Policia e Kosovës – kapital kombëtar që duhet të mbrohet dhe zhvillohet

05 shtator 2025 | 17:30

Shkruan: Hisen Berisha 

Sot, në përvjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, kujtojmë se ky institucion lindi si domosdoshmëri e kohës, në vitin 1999, menjëherë pas luftës, për të garantuar rendin, ligjin dhe sigurinë publike në një vend që po dilte nga lufta dhe shkatërrimi.

Fillimisht e mbështetur nga administrata ndërkombëtare, policia jonë arriti të zhvillohet në një forcë profesionale e shtetërore, duke fituar besimin e qytetarëve dhe respektin e partnerëve ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës me përkushtimin e saj ka dhënë shembuj të shumtë të sakrificës, profesionalizmit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Ajo ka qenë në vijën e parë në ruajtjen e sigurisë kombëtare, luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës, terrorizmit dhe ka marrë pjesë në operacione rajonale e ndërkombëtare.

Me këtë rast, duhet t’i përkujtojmë dhe t’u dedikojmë nderim e lavdi të gjithë atyre zyrtarëve të Policisë që u flijuan duke kryer detyrat e tyre në shërbim të qytetarëve, rendit, ligjit dhe atdheut.
Sakrifica e tyre është gurthemel i besimit dhe respektit që qytetarët kanë ndaj këtij institucioni.

Meritat e saj janë një kapital kombëtar që duhet të mbrohet dhe zhvillohet.

Megjithatë, nuk mund të anashkalojmë sfidat e sotme. Shihen shenja të degradimit të strukturës operative jo vetëm në ushtri por edhe në polici, të dobësimit të kushteve të shërbimit dhe partizimit të shërbimeve publike.
Këto procese dëmtojnë jo vetëm institucionet e sigurisë, por edhe besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në to.

Prandaj, përvjetori i policisë duhet të jetë më shumë se një ditë ceremoniale; duhet zë jetë një ditë reflektimi: për të forcuar profesionalizmin, integritetin dhe për t’i dhënë fund çdo ndikimi politik mbi uniformën e shtetit.

Policia e Kosovës është pasuri e të gjithëve, jo instrument i askujt. Ruajtja e integritetit të saj është një obligim kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundjava e Çmimit të Madh të Italisë në Monza ka…