‘Po vini në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit?’, ‘përplasje’ për KFOR-in në Speciale

01 tetor 2025 | 16:42

Prokurorja Vega Iodice ka vazhduar me pyetje ndaj dëshmitarit amerikan, Jock Covey në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai është pyetur në lidhje me KFOR-in, konkretisht atë gjerman, duke nxjerr një dokument në gjuhën gjermane.

“Kontigjenti i KFOR-it gjerman, ka për detyrë që të ndalojë kriminelët dhe t’i mbaj në dalim me përjashtim të anëtarëve të kontigjentëve ndërkombëtare, për të siguruar rendin publik, për të parandaluar krime të mëtutjeshme dhe nëse është e nevojshme të ndihmojë në ndjekjen penale të kryerësve të këtyre veprave. Trupat e KFOR-it do të arrestojnë persona që dyshohet se kanë kryer vepra të rënda penale, dhe të cilët janë kapur në flagrancë ose ishin duke kryer vepra penale”, ka lexuar prokurorja dokumentin në fjalë.

Prokurorja: A ka qenë pjesë e detyrave të KFOR-it asokohe, apo ajo?

Dëshmitari Covey: Nuk mendoj se është përshkrim i saktë kjo që pamë. Së pari ka kaluar shumë kohë dhe gjermanishten nuk e njoh mirë, por mendoj se përkthimi është i pasaktë.

Ky është dokument i përgatitur nga kontingjenti gjerman, as nga selia e as nga komanda qendrore e Jackson. Secili prej kontigjentëve kishte disa autonomi, disa kishin më shumë. Francezët njiheshin që ishin më autonomë, edhe amerikanët po ashtu. Gjermanët nuk e kundërshtonin autoritetin qendror, por askush nuk e shikonte çka bënin nga qendra, dokumentet e tyre. Prandaj më duket se është tepruar pak këtu në përshkrimet që janë bërë ku flitet për detyrimet e forcave ushtarake sa u takon veprimtarive kriminale.

Këtu ka ndërhyrë gjykatësi Fergal Gaynor. Ai ka kërkuar nga prokurorja sqarime.

“Që ta kuptoj unë këtë dëshmi, këto pyetje kanë për synim të vërtetojnë se KFOR-i në fakt ka ndaluar persona në praktikë për vepra të rënda penale?”, ka pyetur Gaynor.

“Jo, është më e gjerë. Për të kuptuar mënyrën si e kanë ushtruar mandatin e tyre”, është përgjigjur prokurorja.

Derisa gjykatësi Gaynor ka kërkuar të dinte nga prokurorja nëse po e vinte në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit.

“Pra ju po vini në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit apo po nxirrni dëshmi për të mbështetur argumentet tuaja? Më duket mua që ju po përpiqeni të thoni se KFOR-i ka pasur mundësinë të ndalonte persona për vepra të rënda penale”, ka thënë gjykatësi Gaynor.

“Nuk jam e fokusuar te mandati i KFOR-it, por si është zbatuar”, ka përfunduar prokurorja, e cila pas kësaj ka kërkuar seancë private.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në…