
Poetët e meritojnë një vend në listën e “punonjësve të kualifikuar”!
Nga: Luke Wright, poet anglez / The Independent
Pra, dëgjo këtë: poetët tani janë në listën e punonjësve të kualifikuar të Zyrës së Ministrisë së Brendshme [Home Office], gjë që i bën ata të pranueshëm për një vizë pune në Mbretërinë e Bashkuar. Si ndihesh për këtë? Mos po tallesh ti me këtë?
Lee Anderson nga [partia] Reform-a sigurisht që tallet. Është tallje me qendrën e selisë së Murit të Kuq [term i përdorur në politikën britanike për të përshkruar zonat zgjedhore të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar në Anglinë e Mesme dhe në Anglinë Veriore, që historikisht kanë mbështetur Partinë Laburiste]. Ai është pothuajse po aq i tërbuar për poetët sa është për menaxherët e përfshirjes dhe diversitetit që gjithashtu janë përfshirë në këtë listë. Jo se 30p Lee [30p nofka që ishte vënë më 2022 kur kritikoi rezervat e ushqimit për të varfrit, me arsyetimin se po të dinin të varfrit të gatuanin, vakti përgatitet me 30 peni] është kundër letërsisë – jo, aspak – thjesht mendon se nuk kemi nevojë për ndonjë poet të huaj. Jo, jo këtu në “tokën e gjigandëve letrarë si Shakespeare dhe PG Wodehouse”, deklaron ai, duke shtuar se si “një komb me traditën letrare më të pasur në botë, Mbretëria e Bashkuar nuk ka nevojë të importojë poetë”.
Dyshoj nëse Lee Anderson do të mund të përmendte ndonjë nga poetët bashkëkohorë, por më pëlqeu përdorimi i fjalës “importoj”.
Më krijoi një pamje të qindra poetëve të ngjeshur në një anije kontejnerësh me këmisha të mëdha me pala dhe me pena të mbërthyera fort në grusht, duke iu drejtuar Bregut Jugor. Pastaj, sapo kalojnë shëndoshë e mirë kontrollet e lehta të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, i ngarkojnë në kamionë dhe i shpërndajnë në qytetet e zhurmshme tregtare, ku i presin banorët me fytyra të skuqura që dalin të inatosur nga shtëpitë, me tërfurk në njërën dorë dhe një kopje të [librit] Në rregull, Xhivs [Right Ho, Jeeves] në tjetrën.
Ndoshta, si poet britanik, duhet ta falënderoj 30p Leenë për këtë proteksionizëm të zjarrtë. Poetët e huaj, që vijnë këtu, na marrin të gjitha hiset e hapësirave të vargjeve pas pikës! Duhet të jem i kujdesshëm, se nëse menaxherët e importuar të diversitetit dhe përfshirjes bashkohen me poetët e importuar, atëherë shkrimtarët e bardhë heteroseksualë që identifikohen me gjininë në të cilën kanë lindur, si unë, vërtetë e pësojnë keq.
Dhe, përveç kësaj, “ajo që na nevojitet urgjentisht”, vazhdon ky zë i ashpër i arsyes, “janë mjekët, ndërtimtarët dhe sipërmarrësit – njerëz që do të kontribuonin drejtpërdrejt në ekonominë dhe shërbimet tona publike”.
Gjithë kjo tingëllon si diçka e arsyeshme, apo jo? Çfarë do ti? Një mjek për të operuar fëmijën tënd që po vdes, apo një poet për të shkruar diçka se gjoja “ti asnjëherë nuk e kupton vjeshtën”? Kështu funksionon politika e 30p Leesë – na thotë se jemi në krizë, prandaj duhet të zgjedhim. Zgjedhje me tytën e armës.
Por, jeta nuk është bardh e zi, jeta nuk përbëhet nga zgjedhjet binare. Jeta është e ndërlikuar dhe plot nuanca, e koklavitur dhe shumëdimensionale, si poezia më e mirë. Poezia është e thellë, ajo prek thellë në psikikën tonë, prek atë çfarë është të jesh njeri. Poezia dhe format e tjera të shkrimit të ngadaltë, të menduar mirë, janë një kundërhelm i domosdoshëm ndaj britmave politike të njerëzve si Lee Anderson – dhe, në fakt, edhe ndaj teksteve thumbuese si ky.
Dhe, le të mbyllim njëherë e mirë këtë ide se arti nuk kontribuon në ekonominë tonë. Industritë kreative të Mbretërisë së Bashkuar vlejnë 125 miliardë paundë [143.8 miliardë euro], dhe edhe ne poetët e përulur luajmë rolin tonë. Shitjet e librave me poezi arritën në 14.4 milionë paundë [16.6 miliardë euro] në vitin 2023, shifra më e lartë qëkur filloi kjo evidencë.
Dhe, ndonëse është argëtuese t’i konsiderosh poetët si Bajronë me flokë të çrregullta apo si versione moderne [komike] të Poetit të Popullit të Rik Mayallit, në të vërtetë ne jemi punëtorë. Kjo është puna ime. Unë mbaj familjen time, paguaj kredinë e shtëpisë me poezi. Shkruaj një shfaqje të re çdo vit dhe e çoj atë te dhjetëra-mijëra njerëz në qindra qendra arti, teatro dhe festivale të mëdha si “Glastonbury” dhe “Latitude”.
Dhe, po, ndonjëherë marr një vizë pune dhe shkoj në turne jashtë vendit. Është pjesë e shkëmbimit të madh të poetëve dhe shkrimtarëve, gjë që ka ndodhur gjithmonë. Shkrimtarët udhëtojnë për të përjetuar botën, për të takuar njerëz, për të shkëmbyer ide, për të çmuar përvojat tona të ndryshme kulturore dhe gjërat që na bashkojnë si qenie njerëzore. Në Mbretërinë e Bashkuar kemi fatin të mirëpresim poetë në këto brigje, për çdo vit, për të na elektrizuar me fjalët dhe idetë e tyre, për të pasuruar kulturën tonë dhe po, për të kontribuar në ekonominë tonë.
Sigurisht që poetët janë punonjës të kualifikuar dhe u takon të jenë në atë listë të Zyrës së Brendshme. Poetët kanë kaluar vite të tëra duke përsosur mjeshtërinë e tyre, duke menduar thellë për natyrën njerëzore. Poezia më e mirë mund të na ndryshojë thellësisht. Ne i drejtohemi poezisë kur nuk gjejmë dot fjalët tona; mbështetemi tek ajo në funerale, dasma dhe në kohë krizash të thella për të shprehur atë që ndiejmë, por që disi nuk mund ta artikulojmë. Në këtë mënyrë, poetët flasin në emrin tonë, po aq sa çdo politikan. /Telegrafi/