
Picula: Ballkani Perëndimor i përket BE-së, jo projekteve imagjinare të Serbisë
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka kritikuar institucionet e Bashkimit Evropian për mungesë qëndrueshmërie në qasjen ndaj Serbisë, duke theksuar se udhëheqësit e Këshillit dhe Komisionit Evropian kanë qëndrime të ndryshme për zhvillimet në këtë shtet.
Në një deklaratë të raportuar nga N1, Picula ka vënë theksin te prapambetja demokratike në Serbi dhe ka bërë thirrje për një qasje më të qartë dhe më të unifikuar të BE-së ndaj këtij vendi.
“Institucionet evropiane duhet të shohin çfarë po ndodh në Serbi dhe se Serbia e presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq, po bëjnë hapa prapa sa i përket standardeve demokratike”, ka deklaruar ai.
Duke e cilësuar si të rrezikshme idenë e “botës serbe”, Picula ka theksuar se Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian dhe jo projekteve që i cilësoi si imagjinare dhe të sponsorizuara nga Serbia.
“Ballkani Perëndimor i përket BE-së dhe jo projekteve imagjinare nën ombrellën e Serbisë”, ka theksuar eurodeputeti.
Më tej, ai ka vënë në pah mospërputhjet brenda vetë BE-së në raport me qasjen ndaj Serbisë.
“Pse Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së që e shqyrton situatën në Serbi në mënyrë kritike. Të tjerë, si Komisioni Evropian dhe pjesërisht Këshilli Evropian kanë qasje të ndryshme. Pse? Do të ishte mirë t’u drejtoheshim udhëheqësve të këtyre institucioneve”, ka pyetur Picula.
Ai ka theksuar nevojën për një qëndrim të përbashkët dhe të balancuar të BE-së ndaj Serbisë, duke rikujtuar se vlerat demokratike janë në zemër të unionit.
“Ne duhet ta nivelizojmë dhe standardizojmë qasjen ndaj Serbisë sepse BE-ja nuk është vetëm një bashkësi që ndan karakteristika të rëndësishme si tregun e përbashkët dhe valutën – është po ashtu një bashkësi vlerash dhe rreziqesh të përbashkëta. Dhe nuk e shoh udhëheqjen serbe që ndjek këto vlera – ata janë më të interesuar në fondet evropiane”, ka përfunduar ai.