Poezia e Palit, një dramë poetike kombëtare dhe familjare

26 shtator 15:43

Arben Prendi

Autori Pal Ndrecaj vjen me vëllimin më të ri poetik Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë. Ky vëllim përbëhet nga këta pesë cikle: Art poetik, Tablo me atdhe, Dritat, Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë dhe Imazhe. Këta cikle janë shprehje e gjendjeve reale dhe metafizike të poetit në kohën në të cilën jeton. Por, le t’i analizojmë ato me radhë.

Manifesti poetik

Në ciklin e parë Art poetik artikulohet kredoja poetike e krijuesit në aventurën e tij të përhershme për të kërkuar dhe realizuar mjeshtërinë artistike, poetike. Në këtë aventurë janë poeti, lexuesi, kritika, por edhe bota tjetër që është përgjithësisht indiferente ndaj artit. Këto poezi në thelb janë poezi për poezinë dhe na paraqesin konceptin poetik të autorit: çfarë është për të poezia, vargu, forma, domethëniet kuptimore, qëllimi i saj etj. Është e njohur se artisti krijon botë, duke imituar Zotin, përkatësisht ky është universi ku jeton poeti: galaktika që ka krijuar është arti i tij, atdheu që e mbart me vete dhe imazhet ku përthyhen të gjitha këto.

Secila poezi ndërtohet mbi artikulimin e një esence kuptimore.
Poezia diku na del si mundim, torturë, kërkim dhe mision vetësakrifikues i krijuesit:

Nesër do të ngushëllohem
se ishin fluturime të rastësishme
që provokojnë para kohe
dhe se është e zakonshme me u sjellë
edhe nëse ke me u djegë në fund.
(Poezi për një flutur dhe për një ide…)

Ndërsa në poezinë Për fund poeti është shpallësi i të vërtetës dhe, si i tillë, nuk mund të fajësohet:

Po nëse lumi e solli këtu tërë këtë llum
ç’faj kam unë që e thashë…

Gjeografia metafizike e atdheut

Në ciklin Tablo me atdhe autori ndjek një motiv të njohur në poezinë shqipe, veçmas në poezinë shqipe në Kosovë, duke konfiguruar poetikisht tablotë që përbëjnë gjeografinë metafizike të atdheut. Përmes një toni narrativ që përshkon pothuajse të gjitha poezitë e këtij vëllimi, atdheu mitizohet dhe antropomorfizohet poetikisht, por nëpërmjet një përjetimi dhe ndjeshmërie moderne që lind nga reflektimi i njeriut bashkëkohor të shkëputur nga vendi i tij dhe jo nga patetizmi e retorizmi romantik i tejkaluar.

Në këtë cikël artikulohen trajtat e mbartjes së atdheut me vete si dhimbje e kryqëzimit të tij (Tablo me atdheun në javën e madhe), si kujtim i vendlindjes (Në shtëpinë e lindjes në Moglicë, Nata në Moglicë), kujtim i të afërmve dhe i njerëzve të dashur (Kangë Krishtlindjesh, Gjyshja) kujtim e aktualizim i figurave kulturore si: Ali Podrimja, Xajë Nura, Latif Berisha; nderim dhe ndërtim i historisë që nga ilirët (Teuta), Skënderbeu (Duke pritur Gjergjin me u kthye), arbëreshët (Bisedë me nji arbëreshe), deri tek të rënët në luftën e fundit në Kosovë (Poezi rapsodike për mikun tim dëshmor Gaspër Karaqi).

Kredoja e këtij cikli artikulohet në poezinë Tablo me atdheun në javën e madhe, ku poeti njëson dramën e kryqëzimit të Krishtit me atë të atdheut të tij duke shpresuar njëkohësisht për ringjalljen e tij sikurse në legjendën biblike të ringjalljes së Krishtit. Atdheu kalon mundimet e kryqëzimit gjatë gjithë javës, vdes të shtunën dhe ringjallet të Dielën e Pashkëve. Në këto imazhe përfshihet silueta e një figure femërore e cila, sikurse në legjendën biblike, ngjason me siluetën e Maria Madalenës, e cila në rrëfenjën biblike ia lan trupin Krishtit me aroma të mira. Madje në fund të kësaj poezie atdheu identifikohet edhe me vetë këtë siluetë femërore, e cila ngjan me të dashurën e poetit. Pra, atdheu identifikohet me njeriun, atdheu është njeriu, janë njerëzit tanë të dashur.

