Poezi nga Margarita Halili Ramadani
HIJE NË TRUP NJERIU
Të qeshin në sy, por zemra s’të ndien
Të qajnë me fjalë, por shpirti i gënjen
Para syve e bëjnë qefin të bardhë
Pas shpine, mallkime e fjalë që djegin si zjarr
Të mirin s’e duan, se ndriçon më shumë
Kur sheh përmbi ta, i vënë këmbën në gjumë
I thurin lavde vetëm kur bie
E kur ngrihesh lart, të ndotin me hije
U bë traditë që i ligu të nderohet
Dyftyrëshi të ngrihet, i miri të poshtërohet
Të drejtit s’i jepet asnjë mundësi
Se ndershmëria është mall që nuk ka vlerë në sy
E mira lodhet, pret dritë me durim
Një shkëndijë të vogël e pret pa mbarim
Fytyra të qeshura, zemra që helmojnë
Tinëzarë të poshtër, miq që tradhtojnë
MË DUAJ
Më duaj gjithmonë edhe atëherë
Kur qaj e nuk të flas kur iki papritur
E shpirti nga mërzia më plasë
Më duaj kur rrudhosem e buzëqeshja më ikë
kur më afrohet pleqëria e sytë nuk më bëjnë dritë
Se jeta nuk ka kuptim pa dashurinë tënde
Se shpirtit i jep jetë vetëm melodia jote
Kur trupat preken e zemra buçet
Kjo jetës sime i jep lezet
E urrej vetminë se pa ty nuk ka asgjë kuptim
Zemra ime e vogël tek ti gjen shërim
Eja zemër, eja, më shtrëngo, fort më mbaj në gjoks e mos më lësho kurrë, se ata sytë e tu gri
Dua t’i kem tatu deri në përjetësi
BOTA IME
Ndonjëherë e thyer, ndonjëherë e lënduar
Asnjëherë nuk qava dhimbjen kam duruar
Mbretëreshë e vetes e botë sime ku jetoj
Të tjerët kurrë s’kam ulur që veten ta lavdëroj
Në atë botë ku daullet s’janë zhurmë, por këngë
Ku ngjyra s’është mashtrim, por ndjenjë
Ku gjithçka lulëzon pa pyetur pse
E ku shpirti s’ka peng, as brengë s’njeh
Oh, po, bota ime, e vogël por e imja
Aty ku jam vetja, jo hije, jo hija
Ku njerëzit s’më gjykojnë, aty ku veten unë dua
Me fjalë që s’kanë qëllime, me sy që s’thonë gënjeshtra
Jetoj e lumtur, jetoj pa brenga
Atje ku zemrat flasin, pa interes, pa pranga
E jeta s’është garë, por vallëzim i qetë në prag të agut
Atje, në atë botë që vetëm unë e njoh
Ku nuk më tradhton as shpresa, as zëri, as koha që shkon
MOTËR E VËLLA
Një vend ndamë, aty u krijuam
Ndonëse në periudha të ndryshme ne u takuam
Unë si më e madhja, ju dy pas meje
Një motër një vëlla, dhuratë nga Zoti
Si të mos ndihem e mbushur kur juve ju kam
Si të mos ndihem e bekuar sa herë pranë jush jam
Si të mos e ndiej veten me fat
Kur motër e vëlla thërras
Zemrat na bashkojnë e gjaku na lidh
Duart bashkë si me zinxhirë
Asgjë s’na ndau, asgjë s’na ndalon
Jemi një shpirt
Me poezitë e mamit sa shumë kemi qeshur
E fjalët e babit si vathë në vesh
gjithmonë na kanë mbetur
Të rritur që të tre po asnjëherë më shumë
Se tash të afruar, jo nga distanca
Por nga lidhja që kemi krijuar
MAKTUB
E nisa një herë në pranverë
Pastaj e lashë në mes të dimrit
Vargjet më fshiheshin ndër letra
Dhe fjala më tretej në heshtje
Shkruaja vargjet e humbja fjalë
Nuk e dija ku ishte rima
Nuk dija se ku dua të dal
Shumë herë e grisa, shumë herë…
Harresës ia dhashë, por diçka
Thellë në mua më pëshpëriste pa ndal
Më thoshte ‘mos ndalo’
Edhe kur letra bëhet bosh
Edhe kur asnjë mendim nuk vjen
Fjalët janë ende aty…
Në pritje të dorës që i do



