POEZIA E AGIM VINCËS, KUPTIM DHE BUKURZANIM (2)

26 janar 10:52

SHEFKIJE ISLAMAJ

Kuptim dhe bukurzanim

Poezia e Agim Vincës mund të quhet poezi e semantikës së thellë, por edhe poezi e bukurtingëllimit. Përveçse shquhet me shumëkuptimësi, shtresa kuptimore, ngjyrime stilistike/kuptimore, shprehësi të lartë, ajo shquhet edhe me harmoni të brendshme ritmike dhe bukurtingëlluese. Bukurzanimi është mjet i artit poetik të Agim Vincës. Mendoj se një formë e tillë poetike ku ndërlidhen mirë e në mënyrë harmonike kuptimi, ritmi dhe bukurzanimi dëshmon, pos të tjerash, gjendjen e tij shpirtërore, mendore, emotive dhe psikologjike. Sigurisht se tingujt më vete nuk kanë vlerë semantike, por në bashkëharmoni me seman¬tikën ata mund ta shtojnë shprehësinë dhe estetikën e përmbajtjeve poetike. Kjo bashkëharmoni në poezinë e Agim Vincës arrihet, pos të tjerash, me përsëritjet ritmike të elementeve tingullore dhe me vendosjen në afërsi të njësive gjuhësore që kanë ngjashmëri tingullore.

Dhe ti si unë dikur andej matanë,
Veç kones sate – askënd pranë.
Me të flisje, me të qeshje e qaje…
Thonë se dhe shtratin me të ndaje.

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.
Te cafe-bar Relax me veten time rri…
(Poeti me kone)

Për t’i shprehur më mirë e më saktë idetë, bindjet e emocionet e tij, poeti shfrytëzon ndërgjegjshëm larminë tingullore që ia mundëson gjuha amtare. Në vargjet e sipërdhëna ritmi dhe muzikaliteti i poezisë realizohen jo vetëm përmes elementeve fonetike, por edhe përmes semantikës, përmes përputhjes, përkatësisht kundërvënies kuptimore. Siç shihet në këto vargje, fjala dhe tingulli i drejtohen jo vetëm mendjes, po edhe veshit. Tingulli kështu bëhet përçues aktiv i kuptimit dhe i përmbajtjes poetike. Sipas formës, kjo poezi nuk dallohet nga lirika jonë tradicionale: përmasa tingullore i është nënshtruar rrafshit të saj formal dhe semantik, por ajo bart më vete një frymë të re poetike që realizohet me copëzimin brenda vargut, në të vërtetë leksema të caktuara ma¬rrin peshën kuptimore të vargjeve, përkatësisht fjalive:

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.
(Poeti me kone)

Siç shihet, brenda këtij vargu kemi tri tërësi sintaksore të realizuara me një sintagmë emërore (Mesditë gushti) e tri njësi leksikore (Verë. Zhurmë, vetmi).
Poezitë më fonike të kësaj përmbledhjeje mendoj se janë: Jetëshkrim i vogël poetik, Poeti me kone, E unë as Cuc nuk kam, Adieu, adash!, Elegji për motrën, Elegji për Ndoc Gjetjen, Nokturn, Këngë për të parin e fisit, Lisi i Vojncës etj. Jo vetëm këto, por edhe pjesa më e madhe e poezive të kësaj përmbledhjeje shquhen me bukurzanim, në të vërtetë te këto poezi ndihet fuqishëm bërthama kuptimore e veshur me breroren tingullore dhe ritmike, e cila shquan ndjeshëm veçantitë e saj kuptimore dhe bukurtingëlluese.

Lart mbi re, nën qiellin gri
Me kufje në vesh: oi, oi!
Ku shkon Veleshta, ku fluturon?
Në ç’aeroporte, me ç’avion?
(Takim me vend¬lindjen)

Qyteti ka ethe, afsh e zjarrmi.
Hëna ndër gjethe si pika mbii.
(Delir dimëror)

Në repertorin e njësive tingullore nuk shfrytëzohen vetëm strukturat a sekuencat tingullore, onomatopetë e të ngjashmet, po edhe sintagmat, si fjalë të plota me veçori e cilësi të theksuara fonike.
Bukurtingëllimi nuk është veçori vetëm e poezive që mbështeten ose rikrijohen mbi bazën e krijimeve gjuhësore-popullore, por është veçori edhe e poezive ku janë shfrytëzuar njësi leksikore të jetës së sotme, ta quajmë “moderne”, pa përjashtuar në këtë rast as leksemat e vjetruara me kuptime shumështresore, të cilat kontekstit poetik i japin kuptim të ri, dhe as fjalët e krijuara rishtas si njësi emërtuese për dukuri, objekte a mjete të jetës bashkëkohore.

Vendlindja ime e kuqe flakë
Përditë firon pak e nga pak.
Pake nga pak e çikë-çikë
Në Europë e Amerikë.