 Të dielën mâ shumë se kurrë
atdheu të përngjan Ty
Ai âsht trupi dhe shpirti Yt
që më mban në jetë

Ky antropomorfizim i atdheut plotësohet me poezitë e tjera për prindërit, gjyshen, vendlindjen, djalin, miqtë, poetët, simbolet e historisë sonë kombëtare etj. Dramën e poetit në marrëdhënien me atdheun, por edhe mitizimin e ri të tij, e përmban edhe poezia Martini niset për Atdhe. Shqetësimi i poetit dhe prindit se brezi më i ri, i cili u largua në moshë të mitur nga atdheu drejt vendeve të tjera, do ta ketë të vështirë ta ripërtërijë lidhjen me atdheun edhe në një realitet kompleks ku koncepti për atdheun është duke ndryshuar me shpejtësi në botën kozmopolite:

 Ka dalë prej Kosove kur s’e dinte ç’do me thanë atdhe
në Fordham University ka hasë në teorinë e Atdheut planetar
të cilën e ka përqafuar si idenë më të mirë për një botë humane
Në shtëpi i kemi thënë se tharmi më i mirë për të
është dheu ku të ka shkelë këmba më së pari

Pra atdheu, sipas teorisë moderne është, si me thënë, planeti Tokë, gjithçka tjetër do të bëhet e parëndësishme.

 

Nën peshën e absurdit dhe të mëkatit të rrjedhshëm

Në ciklin Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë përmes këndvështrimit poetik të botës poeti e krijon galaktikën e vet. Kjo është galaktika e botës njerëzore, e cila ka planetët dhe yjet, që janë njeriu dhe njerëzimi, në fate të përbashkëta dhe individuale. Në mjaft prej poezive përsiatet mbi fatin e njerëzimit në shekullin modern dhe atë të individit si vete më vete, por edhe si pjesë e shoqërisë ku jeton. Vuajtjet e individit dhe njerëzimit vijnë nga veprimet apo mosveprimet e tij si dhe nga një përcaktim i fatit të tyre absurd, të ngjashëm me atë të Sizifit në esenë e njohur të shkrimtarit të njohur francez A. Kamy, heroit të ndëshkuar nga hyjnitë për të bërë një punë, në thelb absurde, por që për Kamynë mund të vishet me kuptim, madje mund edhe ta bëjë të lumtur heroin dhe njerëzimin. Madje në këtë cikël ndihet afria e poetit me filozofinë e absurdit, si një mënyrë për t’i dhënë kuptim ekzistencës dhe veprimit të njeriut në jetë. Kjo gjendje shprehet më qartë në poezinë Çka na thotë Sizifi kur rikthehet te guri:

 Edhe gjërat që nuk mund t’i ngremë në majë vlejnë
qoftë vetëm për hir të përpjekjes
kështu pastaj ato marrin peshë
dhe nuk iu nënshtrohen ligjeve të gravitetit
tërheqin përpjetë
Me rënie të lirë bien vetë gjërat e lehta

Këtu poeti e shfaq qëndrimin e vet të angazhimit në çështjet e botës, qëndrim i cili është i pakompromis duke ikur nga neutraliteti intelektualist dhe duke kërkuar rrugën e tij përmes mundimit të Sizifit i cili e bën betejën e tij pavarësisht prej fundit absurd. 

 …prandaj nuk e kam zgjedhë mesin
kam zgjedhë me u rrëzue në ndonji skaj
por që është skaji im
që është maja ime deri ku jam ngritë tue shtuar peshë
dhe duke mos ndigju me shkue mbas tjetërkujt
as me u tërheqë me litar tri deri në pesë metra
si makinat e prishura të mbetura në rrugë

Edhe poezia Binarët duket se përshkohet nga gjendje të frymëzuara nga absurdi kamyzian: rruga e ekzistencës së njeriut kalon përmes gjendjesh absurde: fitore dhe humbje, ato i japin kuptim asaj, sikurse veprimet në dukje pa kuptim të Sizifit:

 Kështu mes fitoresh e humbjesh,
udha jote mbërrin në fund
Në mbarim të betejës së pasosur
të dy flamujt njëlloj tund

