Policia e Kosovës pranon pesë automjete speciale për njësinë me qen zyrtar (K9)

24 qershor 2025 | 14:13

Në ambientet e Kampit Vrella, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë, përmes një ceremonie zyrtare, realizoi dorëzim-pranimin e pesë automjeteve speciale për njësinë me qen zyrtar – K9, si dhe të një qeni zyrtar të racës Malinos Belg, i dhuruar nga Ambasada e Francës.

Në këtë ceremoni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha dhe zëvendësministri në detyrë Bardhyl Dobra, shprehën falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e kapaciteteve operative të Policisë e në veçanti të njësisë K9.

Nga ana e tyre, ambasadorët Gerard McGurk shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, Olivier Guerot ambasador i Francës në Kosovës dhe Jorn Rohde ambasador i Gjermanisë në Kosovës, gjatë fjalimit të tyre potencuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës, në këtë rast të njësisë K9.

Ky donacion përfaqëson një element të rëndësishëm të bashkëpunimit strategjik me OSBE-në dhe partnerët ndërkombëtar në kuadër të projektit për luftimin e armëve të vogla dhe të lehta (SALW).

Gjatë viteve të fundit, përkrahja e vazhdueshme ka përfshirë ngritjen e kapaciteteve të trajnimit, donacionin e automjeteve dhe qenit zyrtar, si dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme për trajnim.

Përmes këtij bashkëpunimi janë përmirësuar ndjeshëm kapacitetet operative të njësisë K9 në fushat e parandalimit të krimit, reagimit në situata të rrezikshme dhe mbështetjes së operacioneve policore të specializuara, kapacitete këto të cilat u dëshmuan edhe përmes një ushtrimi praktik të zbatuar në poligonin e njësisë K9.

Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë për mbështetjen e OSBE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe riafirmon angazhimin e vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit me qëllim sigurimin e stabilitetit dhe rendit publik në Republikën e Kosovës, si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkimit Demokratik, Ajvaz Brisha, ka shpallur kandidaturën për…