Poezi e shkruar në manastirin e shpirtit poetik

05 nëntor 2025 | 08:38

Sadik Krasniqi

Për librin “Në fund të verës” të Enver Visokës

Shkrimtari Enver Visoka është krijues i veçantë. Veçantia e tij është e çuditshme. E çuditshmja e tij ka hije teka­njoze. E gjithë determinohet nga rrethanat e përgjithshme të së përditshmes sonë dhe inkuadrimit të tij në këto rrethana si individualitet dhe krijues.

Këso vetish historikisht patën shumë krijues, posaçë­risht ata të shquarit. Kjo premisë, si konstatim për këtë krijues, argumentohet përmes opusit të tij letrar, që për­fshin librat e botuar (edhe në gjuhën gjermane) dhe atyre në dorëshkrim, të cilët presin të botohen. Edhe libri me poezi Në fund të verës ecën në vazhdën e arsenalit letrar të këtij autori, që me gamën tematike dhe omegën figu­rative do të jetë një prurje në aktualitetin e atmosferës sonë letrare. E themi këtë duke pasur parasysh tërësinë e kësaj përmbledhje të strukturuar bukur, përmes një var­gëzimi të konstruktuar me shumë kujdes dhe të pajisur me një figuracion të dendur poetik përmes gjuhës së pasur dhe një stili të lartë. Ligjërimi poetik në këtë libër procedohet përmes pesë kapitujve, të cilëve u paraprin nga një parapoezi e shenjuar me shkronja të pjerrëta si theksim dallues nga poezitë brenda cikleve. Këto moto­poezi njëherësh janë metapoezi, të ndërtuara si rrëfime e që shërbejnë si çelës për hapjen e kodit estetik të poe­zive pasrendëse brenda kapitujve. Këto rrëfime pararen­dëse janë dialogë të heroit lirik me njerëz, fenomene e ngjarje dhe na vijnë si legjenda me profeci. Poezitë si rrëfim i karakterizon një thellësi e dendësi e mendimit kontemplativ. Nënndarjet e librit janë tituj të emëruar bukur si: Nën petalet e lules kamilje, Stina e shpirtit, Në fund të verës, Pas perdeve të kohës dhe Dhoma pa mure.

Imagjinata e sublimacionit lirik të këtij libri realizohet për­mes një sistemi të pasur figurativ duke filluar nga arke­tipat simbolike si: dielli, hëna, zogu, lulja, pema, shiu, qielli, toka, nata, mëkati e duke përvijuar me metaforat konvencionale dhe ato kontekstuale apo personale si: ora e ndalur, jeta e pushuar, lulja kamilje, arkivoli i ëndrrave, zogu i vdekur, stina e shpirtit, shekulli pa njeri, pluhuri i eshtrave, pema e tharë, qielli i errët etj. Me këtë kon­strukt të metaforave të errëta, estetika e lirikës së këtij libri buron nga “zonat e errëta”, siç do të thoshte Sabato, apo siç shprehet vetë poeti: “nga një bodrum i errët i kështjellës së shpirtit”. Lënda lirike e Visokës ndërthuret shpesh përmes vjegëzave mitike, mistike, ezoterike e biblike.

Heroi lirik është qiellor e anteik, shpirtëror e trupor, real e imagjinar. Këto karakteristika mpleksen bukur përmes një kozmogonie përtej hapësirës e kohës.

Libri Në fund të verës i Visokës rreket me dy kryetemat eternale të letërsisë, pra me tanatosin e erosin, e që ky autor i gërsheton me një rekuiem lirik plot elegancë.

Në fund mund të theksojmë se këto poezi janë shkruar në manastirin e shpirtit të poetit, janë shkruar nga zogu i zemrës, e ky zog shpesh është zog i qiellit, që pi ujë në lumin e dhembjes me lule kamileje. Këtë herë, për këtë libër mbresëlënës, vetëm pak fjalë si shenjë për vëmen­dje ndaj lexuesit semantik e semiotik të poezisë së mirë. Pasi ta lexoni, jam i bindur se do të kënaqeni po edhe do të shqetësoheni nga bukuria e ndjeshme dhe ekselenca e kësaj lirike, siç u kënaq dhe u shqetësua edhe autori i këtyre rreshtave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Arif Bozaxhi, Kambanat e diellit, Lena Graphic, Prishtinë,…