
Pikëpyetje ndërkombëtare, objekte misterioze mbi anijen e dëmtuar të Koresë së Veriut
Koreja e Veriut ka vendosur objekte të panjohura, të ngjashme me balona ose tullumbace të bardha, mbi anijen e saj luftarake të dëmtuar, sipas imazheve të reja satelitore të publikuara nga Maxar Technologies.
Anija 5,000 tonëshe ndodhet e përmbysur dhe pjesërisht e zhytur në qytetin portual të Chongjin, pas një lëshimi të dështuar më 21 maj.
Analistët ushtarakë dyshojnë se balonat mund të jenë vendosur për të parandaluar përmbytjen e mëtejshme të anijes ose për ta mbrojtur atë nga survejimi ajror i dronëve.
Sipas CNN, objektet mund të jenë aerostatë ose struktura të mbushura me gaz, të ngjashme me mini-blimpët, që ofrojnë ndihmë në stabilizimin e mjetit të dëmtuar.
Shkatërruesi, i cili duhej të simbolizonte përparimin teknologjik të marinës së Koresë së Veriut, pësoi dëmtime të mëdha gjatë lëshimit të pasuksesshëm.
Udhëheqësi Kim Jong Un e cilësoi incidentin si një “akt kriminal” dhe urdhëroi rikuperimin urgjent të anijes para mbledhjes së ardhshme të Partisë së Punëtorëve.
Megjithëse mediat shtetërore minimizuan dëmin, duke pretenduar se anija kishte pësuar vetëm gërvishtje dhe kishte marrë pak ujë, ekspertët ndërkombëtarë shprehen skeptikë. Disa parashikojnë se riparimi mund të zgjasë muaj të tërë, ndërsa të tjerë sugjerojnë se anija mund të çmontohet plotësisht për të lehtësuar nxjerrjen e saj.