
Pezullohen xhirimet për filmin e ri të Spider Man pas lëndimit të Tom Holland, produksionit kjo do t’u kushtojë mbi 12 milionë euro
Ndalimi i xhirimeve të filmit më të ri të Spider-Man pritet t’i kushtojë produksionit një shumë marramendëse prej rreth 12.2 milionë euro, ndërsa Tom Holland po shërohet nga një tronditje e lehtë në kokë.
Aktori, 29 vjeç, u lëndua të premten gjatë një skene me një stunt që nuk shkoi sipas planit, teksa xhironte si personazhi i dashur i Marvel-it.
Ekipi i emergjencës mbërriti me shpejtësi në skenën e xhirimeve në Leavesden Studios, në Watford, dhe më pas e dërguan Tom-in në spital për trajtim.
Ndërsa ai po rikuperohet, xhirimet e filmit janë ndërprerë për një javë të plotë, me burime nga brenda produksionit që thonë se nuk ishte e mundur të vazhdohej xhirimi pa praninë e tij.
Spider-Man: Brand New Day, i cili është filmi i katërt në Multi Cinematic Universe, thuhet se ka një buxhet prej rreth 200 milionë dollarë – që i bie afërsisht 188 milionë euro.
Sipas të përditshmes Daily Mail, ndalimi i xhirimeve pritet t’u kushtojë prodhuesve rreth 1.75 milionë euro në ditë, derisa xhirimet të rifillojnë.
Burime nga industria kanë treguar se tarifat e lidhura me prodhimin – si qiraja e studiove, pajisjet dhe mirëmbajtja e skenografisë – vazhdojnë të paguhen edhe pse xhirimet janë pezulluar.
Kasti i yjeve të filmit, ku përfshihet edhe e dashura e Holland, aktorja Zendaya, gjithashtu duhet të paguhet gjatë kësaj kohe, së bashku me shpenzime shtesë për akomodim si pasojë e qëndrimeve të zgjatura dhe ndryshimeve në orarin e xhirimeve.