Platini dhe Blatteri çlirohen përfundimisht nga çdo akuzë
Michel Platini dhe Sepp Blatter janë shpallur të pafajshëm përfundimisht në çështjen e dyshuar të mashtrimit, pasi prokuroria vendosi të mos apelojë vendimin e Apelit.
Ky proces, që zgjati dhjetë vite dhe pati edhe jehonë të madhe mediatike, e kishte ndaluar Platini-në të kandidonte për presidencën e FIFA-s.
Hetimi lindi nga akuza se dyshja kishte përfituar në mënyrë të paligjshme 2 milionë franga zvicerane në dëm të FIFA-s. Sidoqoftë, të gjitha palët ranë dakord që Platini kishte qenë këshilltar i Blatter midis viteve 1998 dhe 2002 dhe se në 1999 ishte nënshkruar një kontratë për një pagesë vjetore prej 300,000 frangash, e cila ishte paguar rregullisht nga FIFA.
Platini dhe Blatter argumentuan se pagesa e kërkuar në 2011 ishte një marrëveshje verbale “midis zotërinjsh”, me një kompensim vjetor prej 1 milion frangash, i cili nuk ishte paguar menjëherë për shkak të kufizimeve financiare të FIFA-s, por ishte i ligjshëm. Skandali shpërtheu në mes të vitit 2015, menjëherë pas dorëheqjes së Blatter-it, duke penguar Platini-në të kandidonte dhe duke hapur rrugën për Gianni Infantinon, atëherë ndihmës i tij në UEFA.
Pas vendimit përfundimtar, Platini deklaroi: “E dija që ishte një histori për të më penguar të bëhesha president i FIFA-s”, duke shtuar se tani ndihet shumë “i moshuar” për t’u rikthyer në garë.