E ikinvitet, medet, medet
Mallin e derdhim në internet
Në internet, faks e fejsbuk
Nuk ka më sofër, po ka fastfood.
(Takim me vendlindjen)

Figura tingullore e kësaj poezie realizohet me përsëritjen e shpeshtë, ritmike, jo vetëm të fjalëve të caktuara e të togjeve në të cilat mbizotërojnë sekuenca të ngjashme, po edhe me përsëritjen e tingujve të caktuar jo vetëm në fund të vargjeve, po edhe brenda vargjeve. Këta tinguj a sekuenca tingullore me veçoritë e tyre formojnë boshtin rreth të cilit grupohen konfiguracionet tingullore dhe kuptimore. Poezia, fillim e fund, sugjeron nostalgji për kohë të shkuara, por ky sugjerim nuk na vjen vetëm përmes semantikës së vargjeve, por edhe përmes figurave tingullore, të cilat, pos rolit simbolik e ritmik, marrin edhe rol semantik. Imazhi poetik përmes përsëritjes dhe shkallëzimit shpërfaq zymtësi e nostalgji.
Ngjashëm ndodh edhe me poezitë ku autori shfrytëzon varg fjalësh jo vetëm fonike, por edhe fjalë më pak të njohura nga fondi leksikor popullor ose krahinor, sidomos arkaizma a historizma, të cilat me veçoritë e tyre tingullore përfshihen në strukturën e poezisë së ndërtuar mbi gjedhet tradicionale të poezisë popullore:

Nisej që pa gdhirë i ngrati
Në arë e në mal;
Zinte rrugën taksidari
Xhandari thosh: Ndal!
(Jetëshkrim i vogël poetik)

Në defterin me të zeza
Të dovletit me pahir
Emri yt Marko Këqeza
Thik përpjetë si një menhir!
(Këngë për të parin e fisit)

Në këtë mënyrë poeti ka krijuar jo vetëm sintezë të suksesshme të një poezie tingullore, por edhe shprehësi fonike dhe shpërndarje ritmike të boshtit kryesor të tekstit poetik në një varg imazhesh asociative. Një lloj të sintezës së tillë krijuese verbale, dëgjimore dhe pamore, e gjejmë edhe te poezitë e tjera që shquhen me kundërvënie semantike e leksikore. Shembujt e sjellë tregojnë se poezia dhe muzika janë rrjedhojë e proceseve të njëjta mendore dhe se tingujt kanë mundësi t’i mbajnë të bashkuara kuptimet, të cilat, në mungesë të tyre, do të mund të mbeteshin të shpërndara. Në këtë kontekst, Agim Vinca ka nxjerrë në pah ndjeshmërinë e shprehjes gjuhësore përmes muzikës duke rivërtetuar të njohurën se poezia është botë tingujsh dhe botë kuptimesh, kurse poetit i mbetet ta parandiejë thelbësoren e fshehur në muzikë dhe të shprehë, përmes mjeteve jogjuhësore, gjendje shoqërore e shpirtërore.

Stil dhe gjuhë

Kur flitet për poezinë e Agim Vincës domosdoshmërisht duhet të përmendet edhe stili i tij i veçantë, sepse për poetin stil nuk është vetëm forma, as edhe “veshja e mendimeve” ashtu siç e ka konceptuar stilistika tradicionale, por është thelbi, qenësia, që poezinë e bën kulturë të kujtesës. Kur tingulli dhe gjuha marrin formë me shkronjat atëherë ato në një farë mënyre sendëzohen. Kështu ato bëhen histori, ruajtëse të kujtesës sonë kulturore.
Agim Vinca nuk e fsheh mrekullimin a magjepsjen e tij pas fjalës e pas bukurzanimit. Ai bën çmos t’i harmonizojë ato dhe jo vetëm në përmbledhjen e tij të fundit Nostalgji për kohërat e rrezikshme. T’i kujtojmë vargjet e frymëzuara plot muzikë të poezisë Legjenda botuar vite më parë:

Sa herë nga deti kanë fryrë tufane,
Në breg janë ngjeshur jatagane.

Sa herë nga deti është sulur nata,
kanë lidhur besë dyfeku e shpata.

