Policia sërish gjen arme në veri, municion dhe mjete të tjera ilegale
Në vazhdën e pranimit të informacioneve nga ana e qytetarëve, të martën, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në një bodrum të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki”, në Mitrovicë në veri, mund të ketë mjete te dyshimta ilegale.
Pas pranimit të informacionit, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, ku gjatë kontrollit, përkatësisht në një bodrum kolektiv të ndërtesës, ka gjetur dhe sekuestruar: tri armë të gjata, një tytë vazhduese, një kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë,10 krehër për fishekë, një granatë dore tymuese, dy antiplumba ushtarakë, katër mostra të ndryshme të ADN-së, dy jakne ushtarake, një bluzë e uniformes ushtarake, një palë pantallona ushtarake, mbështjellës me material tekstili dhe shirita ngjitës.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose
posedim të paautorizuar të armëve”.
Në lidhje me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, si dhe i inkurajon që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor.



