Policia në dy raste të ndara parandalon kontrabandimin me mallra

18 gusht 2025 | 11:34

Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore kufitare, në dy raste të ndara kanë arritur që ta bëjnë parandalimin e kontrabandimit me mallra, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve taktike dhe operacionale përgjatë zonave kufitare.

“Me datën 17.08.2025 Njësia e Taskforcës – Lindje, e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës, ka trajtuar informacionet se rreth zonës kufitare ndërmjet RMV-RKS një automjet i dyshuar me targa vendore po transportonte mall të kontrabanduar, ku njësitet e angazhuara policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe si rezultat automjeti i dyshuar është ndaluar. Gjatë kontrollit të automjetit pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, është hasur sasi e mallrave si: tekstil, pajisje elektronike, veshmbathje sportive, bizhuteri etj., të cilat ishin transportuar në mënyrë të kundërligjshme nga RMV në drejtim të Kosovës dhe të cilat nuk kishin dokumentacion përkatës. Lidhur me rastin personi i dyshuar, së bashku me automjetin dhe mallrat janë shoqëruar në terminalin doganor përkatës, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet mbi 2,000 (dy mijë) euro, të cilat janë sekuestruar dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Ndërkaq në rastin e dytë, po ashtu më 17 gusht njësitet policore nga DRPK-Lindje SPMK-Muqivërcë, pas sigurimit të informatave operative rreth dyshimeve për kontrabandë, nga territori i Republikës së Serbisë në drejtim të Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime taktike, me ç’rast njësitë policore kanë ndaluar tentativën për kontrabandë të automjetit të dyshuar me targa vendore në fshatin Lisock-Kamenicë.

Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur sasi e specave prej 1500 kg, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës. Lidhur me rastin pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti, ndërsa malli i konfiskuar është dorëzuar në Doganën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka…