
Piastri: Do të vazhdoj të luftoj me Norris për titullin
Piloti australian i McLaren, Oscar Piastri, konfirmoi se klima brenda makinës britanike nuk ka ndryshuar aspak pas incidentit që ai pati me Lando Norris në garën e fundit të Formula 1, zhvilluar në Kanada dy javë më parë.
“Lando kërkoi falje menjëherë pas garës, kështu që gjithçka është në rregull. Mezi presim të kthehemi në pistë këtë fundjavë. Rregullat brenda ekipit nuk ndryshojnë”, ka thënë kryesuesi i Botërorit.
Më tej, Piastri ka vazhduar: “Ajo që ndodhi në Kanada nuk ishte ideale, por do të vazhdojmë të luftojmë mes vete, duke shpresuar të mos biem përsëri në kontakt”. Në Montreal, McLaren pati më shumë vështirësi se sa në garat e tjera.
“U kapëm në befasi në Kanada, nuk ishim aq të fortë sa pritej. Në kualifikime patëm vështirësi, ndërsa në garë kishim shpejtësi, por paguam për të filluar nga fundi. Mendojmë se e kemi kuptuar se çfarë shkoi keq”, ka thënë Piastri. Ekipi i Woking, ashtu si makinat e tjera, po sjell përmirësime për garën austriake.
“Po sjellim pjesë të reja, veçanërisht diçka në pjesën e përparme. Shpresojmë se mund të na bëjë të shkojmë më shpejt, ky është zakonisht plani”, ka deklaruar Piastri.