan mund të vritej, dhe një incident i tillë dramatik do ta ndryshonte krejtësisht qasjen dhe pozitën e administratës Biden. Mendoj se edhe zgjedhjet presidenciale amerikane janë në vëmendje të shumë njerëzve dhe nëse dëshirojnë të krijojnë një fitore në Ballkan, kjo është periudha e fundit që mund ta bëjnë këtë gjë.
ALBANIAN POST: Si do të zhvillohet ky momentum? Për çka konkretisht e keni fjalën sa i përket veprimeve të administratës Biden?
SELIMI: Disa veprime janë shumë të shpejta dhe do të shihen. Besoj brenda disa javëve do të kemi një vizitë të rëndësishme nga Shtëpia e Bardhë e nivelit që mund të dërgojnë mesazh të qartë Kryeministrit Kurti për pritshmëritë e Presidentit Biden. Potencialisht do të ketë edhe vizita tjera të nivelit të lartë në vjeshtë, nëse gjërat lëvizin në drejtim të pamohueshëm pozitiv. Ka edhe ndryshim konkret të personelit.
Jim O’Brien po vjen në shtator, pas konfirmimit në Senat, në nivel të zëvendësit të Sekretarit Blinken, pra pozitë jashtëzakonisht e rëndësishme.
James O’Brian në pozitën e tashmë si koordinator i sanksioneve, mu këto jave e sanksionoi Vulinin dhe kjo tregon se kemi një diplomat me informata të plota nga Ballkani dhe fuqi vendim-marrëse. O’Brian është i njohur për Kosovën, unë e kam takuar disa herë dhe ai ka miq personal në Ballkan, sidomos në Tiranë dhe Prishtinë. Ka këshilluar shumë njerëz përgjatë dekadave të fundit rreth situatës në Ballkan si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik dhe e njeh intimisht edhe dialogun Kosovë – Serbi.
Zëvendëse e O’Brian do të jetë Ambasadorja Yuri Kim, një pozitë tjetër e fuqishme që po mbushet nga një diplomate e fuqishme me një eksperiencë imediate së shërbyeri me sukses në Tiranë. Pra lëvizjet e personelit në Uashington, dhe një iniciative direkte për të ndihmuar Kosovën të dalë nga vorbulla e vetëkrijuar i izolimit dhe keqkuptimit do të jetë dorë e shtruar Kosovës.
Edhe zonja Nuland në një pozitë tjetër të lartë në Departament të Shtetit është përfshirë rishtazi në dialog, ndërsa interesimi ka filluar të zgjohet edhe tek Këshilli për Siguri Kombëtare.
ALBANIAN POST: A do ta pranon këtë “dorë të shtruar” siç thuani, Qeveria e Kosovës? Çka duhet të bëjë ajo që të përmirësohen marrëdhëniet dramatikisht të ulëta bilaterale që i kemi sot?
SELIMI: Nuk e di t’ju them të vërtetën ngase Qeveria e Kosovës e ka bërë të kundërtën e këshillave amerikane tash e dy vjet, e edhe më herët. E pash që Kryeministri Kurti iu referohej amerikanëve në intervistën e tij të gjatë në Kroaci, e ndoshta e ka kuptuar se ku qëndron shpëtimi, por identifikimi i adresës së aleatëve të Kosovës është lehtë. Guximi politik që pritet në Uashington nga një Qeveri apo parti që kontrollon për herë të parë Kryeministrinë, Kuvendin por edhe Presidencën është fokusuar në planin tre-pikësh të de-eskalimit dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Kronologjia, e mirë apo e keqe, është etabluar. Mungesa eksperiencës e ekipit Kosovar në dialog ishte evidente dhe Marrëveshja e Ohrit doli si një çull i vakët dhe pa shije i planit franko-gjerman, por tash ajo është baza. Dhe në themel të asaj baze qëndron një lloj pazari: Kosova ta bëjë asociacionin konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa Perëndimi do ta ndihmojë Kosovën në integrime. Për mua një obsesion i tepërt dhe shumë befasues që Qeveria Kurti po tregon për Serbinë dhe Vuçiçin nuk është i shëndetshëm. Kosova duhet te jetë e “obsesionuar” me atë që ndodh në Bruksel dhe Uashington, por edhe kryeqytetet të NATO-s.