Ndërkaq paralelisht me temën e absurdit të ekzistencës është e pranishme atmosfera e zymtë e një bote që vuan pasojat e mëkatit të rrjedhshëm sipas frymës së krishterë. Një botë e këtillë është e mjegullt, e palumtur dhe e paorientuar mirë në hapësirë dhe në kohë. Vizioni se kjo palumturi dhe papërsosmëri buron nga shpirti i ndotur prej mëkatit të rrjedhshëm, të papastruar në kohën e duhur. Madje kjo gjendje e spërkat poezinë me një pikëllimë të rëndë dhe në pamje të parë të pakuptueshme, por të përjetueshme. Qenia është e palumtur në një botë të kërcënuar nga arritjet teknologjike të cilat kanë nxjerrë në rend të dytë arritjet shpirtërore, të cilat domosdo e mbingarkojnë poetin edhe me një vizion apokaliptik të saj dhe pastaj në vënien në dyshim si në poezinë Demant mëkatit të rrjedhshëm apo në poezi të tjera të kësaj gjendjeje:

 … Në jetë kështu nuk udhëtohet
thonë ata që të gjitha caqet
i kanë gjet të gatshme si mëkatin e rrjedhshëm
… Më beso më i mirë është një dyshim që tmerrësisht të trazon
se besimi i dhuruar që ta falë qetësinë
që nuk ia shpalos rrënjët asnjë fije bari

Ndërkaq në poezinë Sprovë ngjan se “mëkati i rrjedhshëm” qëndron si diçka e trishtuar mbi gjithë galaktikën shpirtërore të poetit, madje rrezikon edhe ta shkatërrojë tërësisht:

 Diçka e trishtë
bredh nëpër galaktikën
që e ke krijue vetë
herë si dritë
herë si kometë
…Veç druej se ka me e goditë
e ka me ta bâ copë-copë
atë planet

Por në këtë botë absurde, të trishtuar e të errësuar nga mëkati i rrjedhshëm, shkëlqen njeriu i cili është si yjet, i rrethuar nga terri i tij, që zhvillon idenë e galaktikës së krijuar nga poeti:

Në pështjellakun e madh të territ
yjet janë dëshmia se terri mundet me u shpërthye
janë rasti me të provokue mu tashti
e me të bâ me mendue se edhe ti je si ata:
i mbeshtjellë me terrin tand

Kurse në poezinë Tufa e Zotit autori ironizon parabolën biblike të krijimit të njerëzimit derisa ai u shkëput nga bariu i tij:

Pastaj dikush doli prej saj
e braktisi
tha se quhej Unë
… Sot e atë ditë
bariu e Uni nuk kanë mâ paqe
sherri i tufës së Zotit

Poezitë e këtij cikli vijnë duke krijuar një vështrim filozofik mbi botën ku jetojmë dhe problemet që ka shoqëria moderne. Këtu zgjerohet vizioni prej demiurgu i poetit i cili merret me probleme e tema mbarënjerëzore, duke nisur nga ato biblike me historinë e Adamit dhe Evës (Biseda e fundit mes Adamit dhe Evës) deri te përditshmëria e njeriut bashkëkohor përmes puthjes së Judës. Madje poeti ndërton edhe vizionin e fillimit dhe fundit të botës: Adami dhe Eva në fillim dhe fund në poezinë Për fundin. Fundi një herë është fundi i rrugëtimit të njeriut të vdekshëm, herë është fundi i qytetërimit: me foshnjën që nuk di të qeshë dhe me vajzën që ia mbyll sytë kukullës së saj që të mos shohë tmerret që prodhon qytetërimi modern apo me frikën nga bomba atomike.

Një pjesë e poezive, me sa duket, mbështeten në përjetimet e autorit përgjatë fluturimeve me avion dhe vetvetiu krijojnë imazhin e vështrimit në distancë dhe nga lart të botës dhe problemeve të saj (Luaj me glob…, E shkruar gjatë fluturimit…, Gjatë fluturimit, Duke fluturuar). Si të thuash, poeti qëndron lart dhe bota poshtë si një hartë e vizatuar prej tij, që përputhet me imazhin e “galaktikës që e ka krijuar vetë”. Poeti luan me globin në fantazinë e tij, por i këshillon udhëheqësit e njerëzimit të mos sillen si poetë sepse tragjeditë që shkaktojnë veprimet e tyre nuk kanë fund. Shqetësimi për fatin e botës njerëzore dhe të njeriut e dominon poezinë e këtij cikli deri në atë masë sa mund ta quajmë autorin si poet të angazhuar, që reflekton për katastrofat që njerëzimi ia ka thurur vetes gjatë shekullit modern si në poezinë Rekuiem për Murin e Berlinit:

