Podgorica-qyteti i tjetërsuar, i mbetur me 1 përqind popullsi shqiptare

07 janar 2022 | 00:05

Shkruan: Berat Luzha

Podgorica është kryeqytet i Malit të Zi dhe qendër e njërës nga 25 komunat e këtij shteti. Shtrihet në fushën e gjerë, rreth 20 km nga liqeni i Shkodrës. Nëpër qytet rrjedhin lumenjtë Moraça e Ribnica dhe në afërsi rrjedhin edhe lumenjtë Zeta, Cemi e Sitnica.

Zona e Podgoricës së sotme ka histori të hershme iliro-shqiptare dhe histori të vonshme malazeze. Në hershmëri zona e Podgoricës ishte truall i qyteteve ilire Birziminium dhe Doklea, e banuar nga fiset ilire Labeate dhe Dokleate. Qyteti Birziminium është themeluar në shek. XI, kurse në mesjetë quhej Ribnica. Përmendet për herë të parë në vitin 1326. Gjatë historisë ka bartur emrat Ribnica, Boghurtlen, Burruticë, Titograd e Podgoricë. Nga viti 1946 deri në vitin 1992 është quajtur me emrin e ish-kryetarit të RSFJ-së, Titograd. Qyteti i Podgoricës është ndërtuar në shek. XV. Perandoria Osmane e pushtoi qytetin në vitin 1474 kurse katër vjet më vonë, me urdhër të Sulltan Mehmetit II Pushtuesit këtu ndërtohet kështjella Depedogen. Deri në shek. XIX dhe fillimin e shek. XX Podgorica ka qenë zonë etnike shqiptare, nahi dhe kaza në kuadër të Sanxhakut dhe të Vilajetit të Shkodrës. Perandoria Osmane kishte filluar rënien dhe, e paaftë për t’i mbrojtur, i falte një nga një trojet shqiptare. Pushteti osman në Podgoricës ka përfunduar me vendimin e Kongresit të Berlinit të vitit 1878, kur ky qytet me shumicë dërmuese shqiptare iu njoh Mbretërisë së Malit të Zi. Edhe gjatë Luftërave pushtuese Ballkanike Mali i Zi e zgjeroi territorin në dëm të trungut etnik shqiptar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Podgorica ishte bombarduar 74 herë dhe pothuaj ishte shkatërruar në tërësi si qytet e si vendbanim.

Konsulli francez në Shkodër, në vitet 1851 – 1855 ka shkruar se Podgorica kishte 950 shtëpi, nga të cilat 630 ishin myslimane. Studiusja britanike, Miranda Vickers, ka shkruar se Podgorica në vitin 1880 nuk kishte më shumë se 30 banorë malazezë. Edhe Edith Durham ka shkruar: “Nga Cetina ne shkuam në Podgoricë, ku për herë të parë pashë shqiptarët. Podgorica zhurmonte prej tyre, të gjithë të veshur me rrobat e tyre kombëtare”… Në vitet 30-ta të shekullit të kaluar Podgorica kishte rreth 8000 banorë, në vitin 1948 kishte 14 mijë banorë, në vitin 1991 numri ishte shumëfishuar – 117 mijë, kurse sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002 Podgorica kishte rreth 136 mijë banorë, nga të cilët 5.5 për qind ose 9300 banorë ishin shqiptarë. Përkundër kësaj shifre, sipas regjistrimit të vitit 2011 kryeqyteti është rritur në 150 mijë banorë, por është zvogluar numri i shqiptarëve të deklaruar, gjithësej 1400 apo më pak se 1 për qind. Pra, shqipja po shuhet plotësisht në qytetin ku dikur flitej vetëm shqip, në qytetin që ka edhe sot shumë gjurmë shqiptare.