Sa herë tutje kanë nxirë anijet,
Këtej kanë zbardhur qeleshet, takijet….
(Letër Zotit, 2008, f. 31)

Ritmi i kësaj poezie është realizuar përmes aktualizimit dhe rimimit të leksikut të përzgjedhur nga arkivi i kujtesës sonë historike për të na e sjellë imazhin e asaj që tashmë është shndërruar në legjendë. Përmes leksemave rimore tufane/jatagane, nata/shpata, anijet/qeleshet/takijet dhe njësive të tjera leksikore të vargjeve në vijim të kësaj poezie, si nizamët/Selamët, bajloza/Gjergj Eleza, legjenda/ zemra, poeti na e ringjall tingëllimën që përfaqësojnë këto njësi leksikore: zhurmën e gjëmimin e tufaneve, të deteve e të anijeve, vringëllimën e jataganëve, të dyfekut e të shpatave nëpër motet tona historike. Leximi me kujdes i këtyre poezive të Agim Vincës, prandaj, provon se vargjet e tij poetike marrin kuptim të plotë, të thellë, vetëm atëherë kur kanë edhe bukurtingëllim.
Poezitë që janë përfshirë brenda kopertinave të këtij libri janë formash, gjatësish dhe modelesh ndërtuese të ndryshme, por krijohet përshtypja se ato kanë njësim të plotë stilor me tërësinë.
Një numër i poezive të shkurtra një e dystrofëshe e realizojnë efektin stilistik përmes dendësimit kuptimor për çka ato marrin pothuajse karakter gnomik:

Nganjëherë më ngjan se ti je Rona
Ndërsa unë, Drini im i Zi…
Takohemi vetëm në ëndrra
Marsha, të keqen, mos më mbaj mëri!
(Një miqësi letrare)
Ndërkaq, poezitë e tjera që kanë gjatësi dhe struktura të ndryshme funksionojnë kryesisht mbi parimin e figurave të ndryshme, sidomos përsëritjes, numërimit, kundërvënies dhe paralelizmit. Disa prej tyre marrin veçori të poezisë lirike-narrative.

Asgjë nuk mësuam nga lufta dhe paqja,
Na rroku sëmundja e vjetër harresa,
Nuk mësuam gjë para as pas,
Nukmorëm mësim nga pësimi i madh.
Nga apartheidi, lufta, eksodi biblik
Nga lubia S. te sfinksi Unmik.
(Mësimi)

Në një numër poezish kombinohen tipa të ndryshëm të vargjeve dhe gjedhe të ndryshme ndërtimi: vargu lëkundet prej 12-13 fjalëve e deri te vargu me vetëm një fjalë, vargjet lirike këmbehen me vargje narrative, elementet konkrete me ato abstrakte, elementet shpirtërore me ato fizike, kurse element kryesor koheziv edhe këtu është ritmi. Lidhëzat dhe e e si mjete kohezive paraqiten mjaft shpesh:

Ish kohë e gurit kur të njoha
Dhekohë e fejsbukut ish, çuditërisht!
Pimë pjalm lulesh dhe lëng luleshtrydhesh
E u dehëm në pikë të ditës
E humbëm të pamit, por jo kujtesën
Thyem poçe e vazo buzë Bosforit
E lirës i ramë brigjeve të Jonit…
(Hija jote më ndjek pas)

Siç është theksuar tashmë, stili i shumë poezive të kësaj përmbledhjeje është thellësisht i lidhur me kuptimin dhe këtë mund ta ndjekim në një varg shembujsh. Në një numër poezish gjejmë paraqitjen e dukurive, gjendjeve e përjetimeve përmes dualizmave që paraqiten në të njëjtin varg, kurse në rrafshin stilor kjo realizohet përmes figurës së kundërvënies duke filluar nga niveli fonemor e ai leksemor e deri te tërësitë më të mëdha tekstore.

Hija jote më ndjek pas,
Në tokë e në qiell,
Në fushë e në mal
Në shesh e në shtrat
Në gjumë e në zgjim
Hija jote, vegimi yt,
Dardane e lashtë sa bota.
(Hija jote më ndjek pas)

Kjo poezi është e pasur me asociacione dhe na dëshmon kohën e shkuar, që është e përmbajtur në kohën e tashme, kurse të dyja këto të përmbajtura në kohën që do të vijë. Kështu përmes reduktimit leksikor shquhet më shumë vargu i veçantë, posaçërisht ai që u pasvjen vargjeve kundërvënëse: Dardane e lashtë sa bota. Reduktimi leksikor rrit ritmin dhe intonacionin, përkatësisht rrit shprehësinë e vargjeve. Përfundimi i poezisë është pozicioni më i fuqishëm i saj. Pas vargjeve që derdhin ndjenja, mall, nostalgji përmes figurave si krahasimi – si freskun (në zhegun e vapës), si zjarrin (në thëllimë në shkulm të dimrit) kundërvënia dhe përsëritja tingëllojnë fuqishëm në vargun e fundit: Statujë e gjallë malli e dhembjeje, siç e shohim në vargjet në vijim:

Të gjakoj si freskun në zhegun e vapës
Si zjarrin në thëllimë në shkulm të dimrit,
Eshkë që digjesh e s’shihesh.
E vegimi yt më ndjek pas!
E vegimi yt më ndjek pas,
Euridika ime prej ere…
Statujë e gjallë malli e dhembjeje.
(Hija jote më ndjek pas)

(Vijon në numrin e ardhshëm të gazetës. Marrë nga revista “Akademia”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jakup Krasniqi Duke vëzhguar një kohë të gjatë, si…