
Poezi nga Xhevat Muqaku
GJUHË E SYRIT TË SKIFTERIT TIM
(Punim i Gramozit)
Në valët e Drinit të bardhë
dhe në qiellin e kaltër më përkund.
Thirrjet e pulëbardhave
dhe ëndrrën time të strukur
në galerinë e fëshfëritjeve m’i fton.
Më të dashurve të mi
pa zë u kërkon
krahët të m’i pushtojnë.
Ndihet mirë kur zbulon
zemrën time të copëtuar
në dy, tri, katër… botë.
Memece, akullthyese
reliktet e shegëve dhe të qershive
të ëmbla në gushë m’i mban.
PËR HATRIN TËND
U fryja reve në qiell
që në hijen time shfrynin.
Pikonte strehë e parajsës qërueshëm,
pastaj ankorohej dielli përmbi kulm
e rigë e bardhë s’ndalej dot.
Shkokëlova në kaltërsi
ndjenjat e ëmbla për ty
që një ditë më parë m’i numërove.
Serenatë me nota nostalgjie
që kaherë mësuar e kisha,
prej teje në oazë i dëgjova.
S’ËSHTË E PËRKOHSHME
Gjurmë të besimit
ndaj vlerës së unazës
fort më gëzojnë.
Mbase rrudhat e ballit tim
prej tamblit rrafshuar janë.
Se gjoksi nektar s’të fal
diku lexuar dhe nënvizuar e kam.
Sythet rreth e rrotull trungut tim
i shoh, i prek, i përjetoj…
duke bulëzuar.
SHPREHIMISHT
(Për festën e gruas)
Te porta e kështjellës
bloza prej fuçisë pa fund
me Rrezen e vetme u largua.
Nisi t’i rrudhej balli Shkëmbit
prej buzëqeshjes së shtrembëruar.
Njëri fliste e tjetri dëgjonte
meselenë për Shegën e kafshuar.
Kur fjalia: Kujdes kufirin e dhimbjes!
u pushtua prej (d) vetmes
s’patëm zgjidhje… tjetër, ti thua?
Çasti fikall vetëm
dashurinë e vështronte.
ZILE KUJTESE
(Për tim gjysh, Nezirin)
Nuk do të sulmosh i pari –
tri herë thënë më kishte.
Kur dola unë prej ujit
harlisur Gjiri i Tafilit ishte.
Shikim yt më pat bërë për vete
ani pse nuk pushtohesha lehtë.
Në hije flladiteshim
njëri me tjetrin orientueshëm
mbështetur dhe shpërthekueshëm.
Sot më sillet vërdallë në vesh
melodia dhe zëri i ëmbël i rapsodit:
Kisha dashtë me u sjellë bota
ti të jesh në zemrën time dhe unë tek e jotja!
Zilet e kujtesës
ma zgjuan ditën, ma trembën dremitjen.