 Çmendunia e nji gjysmëshekulli
u copëtua në miliarda thërrmija
u shkul nga ekzistenca
siç e heqim nga vjersha
një varg që nuk shkon

 Ndaj në këtë cikël, përveç meditimit për gjendjet e natyrës njerëzore, dallohet qartë shqetësimi për fatin e njeriut, edhe të popujve, fat i cili varet prej politikave globale apo lokale. Shqetësim të këtillë shfaq autori në poezinë Luaj me glob… ku enden gjurmët e ankthit atomik të Luftës së Ftohtë ndërmjet superfuqive të botës:

 …Nesër ka me lindë foshnja që nuk di me qeshë
e ka me i pa mërrolët popuj e kultura
Tash merre me mend
një njerëzim i tërë
fle me kokë në bombën atomike
dhe mban nji shpresë të lidhur lak në fyt

Me gjuhën e imazheve poetike

Në ciklin e pestë Imazhe poeti parapëlqen të flasë me gjuhën e imazheve që shpesh u ngjasojnë imazheve piktoreske duke tentuar një retrospektivë në kohë parake: të kapjes së çastit të para ndodhjes së ngjarjes, që ta sjellë ndërmend reflektimin e një ylli, drita e të cilit vijon të udhëtojë deri tek ne por, në fakt, ai është shpërbërë prej kohësh. Imazhet lindin nga një proces psikik ku vetëdija dhe pavetëdija ndërhyjnë tek njëra-tjetra, pa e sqaruar mirë kufirin me realitetin. Disa prej poezive kanë pikërisht të njëjtin titull (Imazh I, Imazh II, Imazh i kthjelluar, Çaste). Në këtë proces poeti, si një shaman i urtë, rreket ta rikthejë çastin e ikur, ta kthejë kohën pas si mundësi për t’i ndrequr gjërat ndryshe si në poezinë Imazh II:

Kjo qershi e kalbur n’degë
është rasti yt i harruar me buzëqeshë
…Unë edhe pse sajoj imazhe për qejfin tim
nuk gjej dot mundësi me e kapërcye këtë ligj
pos nëse e vendos ngjarjen
në çastin para kalbjes

Ndërsa në poezinë Çaste tentohet ikja nga lëndorja, fizikja, duke u zhdukur pas metafizikes në një botë dhe në një kohë që është boshe:

 Nuk jam këtu, kot vini, nuk jam,
është orë e trajtës së kotë
i fshehur diku siç fshehemi nga vetja
bëj çastin e mungesës në botë…

Gjuhë të imazheve ka edhe në poezinë Riprodhim, në të cilën çmitizohet përsëri bota përmes vështrimit ironik të ekzistencës, e cila nuk ka më asgjë origjinale, të papërsëritshme por, përkundrazi, duket si e kopjuar për të kushedi të satën herë. Bota ngjason me një pikturë që përsëritet përjetësisht, që ndërrohen ngjyrat, që ndërrohen njerëzit, por piktura mbetet, jeta dhe ekzistenca vijon pavarësisht se kjo ngjan me një pikturë të riprodhuar:

Kjo pikturë është e kopjuar
ai lumi që shihet aty rrjedh i pasigurt
ajo vajza që rri në breg
duket qartë se nuk e pëlqen këtë motiv
do një tjetër më optimist
… Pema afër saj tashmë i ka shkundë gjethet
një brushë dhe ca ngjyra tjera
ndodhen aty për me ndërru efektet
Gruaja ndien se është koha të çohet
një tjetër vajzë vjen e ulet në vendin e saj
brusha e ngjyrat janë prapë aty
efektet megjithatë s’ndërrojnë

Libri poetik Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë ka për bazë poetizimin e gjendjeve metafizike komplekse ku ndërthuren përjetimet e thella subjektive me filozofinë e njeriut bashkëkohor, pjesë e së cilës janë kërkesa për artin poetik, lidhja me atdheun në kohët moderne, pesha e rëndë e situatave absurde dhe e palumturisë së një bote në udhëkryqe. Ligjërimi i kësaj poezie manifeston veçori të ligjërimit narrativ, gjithsesi një narrativë poetike ku çlirohet reflektimi i gjithanshëm i poetit që jeton në botë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke nisur nga viti 2030, udhëtimi me avion nga Londra…