Ka shekuj që qyteti i Podgoricës mbipopullohet me popullsi sllave dhe zbrazet vazhdimisht nga popullsia shqiptare. Shqiptarët e larguar nga Podgorica, të frikësuar nga përndjekjet dhe hakmarrjet malaziase janë vendosur kryesisht në qytetin e Shkodrës. Edhe sot shumë familje shkodrane janë me prejardhje nga Podgorica dhe mbajnë mbiemër apo identifikohen si podgoriçan. Nga ana tjetër, shumë shqiptarë të besimit katolik u detyruan ta përqafojnë besimin ortodoks dhe kështu ta humbin edhe gjuhën e të identifikohen si sllavë.

Megjithatë, Podgorica është qytet i autoktonisë dhe i trashëgimisë mijëravjeçare iliro-shqiptare. Mbi qendrat e zhvilluara antike ilire të Diokleas, Ribnicës dhe Berziminios është ngritur qyteti i djeshëm dhe i sotshëm i Podgoricës, tashmë i zbrazur nga shqiptarët.

Më 1 e 2 prill 1786 u mbajt Kuvendi i Podgoricës, me qëllim të shpalljes së një konfederate Ilirike. Kara Mahmut Pasha Bushatliu i kishte tubuar princat shqiptarë, pa dallim feje, të cilët u betuan në Bibël e Kuran se do të luftonin deri në vdekje për çlirimin e trojeve shqiptare. Në vitet e vështira 1910 – 1911 shqiptarë të ikur nga shtëpitë e tyre, për shkak të terrorit osman dhe të strehuar në Podgoricë, krijuan Komitetin kryengritës të Podgoricës, me në krye Dedë Gjo Lulin, Sokol Bacin, Mehmet Shpendin etj. Nga Shkodra anëtarë të këtij Komiteti ishin edhe Luigj Gurakuqi, Hil Mosi etj. Në njërën urë, në urën mbi lumin Ribnicë në Podgoricë, i tradhtuar nga konsulli francez, Bikok, më 23 janar 1916 i është ngritur pusia dhe është vrarë, nga 80 xhandarë, Isa Buletini me tetë shoqërues të tij.

Mali i Zi ka dy kryeqytete; Cetinjën, si kryeqytet shpirtëror dhe historik dhe Podgoricën, si kryeqytet administrativ. Në të kaluarën jo të largët Mali i Zi ka pretenduar ta bënte Shkodrën kryeqytet të tij. Sepse, “Mali i Zi pa Shkodër nuk mund të jetojë”.

Pos qytet i madh, Podgorica është edhe qytet turistik. I vendosur në një pozitë shumë të mirë gjeografike me klimë të favorshme mesdhetare, Podgorica shtrihet në brigjet e dy lumenjve dhe nën kodrën – park, Gorica, që ngritet mbi qytet dhe nga ku e ma marrë emrin qyteti. Vepër monumentale është ura varëse monumentale, e quajtur “Ura e mijëvjeçarit” (140 metra e gjatë, 57 metra e lartë), pastaj është për t’u vizituar “zemra” apo simboli i Podgoricës – Qyteti i Vjetër (Stara Varosh), kuart i stilit oriental me rrugë të ngushta e të shtrembëta që dikur banohej vetëm nga shqiptarët e sot është i harruar. Në këtë lagje janë dy xhamitë e vjetra, është Ura e Haxhi Pashës, hamami, Kulla e Sahatit, një monument i trashëgimisë kulturore 355-vjeçare. Aty afër ndodhet edhe lokaliteti arkeologjik, Doclea antike apo Dukla, vendlindja e perandorit ilir të Romës, Diokleciani. Në afërsi ndodhet edhe qyteti antik i Medunit, një kështjellë dhe qytet i vjetër ilir, qyteti i mbretit të fundit ilir, Gentit. Në zonën e qytetit rrjedhin dhe bashkohen pesë lumenj dhe mbi to ka 160 ura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm 8 nga gjithsej 33 të dënuar për ngjarjet në…