Policia parandalon kontrabandë në veri, sekuestrohen 220 drunj dekorativ

24 qershor 2025 | 16:12

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në pjesën veriore të vendit, duke sekuestruar një sasi prej 220 drunj dekorativë, të cilët po transportoheshin në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 23 qershorit 2025, kur njësitë policore kanë identifikuar një traktor me rimorkio të improvizuar duke hyrë ilegalisht nga fshati Tërrnocë – Bujanoc (Serbi) në drejtim të fshatit Hodonoc – Kamenicë (Kosovë).

Gjatë kontrollit në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Hodonoc, në pronësi të personit N. P., është gjetur rimorkioja e dyshuar, e cila sipas të dhënave rezulton të jetë pronë e të dyshuarit L. I., banues në Hodonoc.

Në prani të tij, policia konstatoi se rimorkioja ishte e mbushur me drunj dekorativë të destinuar për shpërndarje në Kosovë, të pajisur me etiketa që sugjeronin dërgimin përmes postës vendore.

Sipas të dhënave të siguruara, vlera e mallrave arrin rreth 7,000 euro, pa përfshirë humbjet nga shmangia e detyrimeve doganore. Në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, mjeti transportues dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor, ku do të vijojnë procedurat ligjore.

Policia e Kosovës njofton se do të vazhdojë angazhimin e saj, në bashkëpunim me institucionet kompetente, për të parandaluar veprimtaritë kriminale, përfshirë kontrabandën me mallra në të gjitha pjesët e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institucionet më të mëdha të futbollit në botë po punojnë…