ALBANIAN POST: A nuk shpjegohet ky obsesionim i Kurtit me Beogradin për shkak të një favori që Perëndimi po ja bën Serbisë në llogari të Kosovës? Ka pakënaqësi edhe publike nga njerëzit e Kurtit dhe vetë kryeministri Kurti që Serbia po trajtohet më mirë se Kosova?
SELIMI: Është e qartë që Perëndimi konsideron se ekziston një dritare e mundësisë që Beogradi të ndahet nga Moska dhe që pejzashi i ndikimeve shume-polare në Ballkan të reduktohet duke çimentuar NATO-n si lojtar të vetëm kredibil. Kjo edhe po ndodh, por ja që Vuçiç dhe Serbia nuk po dalin të jenë të besueshëm në veprime konkrete, nëse krahasohen premtimet gojore që Vuçiç ua jep liderëve në Perëndim. De fakto, edhe është në interes jetik të Kosovës që Serbia të bëhet shtet normal, me spirancë në NATO dhe BE. Por nëse Serbia del gënjeshtare në këtë proces, mos të humbim ne kohë dhe resurse? Eja të fokusohem në rrugëtimin tone, në detyrat tona krahas pritjeve të familjes euro-atlantike. Momentalisht jemi nën sanksione po jo për shkak asaj që ka bërë Serbia por për shkak asaj qe kemi bërë apo më mire të themi, po refuzojmë të bëjmë ne.
ALBANIAN POST: Pse thuani se Kosova duhet te jetë e përqendruar në kryeqytetet e NATO-s e jo në Serbi?
SELIMI: Është logjikë e shëndoshë. Serbia e dimë se është ende armike dhe se di të jetë e tille edhe shumë kohë, pavarësisht dialogut. Por ne e kemi një pejzash që po përjeton lëvizje tektonike në mbarë Perëndimin. Sot Kurti e ka administratën Biden para vetes, nesër mund të jetë përsëri Presidenti Trump. Sot e ka Presidentin Macron, nesër fare lehtë mund të jetë Presidentja Le Pen. Është koha e fundit që në Perëndim në Qeveri janë figura që mbajnë mend dhe kanë pasur rrol aktiv në pavarësimin dhe njohjen botërore të Kosovës. Është një papërgjegjësi e madhe dhe e pafalshme historike nëse vonesat e krijuara nga mungesa e guximit apo dijes apo nga kapriço personale e kryeministrit të Kosovës, të krijojnë një situatë të izolimit formal apo joformal të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo krijon edhe rreziqe të sigurisë fizike për banorët e Kosovës dhe, siç e pohuan shume herë miqtë e Kosovës, e ndihmon vetëm Beogradin dhe Moskën.
ALBANIAN POST: Po cilat janë hapat e menjëhershme që duhet ndërmarrë?
SELIMI: Po e përsëris se hapat janë fare të qartë dhe pritjet janë të qarta: është de-eskalimi që përqendrohet ne normalizim të një lloji të situatës në veri dhe zgjedhje të reja. Është implementimi i Ohrit që përqendrohet në Asociacion. Beteja diplomatike e Kosovës dhe dialogu me Uashington e Bruksel, por edhe me Tirane, duhet të jetë i përqendruar tek benefitet për Kosovën. Mendoj se është një gjynah i madh që Tirana po injorohet dhe po ofendohet derisa Kryeministri Rama arriti që Shqipërinë ta vendos të pozitë në respektueshme rajonale dhe europiane. Pra në hapa të shkurt: kape telefonin, koordinohu me Ramën, koordinohu thellësisht me Uashington rreth statutit të Asociacionit, vjeli benefitet për Kosovën dhe premtimin në Uashington se do të punojnë me shtetet e BE-së rreth njohjeve. Fokusi i tërë aparatusit dhe ndërveprimit diplomatike të Kosovës duhet të jetë NATO. Nuk e shoh që Qeveria e Kosovës deri tash ka shprehur ndonjë fokus në këtë qëllim fondamental për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.
ALBANIAN POST: Ka rol PDK dhe opozita këtu?
SELIMI: Unë jam thjeshtë votues i PDK dhe nuk kam funksion partiak dhe natyrisht nuk mund të flas në emër të tyre. Por PDK dhe themeluesi i partisë Hashim Thaçi ka pasur rol historik të shtet-krijimit dhe shtet-ndërtimit dhe tash PDK nuk do të duhej të abdikon nga përgjegjësia që ka. Kam ndjenjë që nganjëherë frikësohen nga sukseset e veta nga e kaluara por ato janë evidente, sidomos nëse krahasohen me qeverisjen letargjike të sotshme që ende nuk ka ndonjë sukses në fushat prioritare për Kosovën si në ekonomi ashtu edhe në diplomaci. Kam qejf që mos të jetë ashtu sepse humbëm shumë kohë dhe si shtet jemi për herë të parë në pozitë të palakueshme të sanksioneve, por mendoj se qytetarët kanë arsye dhe justifikim të jenë të shqetësuar. Si do të kanalizohet ky shqetësim varet nga qeverisja dhe opozita. Mendoj se edhe pozita e Presidentit Thaçi dhe liderëve të UÇK-se në Hagë që tanimë po vërtetohet se absurdisht po mbahen në Hagë, do të jetë më e fortë nëse Kosova është më e fortë.
ALBANIAN POST: Ka shumë zëra që pohojnë se Qeveria e Kosovës është fokusuar kah Turqia si një përgjigje ndaj sanksioneve të BE-së dhe presionit amerikan. Kjo u përforcua pas ardhjes se dronëve Bayraktar në Kosovë, si një investim shumë serioz i Turqisë në armatimin e Kosovës. Si qëndron roli i Turqisë?
SELIMI: Nuk e kam pasur kurrë as më të voglin dyshim që Turqia është partner strategjik i Kosovës. Ishin mu këta qeveritarët e sotshëm që kishin tendencë të personalizonin qëndrimin e Turqisë dhe të dyshonin në çdo investim turk në Kosovë. Ishte një ambasadore amerikane që u godit edhe fizikisht para Kuvendit të Kosovës gjatë protestave të dhunshme kundër investimeve turke në KEDS.
E vërteta është se pozita ekonomike e Kosovës, njohja e shtetësisë së Kosovës, siguria dhe ushtria e Kosovës është më e fuqishme për shkak të investimeve të Turqisë, por edhe personalisht Presidentit Erdogan. Kosova është tepër e vogël dhe tepër nevojtare për aleanca që të reduktojmë qëllimisht miqësitë. Pragmatizmi dhe interesi nacional i joni duhet të jetë parësor.
Duhet të përforcojmë marrëdhëniet si me Turqinë ashtu edhe me Greqinë; si me Izraelin ashtu edhe me të gjitha shtetet arabe. Duhet t’i rikthehemi ofensivës diplomatike në Afrikë – ku mund te mësojmë ndonjë mësim edhe nga Presidenti Pacolli i cili po investon ne Afrikë; Paqësor; Karaibe dhe vetë rajonit të Ballkanit, e te prezantohemi si faktor paqeje dhe dialogu të thellë. Por, siç tha edhe Escobar para ca dite, këtë punë mund ta bëjmë vetëm me ndihmë amerikane, turke, evropiane, ndërsa kjo ndihmë nuk do të vjen dot nëse nuk tregohemi të guximshëm në dialog. Në këto raste gjithmonë më kujtohet një libërth i fëmijëve që titullohet “Trimi i mirë më shokë shumë”.